Top Channel Albania – Historike/ Shqipëria drejt BE, Rama takim me Marta Kos, hapen 4 kapituj – Shqipëria Live, 16 shtator 2025
Të ftuar në Top Channel Albania, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në SHqipëri (EMA), dhe Nirvana Deliu, Eksperte e procesit të integrimit europian pranë EMA, komentuan mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Shqipëria hapi njëtjetër Grupkapitull, atë të katërt, i cili ka në fokus axhendën e gjelbër dhe ndërlidhshmërinë e qëndrueshme dhe përfshin fusha kyçe si tranzicioni i gjelbër, mbrojtja e mjedisit, energjia dhe transporti. Objektivi i Shqipërisë vazhdon të mbetet hapja e grupkapitullit të fundit (Grupkapitulli 5) brenda vitit, megjithatë e rëndësishme është që piketat e vendosura nga BE të plotësohen në mënyrë cilësore.
Për më tepër, ata theksuan se Kapitulli 27 cilësohet si një ndër kapitujt më sfidues, duke qenë se legjislacioni i tij është horizontal dhe prek dhe kapituj të tjerë. Duhet thënë se Shqipëria është një rast unik përsa i përket hapjes së negociatave për shkak të ritmit të përshpejtuar. Dhe për këtë arsye, ritmi i punës duhet ruajtur i tillë, pavarësisht se procesi është intensifikuar. Në përfundim, u qartësua se sfidë mbetet koordinimi i brendshëm i institucioneve, si dhe mbështetja e përbashkët e tyre.