Grupi i Punës për Kapitullin 23 – Liria e medias dhe sfidat kundër SLAPP: drejt një sistemi drejtësie më mbrojtës për median, 5 qershor 2026

Kjo tryezë diskutimi për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, e organizuar EMA në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, iu kushtua mbrojtjes së gazetarëve dhe rolit të institucioneve të drejtësisë në garantimin e një mjedisi të lirë dhe të sigurt për ushtrimin e profesionit të gazetarit, me fokus të veçantë te paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP). Tryeza e mbajtur më 5 qershor 2026, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, mblodhi së bashku përfaqësues të shoqërisë civile, medias, akademisë, administratës publike dhe aktorë të tjerë relevantë.

Në fjalën hyrëse, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi rëndësinë e trajtimit të fenomenit të padive SLAPP në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ai nënvizoi se mungesa e një kuadri të posaçëm ligjor për mbrojtjen ndaj këtyre padive e bën të domosdoshëm zhvillimin e diskutimeve të tilla, të cilat mund të kontribuojnë në hartimin e ardhshëm të legjislacionit përkatës. Gjipali vuri në dukje se përfshirja e shoqërisë civile duhet të konsiderohet thelbësore jo vetëm gjatë procesit të konsultimit publik, por edhe në fazat e hartimit të politikave dhe legjislacionit. Duke marrë parasysh volumin e konsiderueshëm të harmonizimit ligjor që Shqipëria duhet të realizojë në kuadër të procesit të integrimit europian, pjesëmarrja e aktorëve të shoqërisë civile mbetet veçanërisht e rëndësishme, sidomos pas parashikimit të një ligji të posaçëm për mbrojtjen nga paditë SLAPP në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës dhe përmbushjes së kritereve të ndërmjetme për Kapitullin 23.

Ekspertja Flutura Kusari, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias dhe anëtare e grupit të ekspertëve të BE-së për SLAPP, prezantoi konceptin e padive SLAPP, duke shpjeguar dallimin midis këtyre padive dhe proceseve gjyqësore legjitime. Ajo theksoi se paditë SLAPP nuk synojnë pengimin e pjesëmarrjes publike dhe ushtrimin e presionit ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe aktorëve të tjerë të angazhuar në çështje me interes publik. Kusari evidentoi se këto padi ndikojnë negativisht në një sërë të drejtash themelore, përfshirë lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe aksesin efektiv në drejtësi. Gjatë prezantimit të saj, ajo shpjegoi zhvillimet që çuan në krijimin e kuadrit europian kundër padive SLAPP, duke nisur nga reagimet pas vrasjes së gazetares investigative Daphne Caruana Galizia, e deri te hartimi i instrumenteve aktuale europiane. Kusari u ndal te instrumentet kryesore europiane në këtë fushë, përfshirë rekomandimet e Këshillit të Europës, rekomandimin e Komisionit Europian dhe Direktivën (BE) 2024/1069. Kusari ndaloi veçanërisht te indikatorët që ndihmojnë në identifikimin e padive SLAPP. Ajo shpjegoi se këto padi shpesh karakterizohen nga një pabarazi e dukshme pushteti ndërmjet paditësit dhe të paditurit, ku paditësi mund të shfrytëzojë avantazhin e tij financiar e politik për të ushtruar presion. Ndër treguesit kryesorë ajo përmendi pretendimet pjesërisht ose plotësisht të pabazuara, kërkesat joproporcionale për dëmshpërblim, abuzimin me procedurat ligjore, si dhe përdorimin e taktikave që synojnë rritjen e kostove dhe zgjatjen e proceseve gjyqësore. Gjithashtu, ajo theksoi se paditë SLAPP shpesh shoqërohen me fushata të menaxhimit të reputacionit dhe sulme publike që synojnë diskreditimin e gazetarëve dhe aktivistëve, duke krijuar një klimë frikësimi që shkon përtej sallës së gjyqit.

Më tej, Kusari paraqiti llojet e ndryshme të padive SLAPP të njohura nga instrumentet europiane, duke përfshirë paditë vendore, paditë ndërkufitare, paditë e shumëfishta ose të koordinuara dhe ato që synojnë pjesëmarrjen anonime në debatet publike. Ajo sqaroi se rekomandimi i Këshillit të Europës mbulon të gjitha fazat e veprimeve ligjore, përfshirë edhe kërcënimet fillestare për padi, ndërsa direktiva e BE-së fokusohet në procedurat civile me element ndërkufitar. Një rëndësi të veçantë ajo i kushtoi mekanizmit të rrëzimit të hershëm të padive (early dismissal), duke theksuar se instrumentet europiane u japin mundësi gjykatave dhe të paditurve të kërkojnë ndërprerjen ose pushimin e procedurave kur ekzistojnë tregues të qartë se kemi të bëjmë me një padi abuzive kundër pjesëmarrjes publike. Duke analizuar masat mbrojtëse të parashikuara në instrumentet europiane, Kusari shpjegoi se ato përfshijnë detyrimin e paditësit për të garantuar kostot procedurale, mundësinë e rikuperimit të plotë të shpenzimeve gjyqësore nga i padituri, kompensimin e dëmeve materiale dhe jomateriale të shkaktuara nga paditë SLAPP, si dhe vendosjen e sanksioneve efektive, proporcionale dhe dekurajuese ndaj paditësve që abuzojnë me sistemin gjyqësor. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes ligjore, financiare dhe psikologjike për viktimat e këtyre padive, si dhe nevojën për krijimin e mekanizmave të transparencës, përfshirë publikimin e vendimeve gjyqësore dhe mbledhjen e të dhënave për rastet SLAPP. Në përfundim, ajo vlerësoi se këto standarde europiane ofrojnë një bazë të rëndësishme për forcimin e mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe të medias në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku rastet vendore të padive SLAPP paraqesin sfidën më të madhe.

Aida Bushati, Pedagoge me kohë të plotë pranë Shkollës së Magjistraturës, u ndal te rëndësia e forcimit të kapaciteteve të magjistratëve për trajtimin e çështjeve që lidhen me lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve. Ajo evidentoi se shkolla ofron trajnime, por vitet e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e nevojës për të forcuar trajnimet në këtë fushë, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës, ku përfshijnë çështje si pasitë SLAPP, si formë e përdorur për të kufizuar punën e gazetarëve dhe aktivistëve, si dhe mekanizmat më të gjerë të mbrojtjes së tyre. Në këtë kuadër, diskutohen edhe tema si e drejta per t’u harruar, paditë ndaj gazetarëve, mbrojtja e burimeve të informacionit, si dhe mënyra se si gjykatat komunikojnë me median. Bushati theksoi se këto janë procese që marrin gjithnjë e më shumë vëmendje publike dhe mediatike, duke e bërë ndërveprimin midis gjyqësorit dhe medias një çështje komplekse dhe të ndjeshme. Bushati theksoi se fenomeni i padive SLAPP duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke marrë në konsideratë edhe sfidat që lidhen me platformat online dhe hapësirën dixhitale. Për këto arsye, po organizohet një konferencë e dedikuar për brezin aktual për studentët e magjistraturës, me qëllim trajtimin e kësaj tematike në të gjitha dimensionet e saj, nga mbrojtja e të drejtave themelore, deri te çështjet penale dhe administrative, si dhe aspektet procedurale që lidhen me të.

Ajo vuri në dukje se gjyqtarët dhe prokurorët janë gjithnjë e më të familjarizuar me këto çështje përmes praktikës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, dhe parimet e tyre mund të përdoren drejtpërdrejt në praktikën gjyqësore. Po ashtu, praktika e vendeve të tjera tregon se procesi i harmonizimit nuk është i thjeshtë dhe as i njëtrajtshëm. Ndërsa një ligj i posaçëm mund ta lehtësonte rregullimin e këtyre çështjeve, në praktikë gjyqtarët shpesh i referohen kodeve ekzistuese dhe janë të kujdesshëm ndaj ndryshimeve të thella procedurale. Në këtë kontekst, Bushati evidentoi se është e rëndësishme që debati të mos perceptohet si një qasje që mbron vetëm gazetarët apo vetëm një palë të caktuar, por si një përpjekje për të vendosur një ekuilibër. Në klimën aktuale, ku shpesh media dhe gjyqësori perceptohen si në tension me njëri-tjetrin, nevojitet një qasje më e balancuar dhe më konstruktive. Qëllimi është forcimi i besimit të ndërsjellë dhe krijimi i një raporti më funksional, ku gjyqësori të ushtrojë në mënyrë të pavarur dhe të qetë funksionet e tij procedurale, ndërsa media të ushtrojë rolin e saj informues pa u kufizuar në mënyrë të padrejtë.

Tedi Dobi, Zëvëndësministër i Drejtësisë, theksoi nevojën për të ruajtur një ekuilibër midis mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe garantimit të mbrojtjes për individët që mund të jenë viktima të deklaratave shpifëse. Ai argumentoi se instrumentet europiane në këtë fushë janë relativisht të reja, por ofrojnë mundësi të vlefshme për të mësuar nga praktikat dhe përvojat e vendeve të tjera europiane. Dobi e vendosi diskutimin mbi paditë SLAPP në kontekstin më të gjerë të debatit për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri, duke përmendur edhe diskutimet në lidhje me dekriminalizimin e plotë të shpifjes. Në Shqipëri, shpifja është dekriminalizuar dhe trajtohet tashmë në kuadrin e përgjegjësisë administrative dhe civile, me gjoba deri në rreth 10 milionë lekë në rastet më të rënda dhe rrethana rënduese. Ai gjithashtu informoi se institucionet përgjegjëse janë duke analizuar situatën aktuale dhe se synimi është që brenda vitit të hartohet një draft i konsoliduar ligjor, i cili të garantojë siguri juridike, por njëkohësisht të jetë i qartë dhe i zbatueshëm në praktikë. Kjo mbetet detyrë dhe sfidë njëkohësisht, që kërkon koordinim të ngushtë institucional dhe qasje të balancuar mes standardeve europiane dhe realiteteve kombëtare.

Gjatë diskutimeve të hapura me pjesëmarrësit, u trajtuan një sërë çështjesh që lidhen me menaxhimin gjyqësor të rasteve SLAPP, nevojën për trajnime të mëtejshme të magjistratëve, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rolin e shoqërisë civile në identifikimin dhe adresimin e rasteve të tilla. Gjithashtu, pjesëmarrësit diskutuan ndërlidhjen ndërmjet padive SLAPP, gjuhës së urrejtjes, pluralizmit të medias dhe mbrojtjes së hapësirës demokratike për pjesëmarrjen publike.

*Ky Grup Pune për Kapitullin 23 u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).