Grupi i Punës për Kapitullin 23 – Rregullimi i Lobimit në Shqipëri: Forcimi i Transparencës, Sfidat në Zbatim dhe Koordinim dhe Standardet Europiane, 22 maj 2026
Më 22 maj 2026 u zhvillua tryeza e parë institucionale mbi zbatimin e Ligjit nr. 12/2026 “Për Lobimin në Republikën e Shqipërisë”, organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Takimi u zhvillua në kuadër të Grupit të Punës për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat e Themelore, pjesë e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, të shoqërisë civile, akademisë, administratës publike, pushtetit vendor, etj.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), gjatë fjalës së tij hyrëse theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit, duke mos u ndalur vetëm në hartimin e tij. Sipas z. Gjipali, ky ligj i sapo miratuar është voluminoz, e për këtë arsye, ky takim do të shërbejë për të informuar mbi hapat e mëtejshëm mbi zbatimin e tij. Miratimi i ligjit shoqërohet me sfida dhe problematika, kryesisht të lidhura me advokimin e shoqërisë civile dhe dallimin e tij nga lobimi. Ai theksoi gjithashtu se zbatimi i këtij ligji kërkon kapacitete të reja administrative, si dhe rritje të ndërgjegjësimit publik dhe institucional.
Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, gjatë fjalës së tij, nënvizoi se megjithëse ligji është miratuar në përputhje me standardet e Këshillit të Europës dhe OECD-së, institucionet ndodhen ende në fazën e studimit dhe analizimit të tij. Më tej, z. Dervishi theksoi se lobimi duhet rregulluar sipas standardeve të qarta ligjzbatuese që ndikojnë në fushën e transparencës dhe etikës publike. Sipas tij, ligji synon të garantojë përputhjen e interesave private me interesin publik dhe të rregullojë ndërveprimin me nivelet e larta të vendimmarrjes. Ai theksoi se ligji kërkon standarde të forta të integritetit institucional, duke qenë se ai do të zbatohet për përfshirjen në veprimtari lobimi edhe të zyrtarëve të lartë publikë. Z. Dervishi shpjegoi rëndësinë e zbatimit të këtij ligji në praktikë, duke theksuar se, pavarësisht shkallës së vështirësisë, ka partnerë që mbështesin kapërcimin e sfidave, ku bashkëpunimi me shoqërinë civile shihet i rëndësishëm.Komisioneri bëri të ditur gjithashtu se ligji parashikon krijimin dhe publikimin e një regjistri të lobistëve, i cili do të jetë i aksesueshëm për publikun. Megjithatë, ai shtoi se ligji duhet parë jo vetëm nga aspekti përmbajtësor, por edhe nga pikëpamja strukturore, organizative dhe buxhetore, pasi kërkon burime të konsiderueshme njerëzore dhe financiare për zbatimin efektiv të tij. Qëndrimi i z. Dervishit reflekton përkushtim ndaj përmbushjes së l detyrimeve brenda afateve, me qëllim përafrimin e standardeve dhe pasjen e një qasjeje më europiane.
Znj. Emerlinda Pema, Drejtore e Monitorimit të Programeve të Transparencës pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, prezantoi detyrimet që sjell ligji për lobimin pas miratimit të tij nga Kuvendi më 28 janar 2026, si dhe botimin më 16 shkurt 2026. Ligji, ndër te tjera ka si objektiv garantimin e transparencës, integritetit, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes efektive të lobimit, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin në BE, si pjesë e Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës dhe Grupkapitullit I – Themeloret. Gjatë prezantimit, ajo paraqiti disa nga nenet kryesore të ligjit, duke sqaruar përkufizimet bazë të parashikuara në nenin 4, për të kuptuar se çfarë konsiderohet lobim dhe çfarë jo, dhe terma të tjerë si ““përfitues”, “zyrtar publik” dhe “marrëdhënie e strukturuar lobimi”. . Gjatë fjalës së saj, ajo sqaroi se veprimtari si kërkesat për të drejtën e informimit apo pjesëmarrja e hapur dhe transparente në proceset e konsultimit publik, publikimet e shkrimeve apo opinioneve në media, komunikimet mes partive politike apo ato ndërinstitucionale, aktivitetet edukative, akademike apo kërkimore në mënyrë të pavarur, etj., nuk kosiderohen lobim. Më tej, ajo u ndal te detyrimet e Zyrës së Komisionerit, e cila përveç shqyrtimin e kërkesave për t’u regjistruar si lobist në bazë të legjislacionit, do të administojë dhe publikojë regjistrin e lobimit, do të organizojë sesione informuese dhe monitorojë zbatimin e ligjit. Ajo bëri me dije se për këtë të fundit duhet të miratohen edhe shtatë akte nënligjore, ndër të cilat një nga më kompleksët lidhet me menaxhimin e situatave të konfliktit të interesit. Sipas znj. Pema, instrumenti që garanton transparencën është regjistri i lobimit, një bazë të dhënash elektronike, ku përditësimi i të dhënave duhet të realizohet rregullisht, me afat deri në pesë ditë pune nga data e depozitimit të dokumentacionit përkatës pranë KDIMDP-së. Këto të dhëna mbahen dhe administrohen nga zyra e Komisionerit, duke u publikuar paralelisht në faqen e tij zyrtare, në përputhje me parimet e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Znj. Pema i kushtoi rëndësi të veçantë edhe Nenit 5 mbi kushtet dhe kriteret detyruese që duhet të plotësojnë personat fizikë ose juridikë për të ushtruar veprimtarinë së lobimit. Ky nen parashikon raste ndaluese për ushtrimin e lobimit, veçanërisht për personat e dënuar për vepra penale, subjektet me probleme tatimore apo financiare dhe ata që nuk përmbushin detyrimet e raportimit dhe transparencës. Për sa i përket sfidave kryesore, ajo përmendi nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional me autoritete të tjera të përfshira në proces, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe nevojën për të paktën tetë punonjës të dedikuar për monitorimin dhe zbatimin e ligjit.
Znj. Klodiana (Tavani) Kosta, Drejtore Programesh pranë Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, vlerësoi se hartimi i ligjit “Për Lobimin” është një zhvillim i rëndësishëm për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies e për të garantuar integritetin në vendimmarrjen publike. Ajo theksoi se ky ligj pasqyroi shumë nga rekomandimet e mbledhura në tryeza dhe takime të ndryshme konsultuese, por nevojitet të diskutohen gjerësisht disa pika të tjera. Ajo ngriti shqetësime konkrete lidhur me mënyrën se si ligji e përkufizon dhe e shtrin fushën e zbatimit. Sipas saj, problemi qëndron në faktin se përkufizimi aktual i lobimit është tepër i gjerë dhe nuk bën dallimin e nevojshëm midis veprimtarive advokuese të organizatave jofitimprurëse, të cilat veprojnë në interes të qytetarëve, dhe lobimit që i shërben interesave private. Kjo mbivendosje, theksoi ajo, rrezikon të ngarkojë mbi shoqërinë civile detyrime burokratike dhe, mbi të gjitha, të dobësojë rolin e saj si zë legjitim në vendimmarje. Gjithashtu ajo nënvizoi nevojën e afateve të arsyeshme për detyrimin e raportimit nga zyrtarët publikë, të cilat nuk duhet të shërbejnë si pengesë për të dekurajuar interesin e zyrtarëve publikë për të qenë në kontakt dhe komunikim me lobistët apo dhe me aktorët e shoqërisë civile. Një element me rëndësi për t’u marrë në konsideratë sipas Kostës është edhe pjesa e sanksioneve, të cilat janë të nevojshme por duhet të jenë në proporcionalitet në varësi të shkeljeve dhe rëndësisë së tyre.
Michal Piško, Drejtor i Transparency International Slovakia, gjatë pjesëmarrjes së tij online, prezantoi situatën europiane lidhur me rregullimin e lobimit. Ai theksoi se vetëm 16 nga 27 vendet anëtare të BE-së kanë një ligj të dedikuar për lobimin. Piško shpjegoi se Sllovakia ende nuk ka një legjislacion të tillë, çka ka lejuar ndikimin e fshehur në vendimmarrje pa mbikëqyrje publike. Ai argumentoi se procesi duhet të menaxhohet nga një institucion i pavarur. Duke iu referuar rastit të Sllovakisë, ai përmendi se fillimisht ishte propozuar që Ministria e Brendshme të kishte këtë funksion, edhe pse është advokuar që ky rol t’i besohej zyrës së mbrojtjes së sinjalizuesve. Piško prezantoi edhe standardet ndërkombëtare për rregullimin e lobimit, sipas të cilave një sistem funksional duhet të përfshijë një regjistër të detyrueshëm dhe publik të lobistëve, një kod sjelljeje të detyrueshëm, si dhe publikimin e “gjurmës së lobimit”, pra informacionin mbi kushe kryen veprimtarinë e lobimit, për kë dhe për çfarë çështjeje. Nga praktikat europiane, ai solli shembullin e Çekisë, e cila miratoi ligjin për lobimin në korrik 2025, si pjesë e Planit të Rimëkëmbjes. Pas tetë muajsh zbatim, regjistri çek numëronte 621 lobistë dhe 2.310 zyrtarë publikë të përfshirë në proceset e lobimit. Megjithatë, ai evidentoi edhe dobësitë e këtij modeli, si mbikëqyrja nga një ministri e drejtuar politikisht dhe mungesa e gjurmëve të forta të lobimit. Piško paralajmëroi se mënyra sesi konceptohet ligji është vendimtare për efektivitetin e tij. Ai solli shembullin e Polonisë, ku një përkufizim shumë i ngushtë i lobimit ka sjellë regjistrimin e vetëm 19 lobistëve, ndërsa vende si Irlanda, Franca dhe Gjermania numërojnë mijëra regjistrime. Gjithashtu, ai identifikoi disa nga rreziqet kryesore që duhen shmangur, si fokusimi vetëm tek lobistët pa vendosur detyrime edhe për zyrtarët publikë, kontrolli politik mbi institucionin mbikëqyrës, përjashtimet e shumta dhe përdorimi i ligjit për të kufizuar veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse.
Gjatë diskutimeve të zhvilluara në tryezë, pjesëmarrësit ngritën çështje që lidhen me rolin e institucionit mbikëqyrës të lobimit, nëse ai duhet të ketë kompetenca proaktive dhe hetimore, si dhe sa vende anëtare të BE-së ia kanë besuar këtë rol një institucioni të pavarur. U diskutua gjithashtu koha e nevojshme për përgatitjen e duhur të administratës për zbatimin e ligjit, si dhe rëndësia e transparencës në deklarimin e lidhjeve të lobistëve me palë të treta dhe raportimin e të dhënave financiare.
*Ky Grup Pune për Kapitullin 23 u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



