Sesion Informimi – Aksesi në drejtësi, dixhitalizimi gjyqësor dhe politikat e sigurisë në kuadër të Kapitujve 23 dhe 24, 29 qershor 2026
Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) më 29 qershor organizoi një sesion informues në kuadër të përpjekjeve për të nxitur debatin profesional dhe shkëmbimin e informacionit mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Aktiviteti mblodhi së bashku autorë të Revistës Juridike Shqiptare (ALJ), përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile, botës akademike, profesionistë të drejtësisë dhe aktorë të tjerë të interesit.
Gjatë sesionit u prezantuan katër artikuj të botuar në Revistën Juridike Shqiptare, të cilët trajtuan zhvillime dhe prioritete të rëndësishme në kuadër të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore dhe Kapitullit 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria. Diskutimet u fokusuan në zhvillimin e ndërmjetësimit, ndihmën juridike falas, dixhitalizimin e sistemit gjyqësor dhe ngritjen e Observatorit Kombëtar të Drogave, duke evidentuar sfidat aktuale dhe rekomandimet për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional.
Sesioni u hap nga Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), i cili theksoi se qëllimi kryesor i krijimit të Revistës Juridike Shqiptare nuk ka qenë vetëm publikimi i artikujve, por krijimi i një hapësire për debat, reflektim dhe kërkim mbi çështje që kanë rëndësi për procesin e integrimit europian, por që shpesh nuk trajtohen mjaftueshëm në literaturën juridike apo në debatin publik. Ai nënvizoi se revista synon të ofrojë analiza cilësore dhe të kontribuojë në diversifikimin e tematikave të trajtuara, duke sjellë në vëmendje fusha ku informacioni dhe studimet janë ende të kufizuara. Sipas tij, vlera e artikujve nuk qëndron vetëm te publikimi, por edhe te mundësia që autorët të prezantojnë gjetjet e tyre në diskutime publike, ku rekomandimet mund të hidhen për diskutim dhe pasurohen përmes kontributit të institucioneve, ekspertëve dhe aktorëve të tjerë të interesit.
Në vijim, Adelina Hoxha, avokate dhe autore e artikullit “Ndihma juridike falas në perspektivën ligjore shqiptare”, shpjegoi se zgjedhja e kësaj teme buron drejtpërdrejt nga përvoja e saj profesionale dhe problematikat që qytetarët hasin në praktikë gjatë qasjes në drejtësi. Ajo evidentoi se një numër i konsiderueshëm qytetarësh heqin dorë nga ndjekja e proceseve gjyqësore për shkak të pamundësive ekonomike, ndërsa shumë pak janë në dijeni të mekanizmave që ofron ligji për përfitimin e ndihmës juridike parësore dhe dytësore falas. Sipas saj, edhe përjashtimi nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore nuk realizohet automatikisht, pasi individi duhet të paraqesë vetë kërkesën përkatëse, ndërsa vendimmarrja mbetet në vlerësimin e gjykatës. Ajo theksoi se përfitimi nga ndihma juridike nuk lidhet vetëm me nivelin e të ardhurave, pasi legjislacioni parashikon kategori që e përfitojnë atë pavarësisht gjendjes ekonomike, si viktimat e dhunës në familje, fëmijët në konflikt me ligjin, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera vulnerabël. Megjithatë, sipas saj, problemi kryesor mbetet mungesa e informimit. Qytetarët shpesh nuk janë në dijeni të së drejtës për të përfituar ndihmë juridike parësore apo përjashtim nga tarifat gjyqësore, ndërsa edhe orientimi nga vetë institucionet gjyqësore mbetet i kufizuar. Një tjetër sfidë lidhet me barrën administrative për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm, e cila rëndon mbi vetë aplikantin. Në diskutim u evidentua gjithashtu se sistemi përballet me vështirësi edhe në raport me avokatët që ofrojnë këtë shërbim. Pagesat dhe mënyra e organizimit të skemës nuk krijojnë stimuj të mjaftueshëm për profesionistët, duke ndikuar në motivimin dhe cilësinë e shërbimit të ofruar. Ajo theksoi gjithashtu dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, si dhe për organizimin e trajnimeve dhe fushatave të vazhdueshme të informimit.
Bora Totolaku, Specialiste e Kërkimit Ligjor, Dokumentacionit dhe Bibliotekës Dixhitale pranë GJKKO-së dhe autore e artikullit “Digjitalizimi i proceseve gjyqësore dhe menaxhimit të të dhënave – ndikimi në rritjen e aksesit në drejtësi”, prezantoi një analizë praktike mbi ndikimin e transformimit dixhital në sistemin gjyqësor. Ajo theksoi se aksesi në drejtësi nuk duhet kuptuar vetëm si e drejta për t’iu drejtuar gjykatës, por edhe si mundësia për të pasur akses efektiv në dokumentacionin gjyqësor, informacionin mbi çështjen dhe zhvillimin e procesit. Sipas saj, shumë pengesa administrative: si largësia gjeografike, pritjet e gjata apo nevoja për sigurimin fizik të dokumenteve, mund të adresohen përmes dixhitalizimit të proceseve gjyqësore. Ajo evidentoi tre përfitime kryesore të këtij procesi: uljen e kostove për qytetarët dhe profesionistët, rritjen e gjurmueshmërisë së proceseve dhe forcimin e transparencës dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor. Megjithatë, Totolaku theksoi se Shqipëria vazhdon të përballet me fragmentarizim të sistemeve elektronike të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, të cilat nuk komunikojnë plotësisht me njëri-tjetrin dhe nuk ofrojnë gjithmonë statistika apo të dhëna të sakta. Në këtë drejtim, krijimi i dosjeve elektronike dhe ndërlidhja automatike ndërmjet institucioneve do të përmirësonin ndjeshëm efikasitetin e sistemit. Nga ana tjetër, ajo nënvizoi se transformimi dixhital ka edhe kosto pasi kërkon investime të konsiderueshme financiare, ngritje të kapaciteteve njerëzore dhe garantim të standardeve të larta për mbrojtjen e të dhënave personale.
Genard Dylqeshi, Këshilltar Ligjor pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe autor i artikullit “Politikat kundër Drogave në kuadër të Kapitullit 24 të acquis të BE-së: Ngritja dhe funksionimi i Observatorit Kombëtar të Drogave – Rasti i Shqipërisë”, prezantoi zhvillimet më të fundit institucionale në këtë fushë. Ai shpjegoi se deri në vitin 2025 Shqipëria nuk kishte një strukturë të centralizuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave mbi drogën. Me krijimin e Observatorit Kombëtar të Drogave në korrik 2025 dhe mekanizmit të Paralajmërimit të Hershëm, vendi ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga Kapitulli 24 dhe standardet europiane. Megjithatë, ai theksoi se një nga sfidat kryesore lidhet me identifikimin dhe trajtimin e substancave të reja psikoaktive. Në praktikë, nëse një substancë nuk është identifikuar dhe klasifikuar zyrtarisht, ndjekja penale bëhet shumë më e vështirë, ndërkohë që këto substanca qarkullojnë gjithnjë e më shpesh në treg. Ai evidentoi gjithashtu ndryshimet në modelet e përdorimit të drogës në Shqipëri, ku përdorimi i heroinës është zëvendësuar gradualisht nga kokaina dhe substancat sintetike, duke sjellë sfida të reja për institucionet përgjegjëse. Në përfundim, Dylqeshi nënvizoi se, krahas forcimit të mekanizmave institucionalë, mbetet thelbësore rritja e ndërgjegjësimit publik dhe ndryshimi i qasjes ndaj varësisë nga droga, e cila duhet trajtuar si një problem shëndetësor dhe jo vetëm si çështje penale. Ai theksoi se stigmatizimi i personave me varësi vazhdon të jetë i lartë, jo vetëm në shoqëri, por edhe në disa raste nga vetë profesionistët që punojnë në këtë fushë, duke e bërë edhe më të vështirë rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
Në përmbyllje të sesionit u zhvillua një diskutim i hapur ndërmjet autorëve të artikujve, përfaqësuesve të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, akademisë dhe profesionistëve të fushës së drejtësisë. Pjesëmarrësit ndanë komente dhe reflektime mbi praktikat aktuale, duke theksuar nevojën për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe përfshirjen më aktive të ekspertëve dhe shoqërisë civile në proceset e reformave. Në diskutim u nënvizua gjithashtu rëndësia e Revistës Juridike Shqiptare si një platformë që jo vetëm promovon analiza cilësore mbi zhvillimet më të rëndësishme ligjore dhe institucionale, por edhe nxit debatin profesional mbi tema që shpesh mbeten pak të trajtuara në literaturën juridike shqiptare. U theksua se organizimi i sesioneve publike me autorët e artikujve i shton vlerë procesit të kërkimit, duke krijuar mundësi për shkëmbim të drejtpërdrejtë idesh, diskutim kritik dhe formulim rekomandimesh konkrete që mund të kontribuojnë në përmirësimin e politikave publike dhe avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
*Ky sesion informimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



