Tryeza për Kapitullin 23 – Shërbimet Dixhitale në Shqipëri në kuadër të procesit të negociatave – Qeverisja e DSA, të Drejtat Themelore dhe Koordinimi Institucional, 30 qershor 2026
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri , theksoi rëndësinë e organizimit të tryezave konsultative mbi zbatimin e legjislacionit europian në fushën e shërbimeve dixhitale, duke nënvizuar se kjo është një fushë që prek një numër të madh aktorësh dhe institucionesh. Ai vuri në dukje se, krahas detyrimeve që do të burojnë nga legjislacioni i ri, përfshirë Aktin për Shërbimet Dixhitale (DSA) dhe instrumente të tjera të BE-së që po përafrohen, është thelbësore krijimi i një dialogu të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve publike, autoriteteve rregullatore, sektorit privat, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të interesit. Gjithashtu, ai theksoi se diskutimet e zhvilluara në kuadër të tryezës synojnë jo vetëm shkëmbimin e informacionit dhe identifikimin e sfidave, por edhe hartimin e një seti rekomandimesh të përbashkëta që do të kontribuojnë në procesin e konsultimit, informimit dhe zbatimit të kuadrit të ri ligjor.
Gentian Sala, Kryetar i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), falënderoi organizatorët për bashkëpunimin dhe theksoi se procesi i integrimit europian e vendos Shqipërinë përballë sfidave të reja në rregullimin e hapësirës dixhitale. Ai nënvizoi se interneti dhe platformat online janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme dhe zhvillimit ekonomik, por njëkohësisht krijojnë sfida të rëndësishme në mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë. Në këtë kontekst, ai theksoi se Bashkimi Europian ka ndërtuar një kuadër të ri rregullator për platformat online, ndërsa Shqipëria duhet të përgatitet për zbatimin e tij. Sipas tij, sfidat lidhen jo vetëm me kapacitetet institucionale dhe burimet njerëzore, por edhe me kompleksitetin e procesit, veçanërisht për vende me përvojë më të kufizuar në këtë fushë. Ai evidentoi se zbatimi i DSA-së nuk mund të mbështetet vetëm te institucionet, por kërkon bashkëpunim të ngushtë me grupet e interesit dhe koordinim ndërinstitucional. Në këtë kuadër, ai prezantoi disa nga kompetencat aktuale të AKEP-it, si administrimi i domain-eve, kufizimi i aksesit në internet në rastet e parashikuara nga ligji dhe bashkëpunimi me institucione të tjera, si AMA, AKSK, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe autoritete të tjera kompetente. Ai theksoi rëndësinë e konsultimeve paraprake gjatë hartimit të legjislacionit, në mënyrë që sfidat dhe nevojat praktike të adresohen përpara miratimit të kuadrit përfundimtar.
Valbona Alikaj, Drejtore e Çështjeve Ligjore pranë AKEP, prezantoi kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e institucionit, duke u ndalur te Ligji nr. 54/2024 për komunikimet elektronike, i cili përafron legjislacionin shqiptar me Kodin Europian të Komunikimeve Elektronike dhe instrumente të tjera të BE-së. Ajo sqaroi se, megjithëse AKEP administron infrastrukturën dhe shërbimet e komunikimeve elektronike, institucioni nuk ka mandat ligjor për monitorimin e përmbajtjes online, edhe pse shpesh përballet me ankesa nga qytetarët. Për këtë arsye, bashkëpunimi me autoritete të tjera përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit, konkurrencën, mbrojtjen e të dhënave personale, sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e fëmijëve është thelbësor. Ajo shpjegoi se AKEP ndërhyn në aspektin teknik, përfshirë administrimin e domain-eve dhe kufizimin e aksesit në faqet mashtruese apo domenet që përdoren për phishing dhe mashtrime financiare, përfshirë rastet kur keqpërdoren emrat e institucioneve publike për të mashtruar qytetarët. Në vijim, znj. Alikaj u ndal te sfidat që lidhen me transpozimin e Aktit për Shërbimet Dixhitale (DSA), duke theksuar se ky instrument rrit përgjegjësinë e platformave online dhe synon forcimin e sigurisë dhe besimit të përdoruesve, me fokus të veçantë te mbrojtja e të miturve. Ajo theksoi se një nga çështjet kryesore mbetet përcaktimi i Koordinatorit të Shërbimeve Dixhitale në Shqipëri, duke ngritur diskutimin nëse ky rol duhet t’i besohet një autoriteti ekzistues apo një strukture të re. Në këtë kuadër, ajo paraqiti kriteret e përcaktuara nga DSA për këtë autoritet, duke përfshirë pavarësinë institucionale, autonominë financiare, kapacitetet njerëzore dhe ekspertizën teknike. Gjithashtu, ajo u ndal te roli i “trusted flaggers”, kompetencat e Koordinatorit për monitorim, hetim, raportim dhe vendosje sanksionesh, si edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të legjislacionit.
Altin Petre, Këshilltar në AKEP, e trajtoi Aktin për Shërbimet Dixhitale nga një këndvështrim praktik, duke theksuar se për pothuajse çdo të drejtë që DSA synon të mbrojë ekziston tashmë një autoritet kompetent në nivel kombëtar. Megjithatë, ai vuri në dukje se mjedisi dixhital krijon sfida të reja, pasi përmbajtjet online shpesh publikohen në platforma që nuk janë autore të tyre, duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësitë dhe mënyrën e rregullimit të këtyre aktorëve. Sipas tij, DSA synon pikërisht të adresojë këtë boshllëk, duke vendosur rregulla të qarta dhe përgjegjësi për platformat online edhe kur ato nuk janë krijuese të përmbajtjes. Më tej, ai theksoi se rregullimi i hapësirës dixhitale është më kompleks se ai i botës fizike, pasi interneti nuk njeh kufij shtetërorë dhe kërkon mekanizma të rinj bashkëpunimi. Në këtë drejtim, ai nënvizoi nevojën për investime të konsiderueshme në burime njerëzore, ekspertizë teknike dhe infrastrukturë teknologjike, si për autoritetet sektoriale ashtu edhe për Koordinatorin e Shërbimeve Dixhitale. Duke iu referuar përvojës së Bashkimit Europian, ai solli si shembull kapacitetet e ndërtuara nga Komisioni Europian, përfshirë ekipet e specializuara dhe bashkëpunimin me kompani të mëdha teknologjike si Apple dhe Meta, si modele që synojnë forcimin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve në hapësirën dixhitale.
Michaela Vanišová prezantoi gjetjet kryesore të punimit “Digital Services Act: Challenges and Opportunities for Albania”, i hartuar në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE). Ajo theksoi se dokumenti analizon kuadrin aktual ligjor dhe institucional të Shqipërisë në raport me kërkesat e Aktit për Shërbimet Dixhitale (DSA), duke evidentuar boshllëqet ekzistuese, sfidat e transpozimit dhe zbatimit, si dhe praktikat e ndjekura nga shtetet anëtare të BE-së. Prezantimi u ndal te nevoja për përcaktimin e një modeli të përshtatshëm institucional për koordinimin e zbatimit të DSA-së, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, ngritjen e kapaciteteve administrative dhe teknike, si edhe rëndësinë e konsultimit të vazhdueshëm me institucionet publike, shoqërinë civile, akademinë dhe sektorin privat gjatë procesit të përafrimit me acquis të Bashkimit Evropian. Punimi u prezantua si një dokument diskutimi, i cili synon të mbështesë debatin dhe formulimin e rekomandimeve konkrete për procesin e transpozimit dhe zbatimit të DSA-së në Shqipëri.
*Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



