Grup i Punës për Kapitullin 24 – Promovimi i kërkimit shkencor dhe thellimi i kurrikulave universitare mbi pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, 23 qershor 2026
Tryeza e diskutimit e organizuar në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian – Kapitulli 24 (Drejtësia, Liria, Siguria), iu kushtua promovimit të kërkimit shkencor dhe forcimit të kurrikulave universitare në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve publike, botës akademike, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës për të diskutuar rolin që arsimi i lartë, kërkimi shkencor dhe bashkëpunimi ndërinstitucional mund të luajnë në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian në kuadër të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në fjalën e tij hapëse, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi se procesi i integrimit europian kërkon jo vetëm përafrim legjislativ, por edhe zhvillimin e ekspertizës dhe kapaciteteve profesionale në fusha gjithnjë e më komplekse, si lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ai nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së botës akademike në procesin e negociatave, krahas institucioneve publike, sektorit privat dhe shoqërisë civile, duke evidentuar se pikërisht bashkëpunimi ndërmjet këtyre aktorëve krijon mundësinë për të zhvilluar politika më cilësore, analiza më të thelluara dhe rekomandime. Gjipali solli në vëmendje edhe rolin që Konventa Kombëtare për Integrimin Europian ka luajtur ndër vite në krijimin e një hapësire të qëndrueshme dialogu dhe në hartimin e rekomandimeve konkrete që përmblidhen në mënyrë periodike në Librin e Rekomandimeve të Konventës dhe shpërndahen te aktorët kryesorë si dhe monitorohet adresimi i tyre.
Sabiela Seitaj, Përgjegjëse e Sektorit të Koordinimit Institucional pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare, prezantoi zhvillimet kryesore në punën e AIF dhe sfidat që lidhen me procesin e negociatave për Kapitullin 24. Ajo theksoi se lufta kundër pastrimit të parave nuk mund të mbështetet vetëm në mekanizmat institucionalë, por kërkon koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe një partneritet më të fortë me sektorin privat, botën akademike dhe organizatat e shoqërisë civile. Në këtë kuadër, Seitaj evidentoi rëndësinë e Strategjisë për Edukimin e Publikut, e cila synon jo vetëm ndërgjegjësimin e qytetarëve, por edhe krijimin e hapësirave për kontribute profesionale dhe ekspertizë nga aktorë të ndryshëm. Ajo nënvizoi gjithashtu nevojën për organizimin e trajnimeve të përbashkëta dhe programeve të vazhdueshme të ngritjes së kapaciteteve, të cilat shërbejnë njëkohësisht për forcimin e bashkëpunimit institucional.
Në vijim, Skerdian Kurti, lektor në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, u ndal te rëndësia e trajtimit të pastrimit të parave si një fenomen kompleks me pasoja të gjera ekonomike, juridike dhe shoqërore. Ai theksoi se kjo vepër penale nuk mund të kuptohet vetëm nga këndvështrimi juridik, por kërkon një qasje ndërdisiplinore që kombinon njohuritë në fushën e së drejtës, ekonomisë, financës dhe teknologjisë. Sipas tij, ekziston një mungesë e dukshme e studimeve empirike dhe analizave akademike mbi çështje si konfiskimi i pasurive me origjinë kriminale, efektiviteti i masave parandaluese dhe ndikimi i tyre në shoqëri. Ai vuri në dukje se universitetet duhet të luajnë një rol shumë më aktiv në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në mbështetjen e institucioneve publike përmes ekspertizës, studimeve dhe programeve të specializuara të formimit profesional. Gjithashtu, ai vuri theksin te zhvillimet e reja, si kriptovalutat, asetet dixhitale dhe format moderne të transferimit të fondeve, që kërkojnë përditësimin e vazhdueshëm të kurrikulave universitare dhe krijimin e programeve të dedikuara për përgatitjen e specialistëve të kësaj fushe. Ai evidentoi ndër të tjera se një nga boshllëqet kryesore mbetet mungesa e një bashkëpunimi të institucionalizuar ndërmjet universiteteve dhe institucioneve përgjegjëse. Ndërsa bashkëpunime sporadike kanë ekzistuar, ai vlerësoi se është e nevojshme krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm për zhvillimin e praktikave profesionale, projekteve të përbashkëta kërkimore, konferencave shkencore dhe programeve të specializimit. Gjithashtu, ai theksoi dhe rëndësinë e rritjes së literaturës akademike në gjuhën shqipe dhe krijimit të një komuniteti ekspertësh që mund të kontribuojnë në procesin e hartimit të politikave publike dhe në projektet europiane në këtë fushë.
Gjatë diskutimit pjesëmarrësit theksuan se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, botës akademike, sektorit privat dhe shoqërisë civile është thelbësor për zhvillimin e ekspertizës, përmirësimin e politikave dhe adresimin efektiv të sfidave në fushën e pastrimit të parave. Aktiviteti shërbeu si një hapësirë për shkëmbimin e njohurive dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm, duke nënvizuar nevojën për investime të vazhdueshme në kërkim, edukim dhe ngritje kapacitetesh si pjesë integrale e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke tejkaluar thjesht procesin e informimit dhe ndërgjegjësimit.
*Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



