Panel Diskutimi – Kapërcimi i Sfidave në Rrugën e Zgjerimit të BE-së, 06 shkurt 2025, Bruksel

Më 6 shkurt 2025, në  Parlamentin Europian në Bruksel, u organizua një panel diskutimi organizuar nga Lëvizja Europiane Ndërkombëtare, Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe Lëvizja Europiane në Serbi. Eventi u fokusua te prioritetet dhe sfidat për valën e ardhshme të zgjerimit të BE-së, me një vëmendje të veçantë tek Shqipëria dhe Serbia. Rreth 100 përfaqësues nga institucionet e BE-së, organizatat e shoqërisë civile, partnerët socialë dhe think-tank-e puna e të cilëve lidhet me zgjerimin e BE-së, sundimin e ligjit, çështjet evropiane dhe Ballkanin Perëndimor morën pjesë në këtë event.

Aktiviteti u moderua nga Petros Fassoulas, Sekretar i Përgjithshëm i European Movement International (EMI), i cili mirëpriti pjesëmarrësit dhe falenderoi panelistët, duke shprehur pritshmëritë për diskutimin dhe mesazhet kryesore të përcjella nga ky aktivitet.

Vladimir Prebilič, Deputet i Parlamentit Europian nga grupi i të Gjelbërve/EFA, theksoi në fjalën e tij se BE-ja po përballet me një krizë besueshmërie. BE-ja nuk po përmbush premtimet e saj ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe rastet e përsëritura të vetove kanë shtuar zhgënjimin dhe pakënaqësinë tek vendet aspirante. Ai kërkoi një proces më të ndershëm dhe transparent nga ana e BE-së në komunikimin me këto vende. Nga ana tjetër, ai vlerësoi pozitivisht qasjen e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar Planin e Rritjes si një shembull konkret. Ky plan nuk është thjesht më shumë fonde, por sipas Prebilič, ai përfaqëson një investim për vendet që do të jenë së shpejti pjesë e BE-së, duke synuar të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e integrimit. Në fund, ai theksoi se zgjerimi i BE-së është një përpjekje kombëtare e vendeve anëtare dhe vendeve kandidate, që nuk duhet të mbahet peng nga elitat politike. Ai përfundoi fjalën e tij me mesazhin se është koha që Ballkani Perëndimor të jetë më pranë BE-së.

Dragana Djurica, Sekretare e Përgjithshme e European Movement Serbia, vuri në dukje se integrimi i Serbisë në familjen europiane mbetet fokusi kryesor i punës së European Movement dhe partnerëve të shoqërisë civile në vend. Këto organizata kanë punuar për vite për të avokuar që Serbia të bëhet një anëtare e BE-së me të drejta të plota. Megjithatë, ajo theksoi se, pavarësisht progresit në kapitujt ekonomikë, Serbia nuk ka përmbushur kriteret për çështjet themelore prej vitesh; përkundrazi, ka bërë hapa pas. Një tjetër problem që përmendi Djurica është mbështetja e ulët ndaj BE-së tek qytetarët serbë, si dhe mungesa e komunikimit mbi përfitimet e anëtarësimit në BE. Ndërsa qytetarët e grupmoshës 45-50 vjeç shfaqin një mbështetje më të lartë për integrimin (60% e tyre e mbështesin atë), dy të tretat e të rinjve nuk janë në favor të tij. Kjo përbën një paradoks, sipas saj pasi janë pikërisht të rinjtë ata që synojnë të shkojnë, të jetojnë, të punojnë dhe të studiojnë në BE dhe në shtetet anëtare.

Thomas Hagleitner, Shef i Njësisë për Strategjinë e Zgjerimit dhe Koordinimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore (ENEST) të Komisionit Europian, e nisi fjalën e tij duke thënë se “të gjithë përbërësit për zgjerim janë aty; nevojitet vetëm që të gjitha palët të ecin përpara.” Ai analizoi përfitimet e qasjes së integrimit gradual, duke vënë në dukje Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe fushat që mund të jenë të dobishme për të dyja palët, si Zona e Vetme Europiane e Pagesave (SEPA), marrëveshjet e roaming-ut dhe Tregu i Përbashkët Rajonal. Hagleitner theksoi se ky proces kërkon kohë—duke llogaritur se janë rreth 150 mijë faqe të Acquis të BE-së—por vuri në dukje se ekziston tashmë një konsensus i gjerë për zgjerimin. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së organizatave të shoqërisë civile përmes fondeve të BE-së, për të forcuar demokracinë dhe procesin konsultativ në vendet aspirante. Ai përfundoi duke theksuar se për t’u bërë pjesë e BE-së, kriteri themelor që duhet të plotësojnë vendet aspirante është të kenë institucione demokratike, një parlament funksional dhe një sector të fortë të shoqërisë civile.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i European Movement Albania, theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë shumë ngjashmëri, por ka edhe dallime mes tyre. Për shembull, në Shqipëri, mbështetja e qytetarëve për BE-në ka qenë në nivelin 90% gjatë 20 viteve të fundit. Ai shtoi se, megjithëse vendet e rajonit kanë kaluar në faza të ndryshme zhvillimi, kjo nuk është përkthyer në një ndikim pozitiv ku vendet më të avancuara të ndihmojnë të tjerat të përparojnë. Përkundrazi, ideja e zhvillimit rajonal të përbashkët ka shkaktuar vonesa, duke sjellë pasoja për vendet që ishin më përpara. Ai përmendi rastin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë—fillimisht, Maqedonia e Veriut priti Shqipërinë, pastaj Shqipëria priti Maqedoninë, duke krijuar një situatë që nuk ishte e favorshme për askënd. Gjipali gjithashtu theksoi se mekanizmi i votimit brenda BE-së ndikon në procesin e integrimit të rajonit. Megjithatë, ai nënvizoi që vendet të mos humbasin fokusin gjatë këtij procesi transformues dhe të ruajnë ritmin pozitiv. Ai nënvizoi se ky proces përfshin të gjithë shoqërinë dhe se sektori i shoqërisë civile ka një përgjegjësi të madhe për ta shpjeguar atë. Ndërkohë, Shqipëria nuk duhet të humbasë ritmin pozitiv të një qeverisje që është e gatshme të ecë përpara në këtë proces. Gjipali deklaroi se, bazuar në vullnetin politik të vendit, ka pasur raste kur Shqipëria ka bërë një hap përpara dhe dy hapa pas. Ai e përmbylli fjalën me mesazhin se ky proces duhet të shtyhet nga të dyja palët, ndërkohë që e ardhmja mbetet e pasigurt, pasi po jetojmë në një mjedis dinamik dhe me ndryshime të shpeshta, ku ka shumë pasiguri që vijnë jo vetëm nga armiqtë, por edhe nga miqtë.

Corina Stratulat, Drejtore e Programit të Politikave Europiane dhe Institucioneve në Qendrën për Politika Europiane, theksoi rolin e Procesit të Berlinit në përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ajo theksoi se është e rëndësishme që të dyja palët—institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare, si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor—duhet të bëjnë “detyrat e shtëpisë” dhe të kuptojnë se kanë më shumë të përbashkëta sesa dallime. Ajo deklaroi se si BE-ja, ashtu edhe Ballkani Perëndimor përballen me të njëjtat çështje në lidhje me vlerat thelbësore dhe sundimin e ligjit. Madje, këto vlera janë sfiduar edhe brenda BE-së, përfshirë të drejtat e njeriut, drejtësia, transparenca dhe korrupsioni. Prandaj, BE-ja duhet të tregojë kujdes që të mos bie në grackën e “hipokrizisë”—duke pretenduar se ndodhet në një vend më të mirë se të tjerët—sepse kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në besueshmërinë e saj me partnerët në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me vet qytetarët brenda Unionit.

Iliriana Gjoni, Analiste Kërkimore në Carnegie Europe, ofroi një kontekst të gjerë të rajonit të Ballkanit Perëndimor në lidhje me anëtarësimin e tij në Bashkimin Europian. Ajo vlerësoi se ky proces ka pasur mangësi për disa shtete, si Kosova, duke theksuar se procesi i zgjerimit të BE-së nuk bazohet realisht në kriteret e meritokracisë, por është kryesisht i ndikuar nga rezultatet e dialogut Prishtinë-Beograd dhe interesat rajonale. Procesi aktual për Maqedoninë e Veriut ka demonstruar gjithashtu se BE mund të jetë ndonjëherë e padrejtë ndaj shteteve që po kërkojnë anëtarësim. Maqedonia e Veriut tani është një viktimë e çështjeve dypalëshe që nuk lidhen drejtpërdrejt me përparimin e saj në plotësimin e kritereve të BE-së për anëtarësim. Kjo, sipas Gjonit, ndikon në besueshmërinë e BE-së, duke e dobësuar atë dhe rritur frustrimin dhe zhgënjimin ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe qytetarëve të tyre. Gjoni theksoi se BE-ja është një projekt i ndërtuar mbi të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, dhe këto vlera duhet të jenë thelbësore për procesin e zgjerimit të BE-së.

Paneli nxiti një shkëmbim dinamik idesh dhe perspektivash mbi sfidat dhe mundësitë e procesit të zgjerimit të BE-së, veçanërisht për Shqipërinë dhe Serbinë. Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi çështje kyçe si besueshmëria e BE-së, roli i shoqërisë civile, rëndësia e integrimit gradual dhe nevoja për procese anëtarësimi  transparent dhe të bazuar në merita. Debati theksoi si përparimin e arritur ashtu edhe pengesat që mbeten, përfshirë ndikimet politike, dinamikat rajonale dhe perceptimet ndaj BE-së.