Tryeza për Kapitullin 23: Adresimi i sfidave në zbatimin e së drejtës për informim: Mangësitë në kapacitetet institucionale, refuzimet e pajustifikuara dhe pengesat kryesore, 13 nëntor 2025

U zhvillua në Tiranë, më 13 nëntor, tryeza e diskutimit e organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Komisioneri për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, me fokus të drejtën për informim, sfidat institucionale dhe rolin e shoqërisë civile në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Takimi u hap nga Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, Gledis Gjipali, i cili u shpreh se ky takim ka rëndësi të veçantë në kuadër të procesit të integrimit europian, ku tashmë kemi një monitorim dhe vlerësim nga ana e BE-së lidhur me mënyrën dhe cilësinë e zbatimit të standardeve europiane në vendin tonë, jo vetëm në përkthimin e tyre në ligje, por edhe në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe në efektet që zbatimi sjell. Gjipali theksoi se futja e standardeve europiane në legjislacionin kombëtar nuk është një proces i thjeshtë, dhe se transpozimi i tyre kërkon angazhim të madh si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe përfshirje më të gjerë të aktorëve jo-shtetërorë dhe grupeve të interesit, përfshirë shoqërinë civile, akademinë, median dhe grupet e tjera relevante.

Elona Hoxhaj, Drejtore e Përgjithshme pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e vlerësoi takimin duke nënvizuar se këto forume shërbejnë jo vetëm për të ndarë arritjet dhe zhvillimet, por edhe për të identifikuar sfidat dhe problematikat në procesin e zbatimit. Ajo theksoi se informimi publik nuk është vetëm një detyrim i administratës, por një e drejtë që i përket çdo qytetari shqiptar. Duke iu referuar vlerësimit më të fundit të Komisionit Europian, Hoxhaj u shpreh se progresi në këtë fushë është përcaktues për ecurinë e integrimit europian, pasi e drejta për informim lidhet ngushtë me mirëqeverisjen dhe çështjet themelore. Hoxhaj vlerësoi ligjin e ri për të drejtën e informimit si një ndër më bashkëkohorët në botë, që jo vetëm transpozon standardet europiane dhe ndërkombëtare, por në disa raste edhe i tejkalon ato. Megjithatë, ajo theksoi se sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjit, duke qenë se Shqipëria ka vetëm 11 vite eksperiencë me këtë të drejtë, ndryshe nga shtetet e tjera europiane me traditë shumëvjeçare. Pas prezantimit të risive që sjell ligji i ri, ajo ndaloi te ndryshimi që bën përgjegjës çdo zyrtar të autoriteteve publike për dhënien e informacionit, dhe jo vetëm koordinatorët siç ishte ligji i kaluar. Sa i përket kërkesave për informim, Hoxhaj sqaroi se ato janë të shumta dhe të pandalshme, por sa më shumë transparencë të ketë dhe sa më shumë të dhëna të publikohen në faqen zyrtare nga vetë autoritetet, aq më pak kërkesa do të ketë. Sipas të dhënave të raportuara, gjatë vitit 2024 janë regjistruar rreth 12 mijë kërkesa për informim publik dhe rreth 1 000 ankesa pranë zyrës së Komisionerit. Shkaqet kryesore të mosdhënies së informacionit janë neglizhenca, ngarkesa e lartë në punë, apo justifikime të tilla si konfidencialiteti ose paqartësia e kërkesës. Hoxhaj theksoi se duhet vijuar puna për të forcuar kulturën e transparencës, si nga ana e institucioneve publike ashtu edhe nga qytetarët dhe grupet e interesit.

Ermelinda Pema Guri, Drejtore e Monitorimit të Programeve të Transparencës pranë Komisionerit, theksoi se e drejta për informim publik, ndonëse nuk ka një direktivë të veçantë në BE, është një e drejtë horizontale që ndikon në shumë fusha dhe kapituj. Ajo shpjegoi se në procesin e negociatave të Shqipërisë me BE-në, kjo e drejtë trajtohet kryesisht në Kapitullin 23, Kapitullin 10 dhe në Kriterin Politik, që lidhen me administratën publike, transparencën dhe mirëqeverisjen. Një element kyç sipas saj është transparenca proaktive, ku autoritetet publike janë të detyruara të publikojnë në mënyrë të rregullt Programin e Transparencës. Ajo nënvizoi se zbatimi i ligjit për kërkesat dhe ankesat për informim është një pjesë thelbësore e punës së Komisionerit dhe se dhënia e informacionit përbën një detyrë për çdo autoritet publik dhe zyrtar përkatës.

Pas prezantimeve institucionale, fjalën e mori Michal Piško, Drejtor i Transparency International Slovakia, i cili theksoi se rastet që do të ndante nuk ishin të gjitha pozitive, pavarësisht se Sllovakia është vend anëtar i BE-së. Ai shpjegoi se ndryshime të fundit në ligjin për të drejtën e informimit kanë sjellë regres, duke rritur afatin e përgjigjeve nga autoritetet publike në 12 ditë pune, pa një analizë paraprake që ta justifikonte këtë. Një tjetër sfidë që ai përmendi, është mungesa e një autoriteti të pavarur mbikëqyrës për këtë të drejtë në Sllovaki, ankesat trajtohen nga vetë institucionet apo përfundojnë në gjykatë, proces që mund të zgjasë deri në pesë vite. Ai shtoi se ndryshe nga Shqipëria, ligji sllovak përfshin edhe institucione publike si sigurimet shëndetësore, OJF-të apo kompanitë që përdorin fonde publike, të cilat janë të detyruara të japin informacion. Një rast suksesi që ai solli ishte publikimi i detyrueshëm i kontratave dhe faturave të organeve të pushtetit lokal, të cilat konsiderohen të vlefshme vetëm nëse publikohen online, si dhe krijimi i një regjistri shtetëror për kontratat publike të tyre që nga viti 2020.

Në diskutimin e hapur me pjesëmarrës nga shoqëria civile, akademia, mediat, studentë dhe koordinatorë të informimit publik, u trajtuan çështje si: dallimi mes dokumenteve që duhen publikuar dhe atyre që përjashtohen; komunikimi mes Komisionerit dhe autoriteteve publike; transparenca e institucioneve private që ofrojnë shërbime publike (si arsimi); dallimi midis neglizhencës dhe refuzimit të qëllimshëm të kërkesave për informacion; nevoja për dixhitalizimin e pyetje-përgjigjeve më të shpeshta; si dhe detyrimet për publikimin e informacionit në fushën e prokurimeve publike dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive.

*Kjo tryezë zhvillohet në kuadër të projektit Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC ve për procesin e anëtarësimit në BE , me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).