Grupi i Punës për Kapitullin 24 – Fuqizimi i Përgjigjes së Shqipërisë ndaj Krimit Kibernetik dhe Mbrojtjes së Fëmijëve në Internet: Përshtatja Ligjore dhe Kapacitetet Institucionale, 15 janar 2026

Krimi kibernetik dhe mbrojtja e fëmijëve online ishte tematika e takimit të Grupit të Punës për Kapitullin 24, të mbajtur më 15 janar 2026, organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, mbështetur nga Bashkimi Europian. Tematika e diskutimit solli interes të gjerë dhe pjesëmarrje të lartë duke bërë bashkë aktorë të shoqërisë civile, përfaqësitë e huaja në Shqipëri, përfaqësues të policisë dhe institucioneve të tjera të lidhura me çështjet e diskutuara, profesionistë të ligjit dhe medias.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi se në kuadër të procesit të anëtarësimit europian, Konventa Kombëtare për Integrimin Europian është një model bashkëpunimi dhe konsultimi midis  institucioneve shtetërore dhe aktorëve të shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit, dhe bën të mundur që profesionistë të fushës të sjellin ekspertizën dhe përvojën tyre, të kontribuojnë në formulimin e masave ligjore dhe zbatimin e tyre në përputhje me legjislacionin europian, në mënyrë që ky proces të jetë me kosto sa më të ulëta. Ai vuri theksin te rëndësia e çështjeve të Kapitullit 23 dhe 24, duke qenë se lidhen me sigurinë, drejtësinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht të fëmijëve. Përputhshmëria e plotë e tyre me standardet europiane dhe për rrjedhojë zbatimi është në dorën tonë e të çdo shteti që synon anëtarësimin dhe gjetja e instrumenteve që t’i shërbejnë sa më mire realitetit shqiptar dhe që e cojnë më tej procesin e anëtarësimit në BE është e vlefshme. 

Sokol Bizhga, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, vlerësoi thirrjen për bashkëpunime jo vetëm për diskutime të temave të tilla, por edhe për përafrimin me legjislacionin europian.  Ai bëri me dije se Policia e Shtetit është në vijë të parë në luftën kundër krimit, e sidomos për mbrojtjen e fëmijëve nga krimi. Ai u shpreh se ky institucion është i gatshëm të ndërmarrë veprime për mbrojtjen e fëmijëve nga krimet kibernetike, duke qenë në përputhshmëri me standartet e organizatave të rëndësishme në luftën kundër krimit si Interpol dhe me partnerët ndërkombëtarë dhe europianë. 

Suela Bonjaku, Shefe e Sektorit të Falsifikimit Kompjuterik dhe Aksesit të Paautorizuar në Njësinë e Krimit Kibernetik të Policisë së Shtetit, gjatë fjalës së saj nënvizoi se mbrojtja e fëmijëve është domosdoshmëri, pasi janë grupi më i pambrojtur t kryesisht në mjedisin online, ku kufiri mes argëtimit dhe rrezikut është i padukshëm. Ajo u shpreh se krimi sot vjen si një normalitet, si ‘friend request’, si link që premton dhurata, por si qëllim ka të cenojë privatësinë, sigurinë dhe dinjitetin e një fëmije. Ajo theksoi se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike prej kohësh ka në qendër të objektivave të saj parandalimin e veprave të mundshme penale në internet, hetimin, zbulimin dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë, një proces i gjatë, që është përballur me sfida si: ngritja e kapaciteve, ndërtimi i strukturave dhe krijimi i metodave të funksionimit, të cilat jo gjithmonë kanë qenë efektive. Ajo shtoi se pornografia me të mitur në internet është nje sfidë jo vetëm për Policinë e Shtetit, por problem shoqëror dhe kombëtar, pasi pedofilët janë përdoruesit më të sofistikuar të internetit, duke e bërë ndjekjen shumë të vështirë, dhe në këtë kontekst Bonjaku theksoi nevojën për ndërgjegjësim, specializim dhe punë të përditëshme. Si pjesë e masave të marra në ndihmë të të miturve dhe për të rritur kapacitetet  e mbledhjes së provave dhe zbardhjes së ngjarjeve kriminale, në vitin 2023, është krijuar një sektor i veçantë për hetimin e pornografisë me të mitur në internet, duke treguar  rritjen e trajtimit  të  këtij fenomeni jo më si incident,  por si rrezik serioz që kërkon dedikim, kohë, burime dhe specialistë. Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, ata strategjikë dhe marrëdhënien e drejtpërdrejtë me platformat e rrjeteve sociale si TikTok. Ndër masat e marra, Bonjaku përmendi se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka akses në kanalin e raportimit TikTok për përfshirjen e përmbajtjeve të jashtëligjshme, duke mundësuar reagim më të shpejtë dhe efikas në rastet e bullizmit, keqpërdorimit dhe rastet e shpërndarjes së materialeve të jashtëligjshme në këtë platformë. Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar është vendosur pika e kontaktit 24/7 për shkëmbimin e informacionit si dhe në bashkëpunim me projektin suedez, janë trajnuar punonjësit e policisë të vendosur nëpër shkolla. Në përfundim, ajo sugjeroi edukimin e hershëm të fëmijëve për rreziqet që u kanosen kombinuar dhe me rritjen e ndërgjegjësimit të prindërve dhe stafit mësimor në shkolla që të jenë më të mirëinformuar. 

Róbert Bohunický, Specialist kundër Falsifikimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sllovaki, shpjegoi se në rastin e Sllovakisë, ekziston një njësi e veçantë e krimit kibernetik, e themeluar në vitin 2013, me kompetencë kombëtare dhe me objektiv arritjen e standarteve të institucioneve të vendeve të tjera anëtare të BE-së, si dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare në fushën e krimit kibernetik. Kjo njësi ndahet në dy departamente, përkatësisht “Departamenti i Investigimit dhe Ekspertizës” dhe “Departamenti i Zbulimit”, me një staf total prej 30 punonjësish. Që nga viti 2015 ata kanë një bashkëpunim të ngushtë, ku vijojnë të raportojnëonline materialet e rasteve të abuzimit të fëmijvë te Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC). Gjithashtu, që nga viti 2022, kjo njësi është përgjegjëse për investigimet e aktiviteteve të ndryshme kriminale dhe ofron metodologji dhe ndihmë të specializuar për njësitë e tjera të policisë në të gjithë territorrin e Republikës së Sllovakisë në zbulimin e krimeve kompjuterike dhe atyre që realizohen duke përdorur sistemet kompjuterike:si keqpërdorimi i të dhënave personale, mashtrimet, hakerimet, etj. Ai u ndal gjithashtu në detyrat specifike të kësaj njësie si: analizimi i të dhënave dhe imazheve, verifikimi dhe vlerësimi i informacionit të marrë jashtë vendit dhe nga departamente të policisë brenda kufijve shtetërorë, procesimi i raporteve, analizave, regjistrimeve dhe statistikave NCMEC, bashkëpunimi ndërkombëtar me Europol, Interpol, departamentet partnere të shteteve të tjera europiane si dhe me ministritë vendase, organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin privat. Ai tha se zbulimet e rasteve të krimeve kibernetike përgjithësisht vijnë nga raportimet NCMEC, informacionet nga ICSE, Europol, NCA, FBI si dhe nga raportimet kriminale dhe aktivitetet operacionale nga forcat e policisë. Ai renditi 10 platformat më të përdoruara të krimeve kibernetike sipas raportimeve të NCMEC në Sllovaki, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me këto platforma për shkëmbimin e shpejtë dhe efektiv të informacionit. Gjatë prezantimit të tij, ai theksoi se në eksperiencën e Sllovakisë, rëndësi të madhe në menaxhimin e krimit kibernetik dhe mbrojtjes së fëmijëve online ka pasur edukimi përmes rrjeteve sociale duek targetuar jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit dhe gjyshërit (rrjeti Facebook mbetet rrjeti më i përdorurnga kjo gjeneratë) , krijimi i reklamave të ndryshme të transmetuara në televizionin kombëtar dhe ngritja e platformave online që janë në gatishmëri për të ndihmuar këdo që ndihet i kërcënuar nga krimi kibernetik. Ai prezantoi dy nga platformat më të përdoruar për informimin dhe  mbështetjen për viktimat e krimit kibernetik si www.ovce.sk dhe www.ochranma.sk. Një nga sfidat me të cilat po përballet Sllovakia është numri në rritje i kërcënimeve online dhe ulja e burimeve njerëzore. Për Shqipërinë, ai sugjeroi bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare, si ICSE, Europol, FBI, NCA, ndërtimin e kapaciteteve si burimet njerëzore dhe pajisjet, funksionimin e një sektori 24/7, përfshirjen e sektorit privat, bashkëpunimin mes tyre të institucioneve shtetërore dhe pjesëmarrjen në projekte të ndryshme ndërkombëtare. 

Gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit, u ndanë detaje të tjera nga eksperti sllovak, mbi  marrëdhëniet dhe aksesin në platformat më të përdorura si TikTok dhe Meta. Nga grupet e shoqërisë civile u rekomandua ngritja e një baze të dhënash kombëtare të rasteve të abuzimit të fëmijëve, përditësime në legjislacionin penal për të përfshirë bullizimin si vepër penale, ndërtimi i instrumenteve mbështetëse për viktimat dhe ndërmarrja e aktiviteteve për ndërgjegjësimin e qytetarëve.