EuroSpeak- Konferenca Përmbyllëse, 12 maj 2021
Më 12 maj 2021 u organizua Konferenca Përmbyllëse e Revistës “EuroSpeak”. Kjo nismë e marrë në 2011 e fokusuar te çështjet e BE-së u transformua në 2014 në një portal të mirëfilltë online ku gazetarë, studiues, lektorë, hulumtues, studentë dhe individë të tjerë të interesuar gjetën hapësirën e nevojshme për të publikuar punët e tyre. Gjatë periudhës janar 2020-maj 2021, EuroSpeak është mbështetur nga Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Gjatë kësaj kohe janë publikuar më shumë se 100 artikuj dhe 10 video në gjuhën shqipe. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte mbledhja e të gjithë autorëve të EuroSpeak me artikuj ose video, partnerëve dhe bashkëpunëtorëve të ndryshëm për të vlerësuar arritjen e objektivave dhe për të nxitur mendimin kritik dhe idetë e reja. Në këtë event morën pjesë 50 të ftuar dhe në një diskutim joformal ndanë eksperiencat mes tyre.
Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane përshëndeti pjesëmarrësit dhe tha se EuroSpeak është projektuar për të përcjellë tek publiku në një gjuhë më të lexueshme çështjet shpeshherë teknike të procesit të integrimit europian dhe zhvillimeve në BE, duke synuar zvogëlimin e hendekut informativ mbi tema të tilla.Ai falenderoi autorët për kontributin e tyre dhe i ftoi ata të bëhen pjesë e thirrjeve të tjera.
Klotilda Tavani Kosta, Drejtore e Programeve, Partnerët për Ndryshim dhe Zhvillim në Shqipëri shprehu kënaqësinë e saj për bashkëpunimin e deri tanishëm dhe tha se PA është gjithmonë e hapur për të mbështetur iniciativa të ngjashme.
Besar Likmeta, Kryeredaktor i Reporter.al, BIRN Shqipëri u shpreh se EuroSpeak është një hapësirë e ndarjes së ekspertizës. Ai bëri me dije se kjo është një sfidë për transformimin e dijes së thjeshtuar lidhur me transmetimin e informacioneve mbi procesin e integrimit Europian me shpresë që kjo do të reflektohet dhe në median tradicionale.
Blendi Salaj, Producent/Gazetar në A2 CNN Shqipëri tha se media sot ka shumë nevojë për mendimin kritik, kjo jo vetëm si mungesë e profesionalizmit por edhe për mungesë fondesh. Ai tha se aksesi në media dhe hapësira në të është tejet e rëndësishme pasi sot ka mbaruar fuqia e mediave të mëdha. Të gjitha nevojat për marrjen e informacionit janë zëvëdësuar nga telefoni. Muri i madh kinez- ndarja mes gazetarisë, redaksisë dhe shitjeve është një ndarje e shenjtë sepse sot lajmi është dhe lajm dhe reklamë duke humbur sensin e së vërtetës. Salaj u shpreh se një media e mirë është një media e pavaruar nga interesat ekonomike.



