EuroSpeak: ‘Shqipëria dhe Shteti i së Drejtës’, 28 qershor 2021
U mbajt më 28 qershor 2021 aktiviteti i gjashtë i ciklit të aktiviteteve informuese që po zhvillohen në kuadër të EuroSpeak. Këtë herë fokusi ishte te ‘Shqipëria dhe Shteti i së Drejtës’ duke analizuar ecurinë e vendit tonë në këtë kontekst.
Klodiana Beshku, Pedagoge në Universitetin e Tiranës vlerësoi punën e bërë për EuroSpeak dhe e filloi fjalën e saj mbi integrimin europian të Shqipërisë nga pengesa e Bullgarisë për fillimin e Konferencës Ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ajo tha se shtetet luajnë një rol të rëndësishëm në vendimmarrjen politike duke marrë si shembull Francën e cila promovon thellimin e zgjerimit të BE-së në kundërshtim me Mbretërinë e Bashkuar që ka mbështetur zgjerimin e menjëhershëm. Beshku tha se Gjermania në këto lloj marrëdhëniesh luan një rol balancues. Më tej, ajo u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor paraqesin të njëjtat problematika me fenomene si:
- Kapja e shtetit – institucionet shtetërore dhe aktorët ndërmjetësues, si partitë politike ose parlamentet, merren peng apo depërtohen nga rrjete klienteliste të cilat u japin një lustër zyrtare mënyrave të tyre jozyrtare të marrjes së vendimeve, përfshirë praktikat korruptuese
- Klientelizmi politik – partitë politike u ofrojnë qytetarëve shërbime (mbështetje, favorizime, vende pune) në këmbim të benefiteve prej tyre (votave)
- Demokratizmi fasadë – u referohet rasteve kur qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërmarrin reforma vetëm formalisht, duke i ndryshuar rregullat e ligjet siç kërkohet nga BE-ja, por pa ndryshuar praktikat e punës në vend
Në përfundim, ajo shtoi se vazhdimi me negociatat mbart ne vetvete një paradoks sepse BE do të na kontrollonte më mirë po të ishim pjesë e unionit sesa tani.
Daniel Prroni, Koordinator projektesh pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit foli për Parimin e Kushtëzimit në BE dhe Metodologjinë e Re të Zgjerimit. Ai u shpreh se ky parim nuk është koncept i ri në politikë dhe tregon qartazi dinamikën mes palëve dhe dëshirën për të mbizotëruar mbi njëra-tjetrën. Prroni shpjegoi në mënyrë të detajuar fazat e zgjerimit të Bashkimit Europian duke thënë se për vendet si Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe Danimarka nuk pati kushte paraprake. Në rastin e integrimit të Europës Juglindore u kërkua demokracia pluraliste dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Ekonomia e tregut do të adresohej pas anëtarësimit të tyre. Me Kriteret e Kopenhagenit pati një reformim në politikën e zgjerimit dhe si mjet kryesor u përdor Parimi i Kushtëzimit. Ai tha se së fundmi, ky parim i shoqëruar me disa sanksione po vihet në zbatim edhe për vende brenda BE-së (Poloninë dhe Hungarinë). Anëtarësimi në BE nuk i ka motivuar liderët e këtij rajoni për të ndërmarrë reforma dhe se vendet e dobëta kanë më shumë kushte. Në këto vende përparimi drejt anëtarësimit të BE po shërben më tepër për të legjitimuar grupet në pushtet. Së fundmi, Prroni foli për balancat në rajon dhe faktorët sfidues të BE-së. Ai bëri me dije se kushtëzimi duhet të plotësohet me fuqizim të synuar të institucioneve vendase.
Sabina Babameto, Asistente Projekti pranë zyrës në Shqipëri të NDI foli për financimin e partive politike. Ajo u shpreh se edhe pse ato janë entitete me autonomi, ka lindur nevoja për të rregulluar mënyrën e tyre të financimit. Shtetet kanë vendosur mekanizma kontrolli sepse:
*parandalojnë partinë në pushtet të përdorë burime publike – qofshin këto njerëzore, financiare apo logjistike – për të mbështetur fushatën e saj zgjedhore në një mënyrë që do t’i krijonte përparësi të padrejtë.
* krijojnë një “fushë loje” të barabartë: të gjitha palët i nënshtrohen të njëjtave dispozita ligjore që rregullojnë qasjen e tyre në burimet e financimit, ku rëndësi të veçantë merr financimi nga fonde private.
* mund të sigurojnë më shumë barazi për gratë, por edhe për grupet e tjera të nënpërfaqësuara, sa i përket aksesit në burime për të financuar fushatat e tyre.
* zvogëlojnë hapësirat për abuzim me burimet publike, korrupsion dhe financim të fushatave me para të paligjshme.
Babameto bëri me dije se në raportin e fundit të Komisionit Europian përcaktohej se në Shqipëri mungon zbatimi efektiv dhe cilësor i ligjit. Ajo tha se përmbyllja e reformës zgjedhore pasoi ndryshime në kodin zgjedhor, KQZ doli institucion i riformatuar dhe rregullator kyç për monitorimin e subjekteve zgjedhore. Kodi Zgjedhor përcakton burime publike dhe private financimi. Ajo shtoi se financimi nga fondet private është më problematik dhe përveç tavanit mbi donacionet, të huajt nuk mund të financojnë subjekte shqiptare. Gjithashtu bëhet një identifikim i donatorëve dhe vendoset një limit mbi shpenzimet që mund të kryejë një parti politike. Financat politike janë shumë të rëndësishme sepse i shërbejnë parimit të llogaridhënies dhe shtojnë besimin e qytetarëve të qeverisja, demokracia dhe institucionet.
Diskutim i hapur: Pyetjet u ngritën mbi perspektiven europiane të të rinjve shqiptarë, ndikimin e kushtëzimit te ndryshimi i sjelljes së shteteve dhe te adaptimi fasadë i vlerave.



