EuroSpeak:“Progresi i Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 23”, 29 prill 2021

Më datë 29 prill EuroSpeak organizoi online aktivitetin informues me fokus “Progresi i Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 23” Ky ishte aktiviteti i pestë informues i EuroSpeak, pjesë e ciklit të aktiviteteve që po mbahen gjatë periudhës Janar – Maj 2021. Secili aktivitet trajton disa nga çështjet më me rëndësi që janë evidentuar nga autorët kontribues në EuroSpeak. Mundësimi i këtyre aktiviteteve bëhet nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).

Aktiviteti u moderua nga stafi i EuroSpeak i cili në hyrje të aktivitetit dha informacion mbi EuroSpeak – revista e parë në Shqipëri e cila sjell te publiku në një gjuhë më të thjeshtë analiza cilësore dhe të pavarura në lidhje me çështjet e BE, dhe disa statistika mbi artikujt e botuar në këtë revistë në vite.

Jetnor Kasmi, ekonomist i zhvillimit, foli për parakushtet që Shqipëria duhet të përmbushë para konferencës ndërqeveritare. Gjatë prezantimit të tij, Kasmi bëri një krahasim të progres raportit gjatë periudhës 2019-2020. Ai dha disa shembuj për sa i përket Kapitullit 23, për të drejten e jetës, duke konstantuar se Shqipëria ratifikoi një marrëveshje bashkëpunimi me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) duke ndihmuar kështu në identifikimin e disa prej vikitimave të zhdukur gjatë regjimit komunist të Shqipërisë. Ai shtoi se pavarësisht se Shqipëria ka ratifikuar pjesën më të madhe te Konventave Ndërkombëtare, problemi kryesor konsiston në faktin se gjyqtarët dhe prokurorët kanë fjalën e fundit në këtë proces, gjë që sjell mosbesim të dukshëm tek gjykatat në Shqipëri.

Dr. Ardita Buna, pedagoge pranë Universitetit Mesdhetar të Tiranës, u përqëndrua tek ndryshimet kushtetuese në vend si pasojë e lëvizjeve politike dhe ngjarjeve në parlament. Buna përmendi dy ndryshimet kryesore që bëhen në nenin 64 i cili përcakton sistemin politik. Ajo përmendi ndryshimet e shumta që ka pësuar sistemi politik në Shqipëri duke theksuar sistemin e miratuar në vitin 1998, si më të mirin nga të gjithë sistemet e tjera në vend. Gjithashtu, ajo shtoi se si pasojë e pragut elektoral shumë të lartë dhe polarizimit të fortë të dy forcave të mëdha politike në vend, njerëzit nuk kanë shumë mundësi dhe alternativa zgjedhjesh. Për sa i përket ndryshimeve të fundit, Buna theksoi se vota preferenciale per kandidatët në listë arriti të ketë pëlqyeshmëri shumë të madhe publike si edhe duhet përgëzuar si iniciativë pasi hap rrugë për konsultime të mëtejshme. Ajo përfundoi duke shtuar se ndryshimet në Kushtetutë nuk duhen kryer në bazë të interesave dhe përfitimeve politike.

Dr. Dorina Ndreka Asllanaj, lektore pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”në Durrës, adresoi bashkëpunimin gjyqësor Shqipëri- BE. Ky bashkëpunim siguron lirinë e lëvizjes së katër elementëve kryesorë si: kapitali, mallrat, shërbimet dhe njerëzit, si edhe ka objektiv kryesor shmangien e pengesave ndërmjet sistemeve juridike kombëtare. Ndreka gjithashtu foli edhe për përdorimin e sistemit të teknologjisë dhe informacionit për procedurat  gjyqësore, duke ndryshuar kështu vetëm mënyrën sesi realizohet procedura përpara, gjatë ose në përfundim të procesit të dorëzimit të kërkesë-padive. Ajo theksoi se përdorimi i teknologjisë në gjyqësor do të sillte lehtësira të nevojshme duke ulur kështu koston, rritur transparencën dhe efikastietin e procesit, siguruar akses të shpejtë etj. Në Shqipëri është bërë progress për sa i përket qeverisjes elektronike, por ka ende vend për përmirësim në sistemin gjyqësor. Ndreka gjykon se portali e-justice, i krijuar në nëntor të vitit 2008 dhe menaxhuar nga Komisioni Europian. do të ishte një mundësi e mirë për Shqipërinë që të rrisë bashkëpunimin gjyqësor për çështjet civile dhe penale me BE. Ajo përfundoi duke shtuar se qendron nevoja për të koordinuar politikat kombëtare me ato të BE-së duke lehtësuar kështu bashkëpunimin gjyqësor me BE-në.

Diskutime u ngritën mbi efikasitetin e procesit të identifikimit të viktimave të regjimit komunist si edhe për cështjen e mos implementimit të teknologjisë së informacionit në sistemin gjyqësor duke u paraqitur kështu si një pamundësi jo vetëm monetare por edhe  mos angazhim për një investim të duhur teknik.

EuroSpeak:“Progresi i Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 23”