Forum Diskutimi – Masa sigurie, privatësi dhe mbrojtje në Shqipërinë e së nesërmes, 8 korrik 2025

Më 8 korrik 2025,  u mbajt forumi i radhës i diskutimit me fokus çështjet e Kapitujve 23 dhe 24, e organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA). Qëllimi i forumit ishte nxitja e  dialogut mbi sfidat dhe përparësitë në fushën e drejtësisë, të drejtave themelore dhe sigurisë, në përputhje me standardet e BE-së. Nën moderimin e gazetares Denisa Pasholli, diskutimet u mbështetën në gjetjet dhe rekomandimet e katër artikujve të përzgjedhur për publikim në  Revistën Juridike Shqiptare (ALJ), krijuar nga EMA. 

Në fjalën e saj hapëse, Denisa Pasholli, Gazetare në A2CNN, u shpreh se shpesh dëgjojmë që ligjet janë të mirëformuluara dhe kanë një bazë të fortë përmbajtësore, por zbatimi i tyre mbetet i vështirë dhe përballen me sfida të mëdha. Përmes katër artikujve të përzgjedhur nga Revista Juridike Shqiptare, ajo nxori në pah qëllimin e këtij diskutimi, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të gjendjes aktuale dhe të kuptuarit nëse jemi afër apo më larg standardeve të Bashkimit Europian. Pasholli nënvizoi gjithashtu se, përtej këtij forumi, realizimi i artikujve të tillë analitikë dhe ligjorë në këtë revistë ofron mundësinë ekspertëve të ndajnë qasjet e tyre, analizën dhe rekomandimet mbi tema të ndryshme, duke përfshirë reformat që janë ndërmarrë dhe përpjekjet që lidhen me procesin e integrimit europian. Temat e trajtuara, masat dispropocionale të marra nga gjykatat shqiptare, lufta kundër krimit kibernetik, siguria financiare, të drejtat e njeriut dhe migracioni, përfaqësojnë çështje kyçe dhe të rëndësishme që janë edhe pjesë e këtij diskutimi. 

Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipër (EMA), në fjalën e saj përshëndetëse solli në vëmendje që nëpërmjet projektit tre-vjeçar të mbështetur nga Bashkimi Europian, po bëhet i mundur një kombinim zinxhir mes thirrjeve për artikuj në Revistën Juridike Shqiptare dhe realizimin e forumeve të diskutimit si hapësirë ku autorë të përzgjedhur për publikim në Revistën Juridike Shqiptare ftohen të ndajnë analizën dhe ekspertizën e tyre në një format diskutimi dhe dialogu me përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë dhe profesionistë, hulumtues dhe akademikë, por edhe gazetarë. Deliu theksoi që interesi dhe aplikimet për artikuj në Revistën Juridike Shqiptare ka qenë në rritje pas çdo thirrjeje, ku në thirrjen e fundit kanë ardhur më shumë se 35 propozime për artikuj, ku janë përzgjedhur rreth 15 prej tyre. Në përfundim ajo bëri thirrjen për t’u përfshirë në këto mundësi, duke theksuar që tani është momenti i nevojshëm për të vlerësuar zhvillimet sidomos në ato çështje që cilësohen si themelore në mënyrë kritike dhe objektive, dhe për t’i diskutuar ato në këto forume të hapura.   

Armand Braho, Gazetar dhe Lektor, dhe njëkohësisht autor i artikullit “Disproporcionaliteti në caktimin e masave të sigurimit personal në gjykatat shqiptare: Përdorimi i shpeshtë i paraburgimit për vepra me rrezikshmëri të ulët, në vend të masave alternative – Rast studimi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë”, e nisi analizën e tij mbi dy aspekte thelbësore të sistemit të drejtësisë shqiptare. Së pari, ai shqyrtoi nëse ky sistem karakterizohet më tepër nga tipare restauruese apo ndëshkuese, dhe, së dyti, vlerësoi nëse masa e arrestit për burg, e cila përdoret në norma mjaft të larta, është e justifikueshme, duke mos marrë parasysh në mënyrë të mjaftueshme rrethanat dhe faktorët përkatës që mund të ndikojnë në caktimin e saj. Braho theksoi se një nga shqetësimet më të mëdha në sistemin penitenciar shqiptar është mbipopullimi i burgjeve, i cili lidhet ngushtë me praktikën e arrestimeve të shumta dhe dënimeve me burg, sidomos për vepra me rrezikshmëri të ulët. Ai nënvizoi se në shumë raste, praktika gjyqësore në Shqipëri shpesh anashkalon mundësitë për zbatimin e masave alternative të dënimit, duke çuar në një ngarkesë të panevojshme të sistemit të drejtësisë dhe të burgjeve. Përdorimi i masës së paraburgimit, i cili është raportuar si praktikë e zakonshme, është një prej faktorëve kryesorë që kontribuon në këtë situatë alarmante. Në mbështetje të këtij pohimi, Braho paraqiti një seri të dhënash dhe statistikash të mbledhura nëpërmjet kërkesave për informacion, që i janë drejtuar gjykatave të vendit, për të ilustruar abuzimin me masën e “arrestit me burg”. Në veçanti, ai evidentoi një tendencë shqetësuese në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, ku më shumë se 45% e rasteve të shqyrtuara janë trajtuar me këtë masë, përfshirë këtu edhe vepra penale që, në rrethana të tjera, mund të ishin trajtuar me masa më të buta, siç janë shërbimi i provës apo dënimi me kusht. Në përfundim të fjalës së tij, Braho ofroi një sërë rekomandimesh për përmirësimin e situatës, përfshirë nevojën për forcimin e kapaciteteve profesionale të magjistratëve dhe stafit gjyqësor përmes trajnimeve të avancuara, të cilat duhet të fokusohem në praktikat më të mira për caktimin e dënimeve dhe përdorimin e masave sigurie, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me garancitë për respektimin e të drejtave të njeriut.

Irena Staka, Koordinatore, Drejtoria e së Drejtës Penale dhe Civile, Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit, Ministria e drejtësisë dhe autore e artikullit “Legjislacioni Penal mbi Krimin Kibernetik: Harmonizimi me Konventën e Budapestit dhe Acquis e BE-së”, gjatë fjalës së saj, theksoi rëndësinë e luftës kundër krimit kibernetik, duke e cilësuar si një nga sfidat kryesore me të cilat është përballur Shqipëria në vitet e fundit. Ajo u shpreh se janë ndërmarrë përpjekje të rëndësishme për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet ndërkombëtare, përfshirë konventën e Budapestit dhe direktivat e Bashkimit Europian. Staka identifikoi ndryshimet kyçe që janë bërë në Kodin Penal dhe ligjet sektoriale për adresimin e krimit kibernetik, duke vënë në pah avancimin e kuadrit ligjor në këtë fushë. Një përqendrim i veçantë ra mbi Protokollin e Dytë shtesë të Konventës së Budapestit, i cili parasheh mjete për shkëmbimin e provave elektronike, përfshirë kërkesat direkte te ofruesit e shërbimeve dhe aksesin ndaj provave të ruajtura në servera ndërkufitare. Qëllimi i këtij instrumenti është të lehtësojë procedurat për pajisjen e strukturave ligjzbatuese me provat e nevojshme, duke shmangur burokracitë e tejzgjatura përmes Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë apo Policisë së Shtetit. Megjithatë, Staka vuri në dukje se, edhe pse Shqipëria e ka nënshkruar këtë protokoll, zbatimi praktik i tij është ende i kufizuar dhe nuk është bërë ende efektiv në aspektin operacional. Në përfundim, ajo nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve teknike dhe ndërgjegjësimit publik si elementë themelorë për garantimin e një mjedisi ligjor të sigurt dhe efikas në epokën digjitale. Përveç harmonizimit ligjor, ky proces kërkon edhe funksionim aktiv të instrumentave ndërkombëtarë, siç është pikërisht Protokolli i Dytë, për të siguruar një përgjigje të koordinuar ndaj sfidave të krimit kibernetik. Staka theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar si dhe analizoi sfidat praktike në zbatimin e standardeve të reja, si mungesa e ekspertizës dhe burimeve.

Ana Duraku, Avokate, Meksi Law and Consulting dhe autore e artikullit “Konfidencialiteti financiar dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave financiare në kontekstin e Bashkimit Europian” trajtoi sfidat e lidhura me dixhitalizimin e shërbimeve publike dhe financiare dhe ndikimin e tij në mbrojtjen e të dhënave personale financiare në vendet kandidate për Bashkimin Europian, duke u fokusuar kryesisht në Kapitullin 23 të procesit të integrimit. Në fillim të analizës, Duraku theksoi rëndësinë e sqarimit të disa terminologjive kyçe që lidhen me të dhënat financiare, përfshirë ato që lidhen me transaksionet dhe të dhënat e ndjeshme të pagesave. Ajo po ashtu u ndal në aktet ligjore të Këshillit të Europës që adresojnë mbrojtjen e këtyre të dhënave, si Rekomandimi (90)19 i vitit 1990, i cili trajton mbrojtjen e të dhënave personale të përdorura për pagesa dhe veprime të tjera të lidhura, si dhe Konventën 108 për mbrojtjen e individëve kundër përpunimit automatik të të dhënave. Duraku theksoi se, megjithëse të dhënat financiare nuk klasifikohen drejtpërdrejt si “të dhëna sensitive”, ndikimi i tyre në jetën personale dhe ekonomike të individëve i jep atyre një rëndësi të veçantë, si në aspektin praktik, ashtu edhe në atë juridik. Ajo shtoi më tej se informacioni mbi transaksionet financiare, llogaritë bankare dhe modelet e shpenzimeve mund të nxjerrë përfundime të rëndësishme mbi mënyrën e jetesës, sjelljen konsumatore dhe zgjedhjet personale të individëve, duke pasur kështu potencialin të ndikojë në të drejtat dhe liritë e tyre personale. Duraku po ashtu nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së legjislacionit të vendeve kandidate për BE me kërkesat e Bashkimit Europian në lidhje me mbrojtjen e të dhënave financiare, si një hap thelbësor për garantimin e sigurisë dhe besimit në shërbimet digjitale.

Elsa Dragoti, Specialiste e Jashtme për Edukimin Qytetar, Kuvendi i Shqipërisë dhe autore e artikullit “Një narrativë e re për politikën europiane të migracionit: rregullat e reja për kthimin, në optikën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut”,  u ndal te zhvillimet më të fundit në politikën e migracionit të Bashkimit Europian dhe ndikimin e tyre në garantimin e të drejtave themelore të individëve që përballen me procedurat e kthimit. Dragoti shqyrtoi politikat e reja të BE-së për menaxhimin e migracionit të parregullt, duke analizuar pasojat juridike dhe shoqërore që këto politika sjellin, si dhe sfidat e përballjes me garantimin e të drejtave të njeriut. Ajo vuri një theks të veçantë te grupet vulnerabël, si dhe te rastet që janë paraqitur për shqyrtim në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Europian (GJEDNJ). Një aspekt kyç i fjalës së Dragotit ishte nevoja për të arritur një balancë të ndjeshme midis kontrollit të kufijve dhe respektimit të të drejtave themelore të individëve. Ajo theksoi rëndësinë e harmonizimit të politikave të kthimit me standardet më të mira ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke ofruar rekomandime për përmirësimin e praktikave dhe garantimin e një qasjeje më humane dhe të drejtë ndaj migracionit. Në përfundim, Dragoti bëri thirrje për një qasje më të koherente dhe të qëndrueshme, ku politika e migracionit të BE-së do të mund të balancojë nevojat për siguri dhe kontroll kufitar me angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht për ata individë që janë më të rrezikuar.

Pjesëmarrësit, përfshirë aktorë të shoqërisë civile, akademisë, medias, dhe sektorët e tjerë, diskutuan mbi rëndësinë e njohjes së statistikave të sakta që lidhen me masat e arrestit dhe përdorimin e burgut, duke theksuar se kjo është e nevojshme për të kuptuar më mirë disproporcionet që ekzistojnë në këtë fushë. Ata u shprehën se duhet të merren parasysh gjithashtu sfidat që do të sjellë ardhja masive e punëtorëve të huaj në vend. Sipas tyre, në momentin kur Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, dhe kur rruga ballkanike të mos shihet më si një kalim tranzicioni, mund të ndodhë që një pjesë e këtyre punëtorëve të mbeten të qëndrueshëm në territorin shqiptar. Pjesëmarrësit gjithashtu shprehën shqetësime mbi përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës për të huajt në Shqipëri, të cilët aktualisht po përballen me kushte të papërshtatshme. Ata diskutuan mundësitë që ofron ligji për të huajt për të adresuar këto çështje dhe për të siguruar mbrojtje të drejtat e tyre, duke sugjeruar se ky ligj mund të luajë një rol të rëndësishëm në krijimin e kushteve më të mira për punë dhe jetë për emigrantët.

*Ky forum diskutimi zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).