Tryeza për Kapitullin 5 – Strategjia e Re Kombëtare për Prokurimin Publik 2024-2030 dhe Plani i Veprimit 2024-2027, 19 shtator 2024
Më 19 shtator 2024, u mbajt tryeza e radhës e Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian për Kapitullin 5 – Prokurimi Publik, organizuar nga Agjencia e Prokurimit Publik dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri, me tematikë kryesore miratimin e Strategjisë së Re Kombëtare për Prokurimin Publik 2024-2030 dhe Planit të Veprimit për zbatimin e saj 2024-2027.
Reida Kashta, Drejtore e Përgjithshme, Agjencia e Prokurimit Publik, theksoi në fjalën e saj hapëse se Strategjia e re Kombëtare për Prokurimin Publik përfaqëson një moment të rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori. Kjo është vetëm Strategjia e dytë e miratuar, pas përfundimit të Strategjisë së parë, e cila mbulonte periudhën 2020-2023. Plani i Veprimit për zbatimin e Strategjisë së re është hartuar me një shtrirje kohore 3-vjeçare, nga 2024 deri në 2027, duke siguruar kështu fleksibilitet dhe përshtatje me aktualitetet dhe ndryshimet e mundshme në sektor. Kashta shprehu se kjo Strategji është thelbësore për të rritur efikasitetin dhe transparencën e proceseve të prokurimit, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe duke siguruar një administrim të drejtë e të balancuar të burimeve publike. Për t’u siguruar që Strategjia të përmbushte nevojat reale, janë realizuar konsultime publike me aktorë të ndryshëm të interesuar para miratimit të saj, duke reflektuar mbi boshllëqet e dukshme dhe ato që nuk ishin adresuar nga Strategjia e mëparshme. Ajo përmendi gjithashtu se monitorimi i vazhdueshëm i këtij sektori, ka dhënë rezultate inkurajuese, me një vlerësim pozitiv prej 90-91 pikësh nga 100 nga SIGMA për procesin e prokurimit publik, duke marrë parasysh draft raportin e dërguar. Ky rezultat tregon për progresin e arritur, por gjithashtu nënvizon nevojën për vazhdimësi në përmirësim. Megjithatë, Kashta e pranoi se ende ekzistojnë sfida të konsiderueshme, përfshirë efikasitetin e sistemit dhe nevojën për të rritur kapacitetet e institucioneve përkatëse. Ajo theksoi se është e domosdoshme të krijohen programe trajnimi dhe mbështetje për stafin, me qëllim që të përmirësohet procesi i prokurimit dhe të rritet transparenca. Kjo do të ndihmojë gjithashtu në ndërtimin e besimit të publikut ndaj sistemit të prokurimit.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, nxiti nevojën për një angazhim të thellë nga shoqëria civile në të gjitha fazat e hartimit të kësaj strategjie dhe përmendi rëndësinë e adresimit të rekomandimeve për zbatimin e mëtejshëm të strategjisë. Gjipali nënvizoi se është thelbësore që këta aktorë të angazhohen aktivisht në proceset e politikëbërjes për prokurimin publik, duke kontribuar me ide dhe iniciativa që do të përmirësonin këtë sistem. Kjo Strategji paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për të avancuar dhe modernizuar prokurimin publik, duke përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Ai po ashtu vuri në dukje se prokurimi publik përballet me sfida të shumta, përfshirë lidhjet e tij të ngushta me fusha të tjera madhore, si lufta kundër korrupsionit dhe pastrimi i parave. Kjo situatë kërkon një bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve të ndryshme shtetërore, si dhe një mbikëqyrje dhe vëmendje më të madhe nga ana e Bashkimit Europian. Gjipali theksoi se vetëm përmes këtij bashkëpunimi mund të arrihet një sistem prokurimi më i pastër dhe më efikas. Gjipali sugjeroi që tryezat e tilla të dialogut duhet të shërbejnë si hapësira ku aktorë të ndryshëm mund të shprehin shqetësimet e tyre dhe sugjerimet për përmirësimin e politikave dhe praktikave në këtë sektor.
Daniela Laze, Përgjegjëse e Sektorit të Zbatimit të Politikave Strategjike dhe Statistikës, Agjencia e Prokurimit Publik, prezantoi arritjet e strategjisë së mëparshme, duke shpjeguar se ato do të shërbejnë për të identifikuar boshllëqet që kërkojnë vëmendje nga strategjia e re. Ajo analizoi statusin e përgjithshëm të aktiviteteve, nga ku 43 aktivitetet e planifikuara, 32 prej tyre (74%) u realizuan plotësisht, ndërsa 11 aktivitete (26%) janë ende në proces, çka tregon një realizim të përgjithshëm të lartë për këtë periudhë. Laze gjithashtu paraqiti një vlerësim të performancës nëpërmjet 10 treguesve kyç (TKP), nga të cilët janë nxjerrë të dhëna për 8 prej tyre. Treguesit kryesorë përfshijnë përmirësimin e cilësisë së mallrave dhe shërbimeve, promovimin e pjesëmarrjes së SME-ve në prokurime, rritjen e konkurrencës në treg, dhe përmirësimin e planifikimit të prokurimeve, ndër të tjera. Për vitin 2023, është vërejtur një rritje e dukshme në cilësinë e kontratave të dhëna bazuar në kriterin e ofertës më të favorshme ekonomikisht (MEAT), si dhe një rritje e konsiderueshme e pjesëmarrjes së SME-ve në prokurime publike, me një përqindje prej 93.9%. Një nga arritjet kryesore të SKPP-së 2020-2023 ishte rritja e transparencës për kontratat e koncesioneve dhe PPP-ve, ku të gjitha kontratat janë publikuar plotësisht. Kjo ka ndihmuar në rritjen e besimit publik në sistemin e prokurimit dhe ka kontribuar në rritjen e efiçencës në proceset e dhënies së kontratave. Në aspektin e efikasitetit të sistemit të shqyrtimit të ankesave, përmirësimet janë të dukshme, me një ulje të ndjeshme të numrit të ankesave të shqyrtuara jashtë afatit të parashikuar në ligj. Në përfundim, Laze shprehu një progres të mirë në realizimin e objektivave strategjike të SKPP 2020-2023, megjithëse disa aktivitete mbeten në proces.
Xhoana Ristani, Drejtore e Drejtorisë së Zbatimit të Politikave Strategjike dhe Integrimit, Agjencia e Prokurimit Publik, e përshkroi strategjinë e re si një transformim të rëndësishëm, e cila është zgjeruar nga 5 në 9 objektiva strategjike, duke ndërthurur fusha të ndryshme. Strategjia Kombëtare për Prokurimin Publik 2024-2030 synon përmirësimin e eficiencës dhe qëndrueshmërisë së sistemit të prokurimit në Shqipëri, me një fokus të veçantë në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e kuadrit ligjor. Një nga masat kryesore është rishikimi dhe ndryshimi i ligjit për prokurimin publik dhe VKM 285/2021 për miratimin e rregullave të prokurimit, duke përfshirë amendimet e ligjit 162/2020 dhe rregullat për kufijtë monetarë të prokurimeve. Ngritja e Operatorit të Blerjes së Përqendruar (OBP) është një tjetër hap kritik për të përmirësuar efikasitetin në blerjet publike, ku pritet miratimi i strukturës dhe rekrutimi i stafit të nevojshëm për të mbështetur prokurimet e përqendruara. Strategjia gjithashtu fokusohet në promovimin e prokurimit të gjelbër dhe social, ku parashikohet hartimi dhe miratimi i akteve nënligjore për integrimin e kritereve mjedisore dhe sociale në procedurat e prokurimit. Objektivat përfshijnë organizimin e 2 trajnimeve për stafin e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe ATRAKO-s për përdorimin e kritereve mjedisore dhe sociale, si dhe zhvillimin e një eventi ndërgjegjësues për këtë qëllim. Një tjetër masë specifike është përmirësimi i sistemit elektronik të prokurimeve, duke shtuar funksionalitete të reja si flamujt e kuq (red flags) për të shmangur praktikat korruptive. Në të njëjtën kohë, do të përmirësohet ndërveprimi i sistemit të prokurimit elektronik me sisteme të tjera publike për të siguruar transparencë dhe eficiencë më të lartë në procesin e dhënies së kontratave. Në përfundim, Ristani theksoi se këto masa do të forcojnë integritetin dhe ligjshmërinë e sistemit të prokurimit publik, duke rritur besimin dhe ndershmërinë e procesit.
Diskutimet u përqendruan në nevojën për të përforcuar transparencën dhe mbikëqyrjen në të gjitha fazat e prokurimit, me theks të veçantë te adresimi i sfidave të mbetura nga strategjia e mëparshme, si dhe te përmirësimi i sistemeve elektronike dhe proceset që lidhen me përdorimin e kritereve sociale e mjedisore. Pjesëmarrësit theksuan që konsultimet e vazhdueshme me shoqërinë civile dhe grupet e interesit janë të nevojshme për të garantuar që politika e prokurimit të jetë gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
**Kjo tryezë zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021 dhe Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI), dhe në kuadër të “Konventës Kombëtare për Integrimin Europian Fuqizimi i shoqërisë civile si aktor aktiv në procesin e integrimit europian” financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC).