Module të Integruara MEL – Kuadri Teorik i Monitorimit dhe Vlerësimit të Politikave Publike me Fokus Reformat në Shtetin e së Drejtës, 19 nëntor 2024

U zhvillua më 19 nëntor 2024 në Tiranë, Moduli i radhës mbi Programin e Intregruar për Monitorimin dhe Vlerësimin e Politikave të Shtetit të së Drejtës. Ky Modul bëri bashkë pjesëmarrës të shoqërisë civile, akademisë dhe sektorit të biznesit.

Lektorë në këtë modul ishin: Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA dhe Mimoza Agolli, eksperte për MEL.

Gledis Gjipali në fjalën e tij hapëse bëri një përmbledhje të reformave dhe politikave që po ndërmerren në fushën e shtetit të së drejtës, me një fokus të veçantë mbi politikat dhe reformat në kuadër të procesit të integrimit europian. Ai bëri një pasqyrë të të gjithë mekanizmave të ngritur nga ana e Bashkimit Europian për monitorimin dhe vlerësimin e tyre për vendet kandidate, si Metodologjia e re e Zgjerimit dhe vendosja e çështjeve të shtetit së drejtës në themel të procesit të negociatave nëpërmjet Grupimit të parë të kapitujve – Themeloret. Ndërkohë që mekanizma të tjerë janë dhe Raporti i Shtetit të së Drejtës, ku për herë të parë janë përfshirë në këtë monitorim dhe katër vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi). Një tjetër mekanizëm është dhe Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor i  prezantuar vitin e fundit, ku vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Axhendave Kombëtare për Reforma mund të marrin grante dhe kredi të buta nga BE, me fokus kryesor dhe realizimin e reformave në fushën e së Drejtës. Ndërkohë Gjipali prezantoi dhe disa nga dokumentet strategjike të përgatitura dhe miratuara nga shteti shqiptar si Udhërrëfyesi i Shtetit të së Drejtës, Udhërrëfyesi për Adminsitratën Publike dhe Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike. Dokumente të tjera me rëndësi janë dhe Plani Kombëtar për Integriin Europian dhe Axhenda Kombëtare e Reformave për Planin e ri të Rritjes së BE. Gjipali theksoi që këto dokumente dhe politika e masa të parashikuara duhet që dhe të monitorohen si po zbatohen, dhe këtu një rol të rëndësishëm duhet të luaj dhe shoqëria civile, e cila me kapacitetet dhe ekspertizën e saj mund të monitorojë dhe vlerësojë zbatimin dhe impaktin e tyre në zhvillimin real të shtetit të së drejtës në vend, forcimin e institucioneve dhe të kulturës demokratike gjithashtu.

Në vazhim moduli u lekturua nga Mimoza Agolli e cila e ndau prezantimin e saj në disa çështje kryesore si: kuadri teorik i MEL, ngritja e një modeli MEL me fokus politikat dhe reformat në fushën e shtetit të së drejtës dhe raste praktike nga Shqipëria mbi modelet ekzistuese MEL dhe metodat e përdorura. Agolli bazuar dhe në literaturën akademike mbi MEL prezantoi disa lloje të MEL, në mënyrë krahasimore duke nxjerrë në pah pikat e dobëta dhe të forta të secilës prej tyre si: Monitorimi i brendshëm apo i jashtëm, monitorimi me pjesëmarrje dhe ai pa pjesëmarrje, monitorimi i progresit dhe ai i procesit, duke sjellë dhe shembuj konkretë të këtyre metodave të përdorura në rastin shqiptar. Kështu ajo sqaroi që monitorimi mbi Strategjinë Anti-Korrupsion në Shqipëri është një monitorim i brendshëm që në mënyrë sasiore nxjerr në pah masat e realizuara (pjesërisht apo plotësisht) si dhe ato masa të parealizuara, por që nuk ka një analizë të plotë cilësore për arsyet apo çështjet pse masat nuk janë realizuar. Gjatë pjesës së dytë të prezantimi ajo fokusin e vuri dhe te procesi i vlerësimit, që është i lidhur ngushtësisht me monitorimin. Vlerësimi i përgjigjet dy pyetjeve: A ka një ndryshim dhe sa është impakti i këtij ndryshimi? dhe A mund të vërtetohet që ky ndryshim ka ardhur si pasojë e zbatimit të politikës së monitoruar?. Gjithashtu ajo sqaroi në mënyrë krahasuese monitorimin dhe vlerësimin e politikave duke theksuar që monitorimi ëstë një proces i vazhdueshëm, parashikohet që në fillim gjatë hartimit të politikave, ndikon në vendimet operacionale, të dhënat mblidhen nëpërmjet një procesi rutinor, dhe burimet për të kryer procesin e monitorimit janë parashikuar brenda strukturës që zbaton politikat. Vlerësimi nga ana tjetër është episodik, bazohet në çështje specifike të politikave, ndikon në vendimet strategjike për politikën në fjalë, të dhënat mblidhen në mënyrë të targetuar, burimet janë gjithashtu të targetuara dhe jo të përfshira më parë.

Agolli më pas u fokusua te hartimi i një sistemi MEL dhe elementet kryesore që duhet të merren në konsideratë gjatë këtij procesi. Elementet që duhet të përbëjnë një sistem të tillë duhet të përfshijne metodën e monitorimit që do të përdoret, vlerësimin e politikës, kornizën logjike (logframe), objektivat dhe impaktin, si dhe indikatorët. Me rëndësi është dhe mbledhja dhe procesimi i të dhënave, duke specifikuar llojin e të dhënave, periudhën e monitorimit, institucionet/sektorët që do të përfshihen për marrjen e këtyre të dhënave si dhe analizimi dhe përgatitja e raportit të MEL.

Si përfundim Agolli u shpreh që realizimi i një modeli MEL për politikat e shtetit të së drejtës është kompleks dhe sfidues pasi vet ky sistem kërkon të ketë terma të definuara dhe të përcaktuara qartë, ndërkohë që sa i përket kësaj fushe shpeshherë këto terma janë të papërcaktuar në mënyrë standarde dhe nuk mund të përkufizohen në një mënyrë të ngurtë shkencore. Për këtë ka një rol të rëndësishëm dhe eksperti që përfshihet në këto modele që duhet të kuptojë dhe situatën konkrete dhe zhvillimet specifike të vendit apo politikës që po monitorohet.

Në sesionin praktik shembuj dhe raste praktike u ofruan për pjesëmarrësit si në lidhje me llojet e ndryshme të monitorimit që mund të përdoren ashtu dhe për vlerësimin e politikave specifike si Strategjia Anti-Korrupsion, Politika për Integritetin e Institucioneve Publike apo dhe Strategjia e Punësimit në Shqipëri.