News24 Albania – Gjipali/ Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE?, 22 shtator 2025

Në një intervistë për News24, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), u shpreh se viti 2027 si afat për mbylljen e negociatave për anëtarësim në BE është një premtim dhe angazhim ambicioz. Ai theksoi se ky objektiv kërkon reforma të thella, ndryshime të rëndësishme ligjore, si dhe një transformim rrënjësor të legjislacionit dhe strukturës administrative të vendit. Sipas tij, ky proces është i arritshëm vetëm nëse shoqërohet me një vullnet të plotë politik, si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga aktorët joshtetërorë.

Gjipali theksoi gjithashtu se një faktor vendimtar është edhe qëndrimi i Brukselit: nga njëra anë qëndrimi i Komisionit Europian, dhe nga ana tjetër vendet anëtare të BE-së, ku shpesh vërehet hezitimi i vendeve kryesore si Franca, Gjermania dhe Austria, të cilat shpesh shprehin rezerva për zgjerimin. Ai ritheksoi se Shqipëria po përpiqet të rikuperojë kohën e humbur në të kaluarën, duke qenë se çiftëzimi me Maqedoninë e Veriut solli vonesa të konsiderueshme. Sipas Gjipalit, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka vënë në dukje se vetëm gjatë këtij viti janë hapur më shumë Grupkapituj se sa në pesë vitet e shkuara të procesit.

Në vlerësimin e tij, objektivi i vitit 2030 pë anëtarësim mbetet i mundshëm, por kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm politik, një volum të madh pune në administratë, si dhe një agjendë të ngarkuar ligjvënëse. Gjipali solli në vëmendje edhe ndryshimin e Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane në atë të Politikës së Jashtme dhe Integrimit Europian në vend, ku sipas tij, do të ketë një rol thelbësor për ecurinë e negociatave.

News24 Albania – Gjipali/ Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE?, 22 shtator 2025