Ora News – “Alert” nga Granit Sokolaj – Konsumatorët, Ankesat dhe Fuqizimi i OSHC-ve lokale, 25 korrik 2025

I ftuar në emisionin Alert në OraNews, të moderuar nga gazetari Granit Sokolaj, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), në cilësinë e partnerit të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”,  theksoi rëndësinë e trajnimeve për rritjen e ndërgjegjësimit dhe aftësive praktike në lidhje me të drejtat e konsumatorëve dhe mekanizmat e mbrojtjes së tyre. Ai nënvizoi se trajtimi i ankesave të konsumatorëve është një proces i ndërlikuar, që shpesh nuk mund të t’i referohet vetëm një autoriteti të caktuar. Përkundrazi, kërkohet njohje e mirë e institucioneve përkatëse dhe e rrugëve konkrete për zgjidhjen e rasteve.

Në këtë fazë dinamike të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, ku ndryshimet janë të shpeshta dhe thelbësore, Gjipali gjithashtu e vuri vëmendjen te domosdoshmëria që qytetarët dhe operatorët ekonomikë të jenë të informuar jo vetëm mbi të drejtat e tyre, por edhe mbi detyrimet dhe përgjegjësitë që burojnë nga legjislacioni në fuqi.

Gjatë intervistës u diskutua edhe për rëndësinë e organizimit të katër Tryezave të Diskutimit dhe Këshillimit në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE), e cila është krijuar nga qeveria shqiptare me qëllim përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në procesin e integrimit. Ndryshe nga praktikat në vende të tjera, ku iniciativa të tilla vijnë nga shoqëria civile, kjo platformë përfaqëson një nismë institucionale që synon adresimin e nevojës për informim dhe përfshirje gjithëpërfshirëse.

Edhe pse objektivi përfundimtar, përputhja e plotë me standardet e Bashkimit Europian, është i qartë, rruga drejt tij mbetet komplekse dhe kërkon mbështetje të vazhdueshme, e cila sigurohet përmes ekspertizës dhe fondeve të Bashkimit Europian, me synimin për të ndihmuar grupet e interesit dhe për të garantuar standarde të larta në mbrojtjen e konsumatorit, duke u mbështetur në përvojat më të mira të vendeve anëtare.

Në këtë kuadër, organizimi i tryezave në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për kapitujt e negociatave që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit (Kapitulli 28) dhe sigurinë ushqimore (Kapitulli 12), është me rëndësi të veçantë. Këto tryeza jo vetëm që angazhojnë aktorë joqeveritarë dhe ekspertë të fushës, por në përfundim të tyre është parashikuar hartimi i disa rekomandime konkrete, të cilat u shpërndahen institucioneve përkatëse dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në proces.

Ora News – “Alert” nga Granit Sokolaj – Konsumatorët, Ankesat dhe Fuqizimi i OSHC-ve lokale, 25 korrik 2025