Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile: Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile dhe të rinjve në procesin e negociatave për politikat sociale, punësimin, arsimin, dhe rininë, Korçë, 29 maj 2025

Më 29 maj 2025, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane të Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë, u zhvillua workshopi i dytë në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, një nismë e Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Lëvizjes Europiane në Shqipëri. Fokusi kryesor i aktivitetit ishte identifikimi i mundësive për përfshirjen e shoqërisë civile, aktivistëve dhe të rinjve që veprojnë në fushat e punësimit, përfshirjes sociale, arsimit dhe rinisë, në procesin e negociatave dhe në nxitjen e informimit dhe konsultimit publik për Grupkapitullin 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse. Workshopi mblodhi përfaqësues të organizatave lokale, aktivistë, staf akademik, studentë dhe të rinj, me synimin për të rritur nivelin e informimit dhe kapacitetet mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të aktorëve jo publikë në politikëbërje dhe vendimmarrje.

Aktiviteti u hap me një përshëndetje nga përfaqësuesja e Universitetit të Korçës, e cila theksoi se në këtë fazë të procesit të integrimit, vendi ka nevojë për më shumë përfshirje dhe debat publik, jo vetëm në Tiranë, por edhe në nivelin lokal e akademik në qytetet e tjera.

Arjola Agolli, Drejtore Programi pranë Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, prezantoi qëllimin dhe aktivitetet e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile (NRC), e cila synon të nxisë mobilizimin qytetar dhe pjesëmarrjen aktive në jetën publike të aktorëve të shoqërisë civile dhe jo vetëm. Ajo theksoi rëndësinë që nisma të tilla kanë për shoqërinë civile lokale, e cila shpesh ndjehet e përjashtuar nga aktivitetet që zhvillohen vetëm në kryeqytet. Sipas saj, përpjekjet duhet të jenë të dyanshme: nga njëra anë ofrimi i më shumë hapësirave gjithëpërfshirëse dhe nga ana tjetër, nxitja dhe motivimi i vetë aktorëve lokalë për t’u angazhuar, pavarësisht sfidave që kanë si mungesa e burimeve, kohës apo kapaciteteve.

Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri, u fokusua në fazat e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke ndaluar tek vendi ku ndodhet aktualisht dhe roli që mund dhe duhet të luajë shoqëria civile në këtë proces. Ajo theksoi se roli i shoqërisë civile nuk duhet të kufizohet vetëm në informim, por të zgjerohet drejt një përfshirjeje më aktive në strukturat ekzistuese të dialogut, konsultimit dhe politikëbërjes, siç është Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian, si dhe në rrjetëzime të krijuara posaçërisht nga vetë shoqëria civile. Ndër të tjera, Deliu theksoi rëndësinë e trajnimeve dhe aktiviteteve që ofron edhe Qendra Burimore si një mjet për të nxitur përfshirjen dhe dialogun.

Prof. Asoc. Dr. Elda Zotaj, eksperte dhe lektore mbi Bashkimin Europian, ofroi një panoramë të detajuar mbi përmbajtjen e kapitujve që lidhen me arsimin, rininë, shkencën, kërkimin shkencor, punësimin dhe mbrojtjen sociale, duke trajtuar kërkesat e BE-së dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë në këto fusha. Ajo vuri në dukje rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për zbatimin efektiv të tij.

Pas prezantimeve, aktiviteti vijoi me një diskutim ndërveprues mes pjesëmarrësve, ku u evidentuan disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen aktorët jo-shtetërorë lokalë: mungesa e financimit, ulja e interesit dhe angazhimit jashtë Tiranës, kompleksiteti i procesit të integrimit dhe kufizimet në burime njerëzore për t’u përfshirë në mënyrë aktive. U theksua gjithashtu nevoja për më shumë bashkëpunim dhe rrjetëzim si dhe realizimin e takimeve periodike për të adresuar sfidat dhe për të përforcuar rolin e shoqërisë civile në procesin e integrimit europian.

 

***

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri është një platformë informacioni dhe ofrimi shërbimesh që kontribuon në forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, transparentë, të përgjegjshëm dhe të pavarur, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, demokracinë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo nismë financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (QShPZh) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

Më shumë mund të gjeni në: www.resourcecentre.al