Report TV – Shqipëria hap negociata për Axhendën e Gjelbër me BE! Gjipali: Kapitujt kërkojnë investime të larta, 16 shtator 2025
Në një intervistë për Report TV, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), u ndal te hapja e Grupkapitullit 4, duke theksuar se kapitujt që përfshihen aty janë ndër më të vështirët dhe më të rëndësishmit, pasi lidhen me energjinë, transportin dhe mjedisin. Për këto tre kapituj Shqipëria duhet të përafrojë legjislacionin me atë europian në masën 100%, çka kërkon investime të fuqishme. Fatura është e lartë, pjesërisht e mbuluar nga BE, por një pjesë tjetër duhet të mbulohet nga buxheti i shtetit, u shpreh ai.
Gjipali theksoi se edhe bizneset që operojnë në këto fusha do të përballen me kosto shtesë, pasi standardet më të larta nënkuptojnë më shumë investime, të cilat do të reflektohen në treg. Duke folur për infrastrukturën, ai nënvizoi se çdo investim i ardhshëm duhet të respektojë standardet europiane. Duhet të kemi sinjalistikë, cilësi ndërtimi dhe elementë të tjerë të sigurisë që sot mbeten problematikë në Shqipëri. Të gjitha këto janë pjesë e legjislacionit që duhet përafruar dhe për këtë nevojiten jo vetëm fonde të mëdha, por edhe burime njerëzore, si në administratën publike, ashtu edhe në sektorin privat.
Ai e cilësoi kapitullin e mjedisit si më të vështirin, pasi kërkon investime të konsiderueshme në kapital dhe në burime njerëzore, dhe për këtë qeveria shqiptare ka kërkuar periudha tranzitore, të cilat ka shumë mundësi të miratohen nga BE, duke lejuar që disa standarde të arrihen edhe pas anëtarësimit, për shkak të kostove që arrijnë në miliarda euro. Një praktikë e tillë është ndjekur edhe nga vende të tjera, shtoi ai, duke theksuar se detyrimi i shtetit shqiptar është të paraqesë plane të qarta pune dhe burime të sigurta financiare e njerëzore.
Lidhur me bujqësinë, Gjipali paralajmëroi hapjen e kapitullit përkatës brenda vitit 2025, duke theksuar rëndësinë e tij për shkak të numrit të madh të shqiptarëve të angazhuar në këtë sektor.