Selanik II – Rruga për të kapërcyer status quo-n e procesit të zgjerimit të BE-së?
Sot, më 18 Shkurt 2010, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES), organizuan forumin politik: “Selanik II – Rruga për të kapërcyer status quo-n e procesit të zgjerimit të BE-së?” Qëllimi i këtij aktiviteti ishte analizimi i situatës aktuale të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rolin që Hungaria mund të luaj në kryesimin e Presidencës së BE-së. E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kontekstin e zhvillimeve më të fundit ashtu sikurse dhe “Axhenda 2014” e cila synon rigjallërimin e perspektivës së Integrimit Europian, ishin disa nga çështjet në fokus të këtij forumi. Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, përfaqësues nga qeveria dhe institucionet shtetërore, fusha akademike, shoqëria civile dhe media.
Takimi u hap me fjalën e Z. Michael Weichert, Drejtor i Friedrich Ebert Stiftung (FES) për Shqipërinë, i cili theksoi se pavarësisht sfidave me të cilat po përballet BE ajo që vërehet është nevoja e një implus të ri për procesin e zgjerimit. Në këtë kuadër ajo që duhet është ndërmarrja e hapave konkrete, një udhëzues i qartë dhe një kuadër kohor i besueshëm brenda të cilit do të duhet të realizohen angazhimet përkatëse. Eksperienca e procesit të liberalizimit të vizave është një shembull suksesi dhe inkurajimi, i cili përveç të tjerash demonstroi rëndësinë e motivimit dhe interesit të vetë shoqërisë. Ndaj procesi i integrimit Europian nuk i duhet lënë në dorë vetëm qeverisë por një rol të konsiderueshëm në shtyrjen përpara të tij kanë edhe aktorët e shoqërisë civile të cilat mund të kontribuojnë me ekspertizën e tyre.
Drejtori Ekzekutiv i EMAs, Z. Gledis Gjipali, bëri një prezantim të shkurtër të punimit “Selanik II – Rruga për të kapërcyer status quo-n e procesit të zgjerimit të BE-së?”, i cili mori shkas nga propozimi i Ministrit grek të Punëve të Jashtme. Ky propozim do të duhej të përfshinte organizimin e një Samiti mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë Presidencës Greke të BE-së në 2014; forcimin e bashkëpunimit rajonal si dhe krijimin e mekanizmave të cilat do të bëjnë të mundur suksesin e procesit të aderimit. Z. Gjipali risolli në vëmendje se “në themel të Strategjisë së Zgjerimit, qëndron besueshmëria. Për të qenë i suksesshëm, procesi i zgjerimit duhet të mbetet i besueshëm, për të gjitha palët e përfshira, si për vendet aspirante, ashtu dhe për vendet anëtare”. EMA mbështet idenë se vendet e Ballkani Perëndimor duhet t’i shfrytëzojnë këto tre vite për të bërë që tani një vlerësim dhe të hartojnë strategji në nivel kombëtar e rajonal për “Selanik II” si dhe çfarë angazhimesh konkrete mund të ndërmarrin ato. Hartimi i një strategjie të tillë kërkon vitalizimin e forumeve ekzistuese rajonale sikundër bashkëpunimin e ngushtë me vendet anëtare dhe institucionet e BE-së; ndërgjegjësimin e vendeve të rajonit mbi rëndësinë e avokimit për “Selanik II” në kuadrin e hartimit të Perspektivës Financiare të BE-së për 2014 – 2018; demonstrimin e vullnetit politik nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi këtë proces si dhe ndërmarrjen e reformave konkrete që kanë të bëjnë me shtet-ndërtimin.
Zëvendës kryeministri dhe njëkohësisht Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Z. Edmond Haxhinasto, theksoi rëndësinë e vazhdimit të perspektivës së Integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një mjet për të inkurajuar reformat demokratizuese. Ai duke përshëndetur organizmin e një forumi të tillë inkurajoi aktorët e shoqërisë civile në ndërmarrjen e iniciativave të drejtpërdrejta, cilësorë dhe të vazhdueshme në këtë kuadër. Kjo pasi integrimi Europian është një aksion kombëtar ku krahas forcave politike, vlerë të konsiderueshme i japin edhe aktorë të tjerë të shoqërisë përmes angazhimit dhe kontributit të tyre në këtë proces. Ai konkludoi duke nënvizuar se “axhenda e integrimit europian duhet të trajtohet si një proces mbi partiak dhe kombëtar dhe nuk mund të konsumohet për qëllime personale”.
I ftuar kryesor në këtë aktivitet ish Ministri i Jashtëm Hungarez Z. Peter Balazs, aktualisht drejtor i qendrës së kërkimit për studime Europiane të Zgjerimit (Center for EU Enlargement European Studies), përmendi se për Shqipërinë ashtu sikurse edhe vendet e tjera të rajonit është e rëndësishme të paturit të një axhende konkrete, kuadri kohore si dhe një vizioni përmes së cilës do të arrihet kjo axhendë. Sipas tij tre janë qasjet kryesore që duhen mbajtur parasysh gjatë procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Qasja e parë është ajo individuale ku secila nga vendet vlerësohet në bazë të arritjeve personale. Kjo qasje nxit konkurrencën midis vendeve dhe shembulli më tipik i kësaj qasje është procesi i liberalizimit të vizave. Qasja rajonale i referohet gjithmonë e më shumë rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit për çështje që konsiderohen sfida të përbashkëta. Qasja e fundit është qasja e brendshme e BE-së e cila nënkupton vullnetin dhe vizionin e BE-së ndaj zgjerimit të mëtejshme të saj me vendet e Ballkanit Perëndimor. Z. Balazs theksoi se viti 2014, duhet të shërbej si një periudhë përgatitore për hartimin e një programi thelbësor i cili do të duhet të gërshetojë tre qasjet e lartpërmendura duke shërbyer si pikënisje për perspektivën integruese të rajonit. Ai e përfundoi fjalën e tij duke nënvizuar se 2014, është një vit i rëndësishëm jo vetëm për vendet e rajonit por edhe për vetë BE- në e cila do të përballet me sfida të reja që lidhen me funksionimin e Traktatit të Lisbonës dhe zgjedhjet e reja për Komisionin dhe Parlamentin Europian.
Ambasadori Hungarez në Shqipëri, Z. Sandor Molnari, adresoi për publikun prioritetet kryesore të Presidencës Hungareze të BE-së, duke theksuar rigjallërimin ekonomik; fuqizimin e Europës përmes rikrijimit të politikës së përbashkët bujqësore; sjellja e BE sa më pranë qytetarëve përmes mirëfunksionimit të traktatit të Lisbonës si dhe promovimi i vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE. Gjatë fjalës së tij ai përmendi angazhimin e Presidencës Hungareze drejt avancimit të procesit të zgjerimit duke nënvizuar se perspektiva europianizuese e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të shërbej si një mjet për stabilizimin e rajonit. Në këtë kuadër Hungaria ka ndërmarrë angazhimin maksimal për të përmbyllur procesin e negociatave për Kroacinë dhe hapjen e bisedimeve për Maqedoninë. Në të njëjtën kohë Ambasadori përmendi se marrja e vendit kandidat për Shqipërinë është objektivi kryesor të cilit i duhet kushtuar vëmendje në vazhdim nga të gjithë aktorët e shoqërisë.
Në fund të takimit u zhvillua një debat interaktiv midis panelistëve dhe pjesëmarrësve të cilët ndanë pikëpamjet e tyre mbi të ardhmen e perspektivës së Integrimit Europian të rajonit.



