Sesion Informimi – Duke matur progresin: Reformat në fushën e shtetit të së drejtës në kuadër të procesit të integrimit europian, 1 qershor 2024 Berat

Më 1 qershor 2024, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Politike (ASP), mbajtën një sesion informimi në qytetin e Beratit për të adresuar zhvillimet më të fundit të ndodhura në kuadër të procesit të integrimit europian në Shqipëri, kryesisht në shtetin e së drejtës, si dhe përfshirjen e aktorëve jo-shtetërorë dhe sfidat që mbarten nga ky proces kaq teknik dhe i gjatë. Përfaqësues të shoqërisë civile, pushtetit vendor, akademisë dhe jo vetëm, morën pjesë në mënyrë aktive në këtë sesion.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, e nisi fjalimin e tij duke theksuar që Shqipëria pas përfundimit me sukses të fazës së shqyrtimit (screening) të të gjithë kapitujve të acquis së BE-së në nëntor 2023, hapi i radhës është shqyrtimi i tri udhërrëfyesve, dy prej të cilëve të lidhur me Kapitullin 23 dhe 24, përkatësisht Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës dhe Funksionimin e Institucioneve Demokratike, dhe së fundi ai për reformën e Administratës Publike. Hartimi i këtyre udhërrëfyesve e lehtëson procesin, pasi paraqesin prioritetet kryesore për t’u përmbushur nga qeveria shqiptare në këto fusha. Kështu, Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës trajton gjerësisht nënfusha si reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, të drejtat themelore, luftën kundër krimit të organizuar, migracionin, azilin dhe vizat. Masa konkrete janë ndërmarrë dhe priten të zbatohen në këto fusha. Gjipali përmendi këtu reformën në drejtësi të aplikuar që nga viti 2016 ku disa ligje dhe procedura ligjore janë ndryshuar me qëllim përmirësimin e sistemit të drejtësisë në tërësi dhe për ta ofruar atë pandashmërisht për të gjithë qytetarët shqiptarë. Gjipali e vuri theksin te rëndësia e pavarësisë dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në mbrojtjen e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Pas kësaj faze, Gjipali sqaroi që negociatat do të çelen me mbajtjen e një konference ndërqeveritare ku do të vendosen objektivat e para që qeveria shqiptare duhet të përmbushë në vazhdimësi dhe Grupkapitulli 1 – Themeloret do të hapet i pari për negocim. Reformat për kapitujt e këtij grupimi janë të qenësishme në këtë moment kyç për Shqipërinë ku Komisioni Europian konfirmoi aplikimin e Planit të ri të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor me një buxhet total prej 6 miliardë eurosh. Çdo shtet i Ballkanit Perëndimor duhet të tregojë gatishmëri për zbatimin e reformave pas konfirmimit të Reformë Axhendave përkatëse, përndryshe fondet alokohen në një shtet tjetër që po performon më mirë. Prandaj, Gjipali nënvizoi që gjithëpërfshirja e aktorëve të ndryshëm, kryesisht të shoqërisë civile, do të sjell përmbushjen me sukses të të gjitha fazave të procesit të negociatave.

Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, gjithashtu trajtoi zhvillimet e fundit të bëra në kuadër të shtetit të së drejtës duke e vënë theksin te grupi i parë i kushteve që lidhet më së shumti me zbatimin e reformës në drejtësi, funksionimin e organeve kundër korrupsionit, reformimin e ligjit për zgjedhjet, si dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes. Ai u ndal në këtë të fundit duke komentuar se pluralizmi i lirisë së medias do të rritet më tej nëse zbatohen masat e parashikuara në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës. Siguria e gazetarëve dhe gjykimi i padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) janë të nevojshme të zbatohen në praktikë sipas standarteve europiane, kështu mund të krijohet një dialog më i strukturuar me median. Tase vuri në pah se një çështje me rëndësi të veçantë shihet dhe pjesëmarrja e shoqërisë civile në procesin e negocimit nëpërmjet Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE) si një ndër mekanizmat kryesor ku aktorët jo-shteterorë mund të angazhohen drejtpërdrejt duke u anëtarësuar në 33 Tryezat e Diskutimit dhe Këshillimit për çdo kapitull të acquis, të cilat japin mundësinë gjithashtu për dialog të hapur për të ndërmarrë qëndrime dhe rekomandime. Në përfundim, Tase vlerësoi rolin thelbësor të aktorëve të shoqërisë civile, pasi konsultimi i vazhdueshëm dhe monitorimi i reformave nëpërmjet raporteve dhe rekomandimeve të prodhuara nga ta sjell vazhdueshmëri në zbatimin e reformave dhe përmirësimin e politikave publike.

Pjesëmarrësit në sesion treguan interes për progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve për Grupkapitullin I dhe për perspektivën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Ata shprehen gjithashtu gatishmërinë për të kontribuar në Tryezat e Diskutimit dhe Këshillimit, duke synuar të anëtarësohen në tryezat që përkojnë me fushën e tyre të interesit dhe duke shprehur vullnetin për të ndarë eksperiencën dhe sugjerimet e tyre për progresin e shtetit të së drejtës në vend.

* Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).