Sesion Informimi – Rruga drejt BE-së: Procesi i Zgjerimit, Negociatat dhe Mundësitë për Angazhim, 29 korrik 2025

Më datë 29 korrik 2025, u mbajt një sesion informimi mbi historikun e krijimit të Bashkimit Europian dhe integrimit europian; politikën e zgjerimit të BE-së dhe hapat e ndjekur nga Shqipëria në kuadër të negociatave, dhe mënyrat konkrete të përfshirjes së aktorëve jo-shtetërorë, kryesisht sindikatave, në proceset e vendimmarrjes. Sesioni u zhvillua në mjediset e Shtëpisë së Europës, organizuar në bashkëpunim me Konfederatën Shqiptare të Sindikatave (KSSH), ku morën pjesë drejtues politikë dhe përfaqësues ekzekutivë të KSSH-së, si edhe anëtarë të sindikatave të ndryshme nga vendi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi rëndësinë e këtyre sesioneve informuese si mjete thelbësore për të afruar procesin e integrimit me grupet e interesit, të cilat duhet të angazhohen në mënyrë aktive në këtë proces. Ai nënvizoi se, në fazën aktuale ku ndodhet Shqipëria, është e domosdoshme që të gjitha grupet të përfshihen jo vetëm në etapat konsultuese, por edhe në proceset vendimmarrëse, ku pritet kontributi i tyre konkret. Megjithëse janë krijuar platforma dhe mekanizma gjithëpërfshirës në nivel shtetëror, ende vërehet se përfshirja nuk është e balancuar në mënyrë të qëndrueshme.

Nga ana e tij, Kol Nikollaj, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), theksoi nevojën që sindikatat të jenë të përfshira drejtpërdrejt në procesin e integrimit europian, duke luajtur një rol aktiv dhe efikas. Ai vuri në dukje se, megjithëse sindikatat përfaqësojnë një numër të konsiderueshëm anëtarësh, përfshirja e tyre në këtë proces duhet të thellohet edhe më tej. Në këtë kuadër, trajnime të tilla janë tepër të vlefshme për të përmirësuar cilësinë e pjesëmarrjes dhe për të mbështetur një proces integrimi gjithëpërfshirës.

Gjatë trajnimit, stafi i EMA organizoi tre sesione tematike të ndryshme të cilat nxitën më tej diskutim.

Fillimisht, Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti, mbajti një prezantim mbi historikun e krijimit të Bashkimit Europian dhe rrugëtimin të procesit të integrimit europian. Ajo evidentoi jo vetëm zhvillimet kronologjike dhe institucionale të BE-së, por edhe sfidat e vazhdueshme që kanë shoqëruar dhe vijojnë në këtë proces transformues. Duke u ndalur në rëndësinë e kuptimit të thellë të kontekstit historik të ndërtimit të projektit europian, Ermelinda theksoi se për të analizuar në mënyrë kritike procesin e negociatave për anëtarësim, është thelbësore njohja me themelet e integrimit. Në këtë drejtim, prezantimi përfshiu një analizë të traktateve themeluese të BE-së, që nga Traktati i Parisit e deri te ai i Lisbonës, duke shpjeguar risitë që këto instrumente juridike sollën në konsolidimin e strukturës institucionale të Unionit. U trajtuan gjithashtu momentet kyçe të zgjerimit dhe thellimit të integrimit, që kanë kontribuar në ndërtimin gradual të një hapësire politike dhe ekonomike të përbashkët. Një pjesë e veçantë iu kushtua shpjegimit të acquis, korpusi ligjor që vendet kandidate duhet të transpozojnë dhe zbatojnë në mënyrë të plotë. U sqaruan gjithashtu kompetencat e institucioneve kryesore të BE-së si Komisioni Europian, Parlamenti Europian, Këshilli i Bashkimit Europian dhe Këshilli Europian e njëkohësisht dallimet e tyre, duke u ndalur gjithashtu në mënyrë të veçantë në ciklin e bashkëpunimit institucional dhe rëndësinë e balancës ndërmjet tyre, si një formë moderne e ndarjes së pushteteve në kontekstin e një strukture transnacionale.

Më pas, sesioni i dytë i aktivitetit vijoi me prezantimin e Gledis Gjipalit, Drejtor Ekzekutiv, i cili ofroi një pasqyrë të strukturuar mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ai solli në vëmendje momentet më të rëndësishme dhe fazat kyçe që karakterizojnë këtë proces të gjatë dhe kompleks, duke filluar nga dorëzimi i aplikimit për anëtarësim, marrja e statusit kandidat, vijuar me shqyrtimin teknik nga institucionet përkatëse të BE-së, dhe deri te çelja formale e negociatave për anëtarësim. Në vijim, Gjipali shpjegoi natyrën dhe rëndësinë e dokumenteve themelore që hartohen dhe përdoren gjatë procesit negociues, ndër të cilët veçoi tre Udhërrëfyesit që shërbejnë si instrumente udhëzuese për strukturimin dhe mbikëqyrjen e reformave të nevojshme në përputhje me acquis. Ai u ndal veçanërisht te nevoja për ndërmarrjen dhe zbatimin e reformave të thella institucionale dhe ligjore, të cilat janë parakusht për mbylljen e përkohshme të kapitujve përkatës të negociatave ashtu si paraqiten nga BE-ja në pozicionin e përbashkët negociues për çdo Grupkapitull të hapur deri më tani për Shqipërinë. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë strategjike që mbajnë Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore dhe Kapitulli 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria, duke i cilësuar si ndër më sfiduesit në gjithë procesin e negociatave.

Në sesionin e tretë të aktivitetit, Nirvana Deliu, Drejtore Projekti, trajtoi rolin e aktorëve të ndryshëm në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ajo vuri në dukje se përfshirja e aktorëve të shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe sindikatave është thelbësore për ta bërë këtë proces më gjithëpërfshirës, transparent dhe të ndërtuar mbi ekspertizë të gjerë. Në fillim të prezantimit, Deliu shpjegoi funksionimin e mekanizmave të konsultimit publik, duke u ndalur te dy platformat kryesore që mundësojnë pjesëmarrjen qytetare dhe institucionale në procesin legjislativ dhe atë të vendimmarrjes. Ajo paraqiti gjithashtu funksionimin e Këshillimit Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE), si organi më i lartë këshillimor në këtë fushë, ku anëtarësimi rinovohet çdo dy vjet dhe ku bëhet një thirrje e hapur edhe për sindikatat dhe bizneset që të marrin pjesë. Më tej, ajo prezantoi Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE), një instrument që synon të institucionalizojë kontributin e aktorëve të ndryshëm, ku 5 grupe kanë mundësinë të aplikojnë për të marrë pjesë në tryeza të posaçme që lidhen me kapitujt e veçantë të acquis të BE-së. Deliu shpjegoi në mënyrë të qartë procedurat e aplikimit për këto tryeza teknike dhe këshillimore, të cilat synojnë të përfshijnë ekspertizën e jashtme në hartimin dhe zbatimin e reformave të kërkuara nga procesi i integrimit. Në nivel evropian, ajo veçoi platformën Enlargement Candidate Members (ECM), krijuar nga Komiteti Ekonomik dhe Social Europian (KESE), si nisma e parë nga institucionet e BE-së që përfshin grupime të ndryshme pasi vetë KESE përbëhet nga tre grupime përfaqësuese, çka e bën këtë përfaqësim gjithëpërfshirës. Gjithashtu, ajo theksoi rëndësinë e Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri (JCC), i cili funksionon si një platformë bashkëpunimi ndërmjet KESE-së dhe shoqërisë civile shqiptare, me qëllim mbështetjen e punës së Këshillit të Stabilizim-Asociimit.

Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime të thelluara mbi çështje të rëndësishme, përfshirë rritjen e rolit dhe përfshirjes së sindikatave në proceset e integrimit europian, si dhe krijimin e platformave konkrete që garantojnë që zëri i tyre të dëgjohet. U trajtua gjithashtu ndikimi i mundshëm i vendeve anëtare gjatë negociatave, si dhe nevoja për përmirësimin e zbatueshmërisë së legjislacionit në Shqipëri. Gjithashtu, u ngritën pyetje mbi ecurinë e procesit të integrimit për vendet e Partneritetit Lindor dhe Turqinë, duke krahasuar qasjet dhe sfidat në këto kontekste me atë të Shqipërisë.

*Ky sesion informimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).