Sesioni Plenar i Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, 19 nëntor 2025
Që prej vitit 2014, Konventa Kombëtare për Integrimin Europian ka luajtur një rol thelbësor në nxitjen e dialogut mbi reformat që lidhen me Bashkimin Europian. Kjo nismë, e zbatuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe e mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian (2023-2026), synon të institucionalizojë debatin publik dhe të nxisë bashkëpunimin midis institucioneve shtetërore dhe aktorëve jo-shtetërorë. Sesioni plenar i përvitshëm i Konventës Kombëtare për Integrimin Europian kishte në fokus tematik çështjet që lidhen me Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, duke reflektuar kriteret e standardet gjatë negociatave, si dhe sfidat që hasen dhe mënyrat se si institucionet shtetërore, shoqëria civile, media dhe grupe të tjera të interesuara mund të punojnë së bashku për të përmbushur piketat dhe pritshmëritë e Bashkimit Europian. Sesioni me panelistët dhe ekspertët në diskutime mbuluan tema kyçe si të drejtat e njeriut, barazia dhe përfshirja, liria e shprehjes dhe medias, si dhe e drejta për informim dhe mbrojtja e të dhënave personale, me kontribute nga përfaqësues të institucioneve të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoritetit të Medias Audiovizive, Avokatit të Popullit, Shkollës së Magjistraturës, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile, media dhe akademia.
Paneli i fundit i Sesionit Plenar u zhvillua në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, ku në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian rekomandimet dhe gjetjet gjatë sesioneve tematike u prezantuan me përfaqësues të parlamentit, institucioneve shtetërore dhe aktorëve të shoqërisë civile.
Paneli hapës: Mbrojtja e të Drejtave dhe Lirive Themelore në Rrugën e Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian
Sesioni Plenar i Konventës Kombëtare për Integrimin Europian për periudhën 2023-2024 nisi me një panel mirëseardhjeje, me përfaqësues të institucioneve moderuar nga Noljan Lole, Gazetar, RTSH, u diskutua progresi që ka bërë Shqipëria, sfidat që mbeten dhe mënvrat se si institucionet publike, shoqëria civile, media dhe grupe të tiera të interesit mund të punojnë së bashku për të përmbushur piketat e BE-së në kuadër të respektimit të të drejtave themelore. Lole prezantoi të ftuarit, dhe nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për informim dhe pjesëmarrje qytetare për të kuptuar detyrat që duhen përmbushur në kuadër të integrimit europian.
Takimin e hapi, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), i cili theksoi se në kuadër te Konventës Kombëtare, janë organizuar nië sërë trvezash diskutimi mbi këto tematika në sinergji edhe me Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian. Gjipali u shpreh se Konventa Europiane është një platformë konsultimi dhe diskutimi mes aktorëve joshtetërorë me institucionet e vendit për anëtarësimin në BE-së. Synimi është që rekomandimet e nxjerra nga tryezat të shërbejnë për të çuar përpara procesin, për ta bërë më të afërt me grupet e interesit dhe qytetarëve. Ai theksoi se nuk është një proces që i takon vetëm administratës publike, ndërkohë që destinacioni ku duam të arrijmë është i qartë prej vitesh. Nga ana tjetër Gjipali theksoi se duhet rritur gjithëpërfshirja dhe informimi. Gjipali falenderoi ekspertët dhe kolegët dhe pjesëmarrësit, për interesin, bashkëpunimin dhe angazhimin për një dialog të hapur ku theksoi rëndësinë e këtij angazhimi qytetar dhe se sa i dobishëm është për të gjithë palët e interesuara.
Gjatë fjalës së tii, Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, theksoi rëndësinë e informimit dhe mbrojtjes së të dhënave si të drejta themelore, duke nënvizuar se ligii i ri nr. 104/2024 i harmonizuar me GDPR forcon standardet europiane. Ai theksoi se (progres) raporti i Komisionit Europian i vitit 2025 për Shqipërinë ka vlerësuar përparimin e konsiderueshëm, kuadrin ligjor të përshtatshëm dhe të përmirësuar. Ai u shpreh se e drejta për informim dhe mbrojtja e të dhënave personale janë të lidhura ngushtë me procesin e integrimit dhe janë kushte pa të cilën nuk mund të bëhemi pjesë e BE. Dervishi theksoi se mbrojtja e të dhënave personale është në avancim dhe se ka shtrirje në të gjitha fushat si ato ekonomike dhe shoqërore, por mbetet e nevojshme krijimi i kulturës së nevojshme për mbrojtjen e kësaj të drejte. Kontributi i zyrës së Komisionerit ka filluar që nga procesi screening duke ofruar modelin e parë të provës. Pikë kyçe në hartimin e legjislacionit ka qenë miratimi i ligjit 124/2024 për Mbrojtjen e të dhënave personale. Dervishi pohoi se kjo është arritje për zyrën e Komisjonerit e cila përmbushi e para një prej katërmbëdhjetë piketave të ndërmjetme për grupkapitullin e parë themelor. Sa i përket ligjit për te drejtën e informimit raporti citon se është në përputhje të gjerë me standardin europian. Por me rëndësi për Dervishin mbetet ngritja dhe fuqizimi i kapaciteteve institucionale për zbatimin efektiv të legjislacionit. Institucioni ka nevojë për burime njerëzore të kombinuara me ato financiare, dhe me realizimin e trajnimeve për të ngritur kapacitetet. Ai u shpreh që edhe pse ligji për Komisionerin është miratuar në 2014, Komisioneri është ngritur me kapacitet të plotë vetëm në 2022. Në fund ai theksoi që një rol të rëndësishëm duhet të luajnë edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat duhet të ushtrojnë me punën e tyre më shumë presion ndaj institucioneve publike.
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi mori fjalën duke nënvizuar që liria e shprehjes është një ndër shtyllat kryesore dhe standard i nevojshëm për anëtarësimin në BE. Krasniqi theksoi se institucioni është në një proces transformimi ligjor, ku po punohet edhe për hartimin e aktit të shërbimeve dixhitale të cilat i takojnë institucionit rregullator të medias. Por sipas Krasniqi, AMA vazhdon të mos ketë kompetencë të plotë mbi çdo lloj media duke përfshirë këtu median online dhe platfromat dixhitale të shpërndarjes së videove si (Youtube, TikTok, Facebook etj). Pavarësisht këtij boshllëku në legjislacion, AMA sërish ka luajtur një rol aktiv si ndërmjetës komunikimi mes qytetarëve dhe këtyre platformave. AMA gjatë vitit 2025 ka ndërmarrë iniciativën e rishikimit të gjithanshëm të ligjit 97/2013 i ndryshuar duke përfshirë analizën krahasuese të dispozitave ekzistuese. Në bashkëpunim me ekspertë homologë nga autoritetet europiane dhe me mbështetjen e institucioneve partnere AMA ka identifikuar hapësira ligjore të cilat kërkojnë harmonizim dhe konkretisht janë në fazën e konsultimit publik. Një nga fushat që ka shënuar progres në këndvështrimin institucional është transparenca e medias, pasi mund të evidentohet se kush është duke angazhuar para në media. Po ashtu është miratuar dhe një rregullore se si do të bëhet transparenca e strukturës pronësore e secilës media, ku sot ekziston një platformë e thjeshtë për tu përdorur që jep informacionin mbi transparencën e pronësisë së media dhe përfituesve fundorë. Krasniqi u ndal edhe tek sfidat për matjen e audiencës, të cilën e vlerësoi si një proces shumë kompleks. Ajo deklaroi që Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet që ende nuk e realizon matjen e audiencës, por kjo sipas saj nuk duhet parë thjesht si një detyrim shtetëror por synon dhe përfshirjen e vet industrisë së medias që të jetë proaktive për ta realizuar këtë proces. Si përfundim ajo theksoi dhe rolin dhe bashkëpunimin me aktorët e shoqërisë civile dhe aktivistët, ku me rëndësi sipas saj është fakti që si anëtarë të bordit të institucionit ka dhe përfaqësues nga shoqëria civile, duke synuar transparencën dhe pavarësinë e tij.
Olta Aliaj, Komisionere pranë Avokatit te Popullit, rikujtoi rolin thelbësor të institucionit në mbrojtien e të drejtave të njeriut dhe angazhimin për rritjen e efikasitetit dhe aksesit te qytetarëve ndai shërbimeve të tij. Ajo theksoi se kapitulli 23 është reflektim i vlerave mbi shtetin e së drejtës dhe në kuadër të procesit të negociatave, Avokati i Popullit ka dhenë kontributin e tij lidhur me pikat e ndërmjetme dhe në Komisionin Parlamentar mbi qeverisjen dhe sundimin e ligjit. Ligji për avokatin e popullit është i përputhur me standardet europiane, përveç nenit 28, u shpreh Aliaj i cili është evidentuar dhe në raport-progresin e Komisionit për vitin 2025 që lidhet me publikimin e raporteve vjetore të punës së institucionit dhe shqyrtimit nga Kuvendi. Problematikë mbeten mungesa e buxhetit, kapaciteteve njerëzore dhe zbatimi i rekomandimeve të avokatit të popullit. Rekomandime të pranuara dhe të zbatuara plotësisht sipas Aliaj, janë vetëm 23%, ndërkohë që ka 14% të rekomandimeve të pranuara, që janë të pazbatuara. Ajo nënvizoi që ka ende shumë punë për t’u bërë sidomos nga ana e Kuvendit për pjesën e rolit mbikëqyrës dhe monitorues lidhur me institucionet që zbatojnë pjesërisht rekomandimet e Avokatit të Popullit. Sfidë po ashtu mbeten efektet e e reformës ne drejtësi duke pasur tejzgjatje të proceseve gjyqësore, numri i lartë i të paraburgosurve, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve si dhe problematikat në zbatimin e legjislacionit.
Paneli i parë teknik i Sesionit Plenar të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, me temë “Promovimi i Barazisë dhe Përfshirjes – Qasje Praktike ndaj të Drejtave të Njeriut dhe Anti-Diskriminimit”, u përqendrua në përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për përmbushjen e standardeve në fushën e barazisë dhe anti-diskriminimit, si edhe në treguesit që përdoren për monitorimin e progresit. Gjithashtu, u trajtuan sfidat e zbatimit të politikave, sigurimi i pajtueshmërisë me kornizën ligjore dhe adresimi i boshllëqeve në promovimin e barazisë, duke nënvizuar rolin e OSHC- ve në mbështetjen, monitorimin dhe plotësimin e përpjekjeve institucionale.
Paneli, i moderuar nga Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), mblodhi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike që veprojnë në fushën e të drejtave themelore.
Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, theksoi se roli i organizatave të shoqërisë civile duhet të orientohet drejt dy funksioneve thelbësore: kontributit në proceset legjislative dhe pjesëmarrjes në mekanizmat vendimmarrës. Ajo vuri në dukje domosdoshmërinë e adresimit sistematik të margjinalizimit të grupeve vulnerabël, si dhe rëndësinë e mbledhjes dhe përdorimit të të dhënave të detajuara dhe të ndara sipas kategorive (të segreguara), të cilat përbëjnë bazën e hartimit të politikave gjithëpërfshirëse. Një shqetësim i veçantë lidhet me sigurimin afatgjatë të burimeve të qëndrueshme financiare për mbrojtjen sociale të qytetarëve. Mungesa e burimeve financiare ndikon drejtpërdrejt edhe në kapacitetin e organizatave të shoqërisë civile për të zhvilluar veprimtari avokuese, monitoruese dhe mbështetëse. Për sa i përket identifikimit të sfidave të tjera strukturore me të cilat përballen OShC-të, Skëndaj theksoi kostot e larta të hapjes së proceseve gjyqësore dhe kufizimet në kapacitetet njerëzore, të cilat shpesh pengojnë eficiencën e angazhimit të shoqërisë civile. Ajo tërhoqi vëmendjen edhe mbi kohëzgjatjen e tepërt të proceseve gjyqësore në vend, ku një çështje mund të kërkojë 6–7 vite për t’u shqyrtuar, si rezultat i akumulimit të konsiderueshëm të dosjeve të mbetura (backlog) në sistemin gjyqësor. Në vijim, Skëndaj nënvizoi rëndësinë e funksionimit të pandërprerë të institucioneve kyçe për mbrojtjen e të drejtave themelore. Ajo theksoi rëndësinë për rizgjedhjen në kohë dhe pa vonesa të Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke theksuar se këto institucione luajnë një rol kritik në garantimin e standardeve demokratike dhe mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut.
Klodiana Keta, nga Drejtoria për Hetimin Administrativ pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, u ndal te baza ligjore që garanton mbrojtjen ndaj diskriminimit mbi bazë race, feje apo gjinie. Ajo solli në vëmendje disa direktiva të BE-së, si: Direktiva 2000/43/EC, që kërkon ngritjen e organeve të barazisë dhe sigurimin e mekanizmave efektivë të ankimimit dhe sanksioneve; Direktiva 2006/54/EC, e cila siguron barazi gjinore në punësim dhe ndalon diskriminimin në paga, kushte pune dhe sigurime shoqërore. Keta theksoi se Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mbetet institucioni i vetëm përgjegjës për garantimin e mbrojtjes efektive kundër çdo forme diskriminimi, përmes: shqyrtimit të ankesave, hetimeve administrative, vendosjes së sanksioneve dhe përfaqësimit në gjykatë; monitorimit të zbatimit të ligjit dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik. Ajo informoi se gjatë vitit 2024 janë regjistruar 265 ankesa për shqyrtim, ndërsa në total KMD ka trajtuar 380 çështje (367 ankesa dhe 13 iniciativa ex-officio). Si përfundim, ashtu si shprehet edhe në raportin e Komisionit Europian, rastet e gjuhës së urrejtjes janë rritur ndjeshëm, dhe në vitin 2024, KMD vazhdoi të trajtonte një numër të qëndrueshëm rastesh, kryesisht në fushat e punësimit dhe të shërbimeve.
Aida Bushati, Lektore në Shkollën e Magjistraturës, theksoi se kjo shkollë, si institucioni i vetëm përgjegjës për formimin fillestar dhe të vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, luan një rol kyç në forcimin e standardeve europiane të të drejtave të njeriut dhe zbatimin e legjislacionit anti-diskriminim. Ajo sqaroi se institucionet europiane monitorojnë rregullisht Shkollën për cilësinë e kurrikulave, metodologjisë së mësimdhënies dhe transparencës së procesit të pranimit të kandidatëve. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ku gjyqësori shpesh nuk përballet me rritje të presionit institucional gjatë fazave të negociatave për anëtarësim, në Shqipëri nuk është reflektuar me të njëjtin intensitet. Megjithatë, Shkolla e Magjistraturës ka rritur numrin e moduleve që lidhen me të drejtat themelore, anti-diskriminimin dhe standardet e BE-së. Tematika të tilla përfshihen në trajnimin fillestar përmes lëndëve të së drejtës kushtetuese, praktikës gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së (GJED), por edhe përmes analizës së jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut (GJEDNJ). Ajo theksoi se trajnimi vazhdueshëm i magjistratëve në detyrë ka fituar një rëndësi të shtuar, veçanërisht lidhur me lirinë dhe barazinë, si një element thelbësor i konsolidimit të një gjyqësori funksional dhe të pavarur.
Idlir Peci, Lektor në Shkollën e Magjistraturës, shtoi se është e domosdoshme rritja e aksesueshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj të drejtës europiane, si në nivel teorik, ashtu edhe praktik. Sipas tij, Shkolla ka nisur të punojë me dosje konkrete dhe skenarë praktikë mbi çështje të diskriminimit, të cilat mbështeten në jurisprudencën më të fundit të GJEDNJ dhe GJED. Këto raste synojnë të zhvillojnë aftësitë analitike dhe interpretative të magjistratëve, duke i përgatitur ata për të trajtuar situata komplekse që lidhen me barazinë, gjuhën e urrejtjes dhe mbrojtjen e grupeve vulnerabël. Peci theksoi nevojën për zgjerimin e trajnimeve përtej Tiranës, veçanërisht në zona rurale ku mundësitë për formim profesional janë më të kufizuara, duke e bërë kështu përditësimin profesional më gjithëpërfshirës dhe të barabartë. Një element tjetër thelbësor, sipas tij, është ndërgjegjësimi i magjistratëve të rinj për peshën e pozicionit të tyre shoqëror dhe përgjegjësinë që mbajnë në garantimin e drejtësisë. Lektorët kanë detyrë të përcjellin praktika të mira dhe shembuj konkretë, pasi jo gjithmonë rastet teorike përputhen me dinamikat e realitetit gjyqësor. Ai theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e mësimit të teknikave që ndihmojnë gjyqtarët të mos abuzojnë me bindjen e brendshme dhe të jenë të mbrojtur ndaj presioneve të brendshme të sistemit gjyqësor apo ndikimeve politike si një element kritik për garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së vendimeve.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi bindjet e gjyqtarëve, të cilat mund të ndikojnë në paanshmërinë e vendimeve gjyqësore, si dhe eficenca e përzgjedhjes dhe pranimit të kandidatëve të kualifikuar përmes testimeve të pranimit në Shkollën e Magjistraturës. U ngrit pyetja nëse institucionet shqiptare po përgjigjen plotësisht ndaj kërkesave dhe risive ligjore në kuadër të procesit të integrimit europian.
Paneli i dytë teknik, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga shoqëria civile dhe institucionet publike, dhe nën moderimin e Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri, pati në fokus diskutimin mes lirisë së medias dhe shprehjes nga njëra anë, nevojës për transparencë dhe informim, dhe të drejtës për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale, si dhe ekuilibrit që duhet gjetur mes këtyre të drejtave.
Sami Nezaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, e hapi panelin duke sjellë vlerësimin e Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025, ku për Nezajn, prej disa vitesh Shqipëria është në stanjacion dhe nuk po bën progres sa i përket lirisë së shprehjes dhe medias. Ai më pas listoi cilat sipas tij janë problematikat kryesore me të cilat përballet media sot në Shqipëri, duke vënë theksin pikësëpari te nevoja që Shqipëria ka për një kuadër ligjor kombëtar të harmonizuar me Direktivën Anti-SLAPP. Ai theksoi se duhet punuar edhe për zbutjen e dënimeve në kuadër të shpifjes, të cilat shpeshherë i dëmtojnë gazetarët dhe i çojnë në autocensurë. Edhe pse për Nezajn nuk ka vetëm autocensurë, por edhe censurë në sferën mediatike shqiptare, çka është një tjetër problematikë që duhet të merret në konsideratë. Sipas tij, lidhjet e ngushta mes politikës, biznesit dhe pronësisë së medias bëjnë që media jo vetëm të autocensurohet, por edhe të censurohet kur preken interesa, duke krijuar një kontroll të lartë të medias në Shqipëri nga këto grupe. Nezaj e përfundoi fjalën e tij duke vendosur theksin edhe te një sfidë e re me të cilën media po përballet sot: dixhitalizimi dhe inteligjenca artificiale, ku sipas tij është e nevojshme rregullimi sidomos i mediave online, por edhe trajnimi i gazetarëve sa i përket risive teknologjike dhe përdorimit etik të inteligjencës artificiale.
Pas reflektimit të Nezajt, diskutimi u fokusua te puna e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ku Besa Velaj, Drejtore Kabineti pranë këtij institucioni bëri një pasqyrë të qartë të punës së zyrës së Komisionerit sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale. Ajo u shpreh që ka një volum të shtuar pune për shkak të intensifikimit të procesit të integrimit europian, raportimeve të shumta, monitorimeve, por edhe nismave të reja ligjore dhe nënligjore që po ndërmerren. Velaj u shpreh se nëse do të bëhej një krahasim se cila liri do të ishte më e rëndësishme midis së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe së drejtës për informim publik, do të duhej të prevalonte mbrojtja e të dhënave personale. Sot Shqipëria ka një ligj të harmonizuar me GDPR, i cili është ligji i parë që ka ndjekur edhe procedurën ex ante. Në kuadër të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim publik, Velaj nënvizoi që puna ka vazhduar për realizimin e një kodi etik posaçërisht për median dhe gazetarët, ku përcaktohet qartë balanca mes lirisë për t’u shprehur, së drejtës për informim dhe lirisë për mbrojtjen e të dhënave personale. Për Velajn, ashtu si për panelistët e tjerë, sfidues mbetet kryesisht menaxhimi dhe kontrolli i mediave online dhe rrjeteve sociale.
Mirela Oktrova, Kryetare e Këshillit të Ankesave pranë AMA pranoi gjithashtu që përveç autocensurës ekziston edhe censura, e cila u diskutua dhe u analizua më parë. Me rëndësi, u shpreh ajo, është të garantohet liria e shprehjes, dhe për këtë duhet të promovohet një edukim mediatik jo vetëm për gazetarët, por edhe për shoqërinë dhe aktorë të tjerë. Sipas saj, është një fije e hollë ajo që ndan censurën nga liria e shprehjes. AMA është përpjekur për këto fushata edukimi dhe ndërgjegjësimi, sidomos për rastet ku nuk ka kompetencë për të ndërhyrë në mënyrë ligjore. Me rëndësi është edhe edukimi ligjor i shoqërisë mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre. Rreth 75% e ankesave të ardhura në Komisionin e Ankesave vijnë nga persona që në një masë të konsiderueshme nuk e njohin ligjin dhe nuk janë të qartë çfarë kërkojnë. Oktrova bëri edhe një dallim të rëndësishëm midis asaj që quajmë interes publik dhe interesimit publik, ku shpeshherë janë ofruar informacione që nuk përbëjnë drejtpërdrejt interes publik. Për këtë arsye, është e rëndësishme një sjellje profesionale dhe etike e përfaqësuesve të medias kur ndajnë informacione për publikun e gjerë.
Sesioni plenar dhe panelet e tij tematike u shoqëruan me diskutime, pyetje të hapura dhe komente të ndara mes pjesëmarrësve nga shoqëria civile dhe grupe te tjera interesi dhe ekspertët dhe panelistët. Gjatë këtyre diskutimeve, sugjerimeve dhe analizave të të pranishmëve u përpilua dhe një dokument me rekomandime politikash të cilat u prezantuan në panelin e fundit realizuar në Kuvendin e Shqipërisë në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian.
Paneli i fundit, i organizuar në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) në mjediset e Kuvendit, synoi të adresojë rekomandimet e nxjerra gjatë diskutimeve në panelet e mësipërme në nivel parlamentar.



