Tryeza për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore: Zbatimi i Ligjit të Ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kontekstin e negociatave për Kapitullin 23: Dialog me Shoqërinë Civile dhe Sektorin Privat, 15 korrik 2025

U mbajt më 15 korrik 2025, takimi i Grupit të Punës për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian e cila mbështetet nga Bashkimi Europian. Takimi mblodhi rreth 40 pjesëmarrës – përfaqësues të shoqërisë civile, sektorit të biznesit, lektorë dhe profesionistë të ligjit – të cilët u përfshinë në mënyrë aktive në diskutime dhe dhënien e sugjerimeve për zbatimin sa më të rregullt e konkret të ligjit të ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i miratuar rishtazi në dhjetor 2024 dhe i përafruar me GDPR-në e BE.

Takimin e hapi me fjalën e saj përshëndetëse Blerta Nerguti, Sekretare e Përgjithshme pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Nerguti u shpreh se Zyra e Komisionierit ka  një rol të veçantë në procesin e negocimit të Shqipërisë në BE, duke qenë e pjesë e disa kapitujve, veçanërisht pjesë e në kapitullitn 23 ku është pesha më e madhe. Ajo përmendi ligjin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale, i miratuar në dhjetorin e kaluar, ku u shpreh se ky ligj i përafrohet standardeve të BE-së por që zbatimi mbetet akoma një sfidë.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), në fjalën e tij u shpreh se takime të tilla janë të rëndësishme për të krijuar ura bashkëpunimi dhe dialogu mes institucioneve publike dhe aktorëve jo-shtetërorë, të interesuar dhe të prekur nga proceset reformuese që po ndërmerren në kuadër të integrimit europian, të cilat janë intensifikuar me hapjen e negociatave për anëtarësim. Gjipali theksoi se këto ndërmarrje politikash dhe nismash ligjore, aq sa janë të rëndësishme për përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe për t’u konsideruar si kushte të realizuara për të ecur përpara me procesin, aq duhet të jenë edhe procese sa më gjithëpërfshirëse, duke u dhënë mundësi grupeve të ndryshme të interesit që jo vetëm të informohen, por edhe të bëhen pjesë e diskutimit dhe dialogut publik. Sidomos për ligje që prekin shumë sektorë dhe që janë teknikisht sfiduese, këto takime të përbashkëta luajnë një rol të rëndësishëm në ndarjen e eksperiencave dhe praktikave nga grupe dhe ekspertë të ndryshëm.

Pjerina Mema, Drejtore e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale , u shpreh se një nga objektivat e punës së Zyrës së Komisionerit është garantimi i mbrojtjes së të dhënave personale, duke hequr pengesat ekzistuese dhe duke siguruar mbrojtje nga institucionet përgjegjëse. Ligji i ri sipas Memas garanton mbrojten e të dhënave personale në mënyrë më efektive, si dhe në të njëjtën kohë rrit përgjegjshmërinë e subjekteve private apo kontrollueseve të këtyre të dhënave. Në përgjithësi ky ligj realizon një mbikëqyrje më efektive, ku kuadri ligjor është më gjithëpërfshirës ku dhe prezantohen disa elemente të reja, siç janë dhe dy të drejtat si: 1) e drejta për tu harruar dhe 2) e drejta për transferueshmërinë e të dhënave personale. Mema u shpreh gjithashtu që ky ligj parashikon dhe ndrëgjegjësimin e aktorëve të ndryshëm, duke qenë që të dhënat procesohen dhe përdoren nga sektorë dhe aktorë të shumëllojshëm, por edhe sanksione dhe penalizime në rastin ku gjenden shkelje të respektimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Për Meman është akoma e dukshme që ka një lidhje direkte ,ndërmjet vendosjes së sanksioneve dhe rritje së ndërgjegjësimit, ndërkohë që ajo u shpreh që puna e Komisonerit dhe jo vetëm po fokusohet gjithmonë e më shumë te informimi dhe ndërgjegjësimi, pa nevojën për dënime apo penalizime.

Në vazhdim, ishte Nerguti që mori sërish fjalën ku u fokusua te procesi i hartimit dhe miratimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të akteve nënligjore të tij, procesin konsultues të realizuar dhe si ky ligj është pjesë e masave të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit europian dhe negociatave.  Deri më tania jo u shpreh që janë miratuar 5 akte nënligjore, ndërkohë që vazhdon puna dhe për miratimin e tre akteve të tjera. Këto procese sipas Nergutit, janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e tjera përgjegjëse, sipas dhe tematikës dhe kapitullit, por një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe rekomandimet dhe orientimet të ardhura nga Komisioni Europian, si nga takimet e drejtpërdrejta ashtu dhe nga raportet e publikuara. Ajo u ndal dhe në piketat e ndërmjetme të vendosura për Kapitullin 23, ku disa nga këto kritere lidhen me fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Sa i përket ligjit të ri, Nerguti u shpreh që janë tre fusha ku puna e Komisionerit po përqendrohet: a) Përafrimi i legjislacionit kombëtar me GDPR dhe Direktivën e Policisë; b) Ndërtimi i kapaciteteve për zbatimin e kuadrit të ri ligjor mbi mbrojtjen e të dhënave personale; dhe c) Rritja e ndërgjegjësimit te kontrolluesit dhe përpunuesit në mënyrë që të sigurohet që ata të veprojnë në përputhje me ligjin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale. Ajo u shpreh se puna po vijon për miratimin e tre akteve nënligjore, që do e çojnë numrin e akteve në 8 në total.

Zuzana Motuzova, eksperte për GDPR dhe avokate nga Sllovakia, ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e Sllovakisë si një shtet anëtar i BE-së dhe mënyrën se si u përshtatën institucionet publike, por edhe aktorët jo-shtetërorë, pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të Rregullores së BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR), duke theksuar sfidat e hasura në praktikë për zbatimin e saj. Ajo solli në vëmendje se vështirësia e GDPR-së qëndron në faktin që ajo është e zbatueshme direkt, por në rastin e Sllovakisë, shumë shpesh institucionet publike e kanë interpretuar në forma të ndryshme, duke krijuar sfida dhe pasiguri. Nga ana tjetër, kanë vazhduar edhe duplikimet apo përplasjet mes legjislacionit vendas sllovak dhe GDPR-së, duke sjellë paqartësi dhe shkelje të neneve dhe standardeve të saj. Një tjetër sfidë, sipas saj, lidhet me faktin që fusha e mbrojtjes së të dhënave personale, sidomos me zhvillimet e shpejta teknologjike, kërkon jo vetëm ekspertizë ligjore, por edhe njohuri të thelluara mbi teknologjinë dhe sigurinë kibernetike. Në rastin e institucioneve publike sllovake, por edhe aktorëve të tjerë, kjo ka qenë sfiduese për të gjetur ekspertët e duhur që ta kuptojnë dhe zbatojnë ligjin. Në fund të prezantimit, ajo ofroi disa raste konkrete si praktika të mira, mësime të nxjerra dhe rekomandime si për institucionet publike përgjegjëse, ashtu edhe për sektorin e biznesit, shoqërinë civile dhe profesionistët ligjorë. Bazuar në përvojën e saj me zbatimin e GDPR-së në Sllovaki, Motuzova rekomandon këto pika për Shqipërinë: (1) të ofrojë udhëzime të thjeshta dhe praktike për pajtueshmëri; (2) të përqendrohet në përmbajtjen reale dhe jo vetëm në formalitetin e mbrojtjes së të dhënave; .  Për të, është e rëndësishme që sa më parë të nisë një proces ndërgjegjësimi dhe informimi mbi impaktin që ka ky ligj për të gjithë sektorët, aq më i lehtë do të jetë më pas procesi i zbatimit, duke promovuar atë që ajo e quajti – një kulturë të mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë dixhitale.

Në fund të prezantimeve, pjesëmarrësit u përfshinë në një diskutim aktiv me pyetje dhe komente mbi temat dhe çështjet e trajtuara. Interes i veçantë u tregua për procesin e hartimit dhe miratimit të akteve nënligjore të ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe për nevojën për ndërgjegjësim dhe udhëzime të qarta për zbatimin e tij të saktë, duke qenë se jo të gjithë aktorët jo-shtetërorë i kanë kapacitetet apo janë të ndërgjegjshëm për detyrimet që rrjedhin nga ky ligj. Edhe pse puna e bërë deri tani nga Komisioneri për informimin publik u vlerësua pozitivisht, pjesëmarrësit theksuan se duhet intensifikuar më tej, duke targetuar grupe të ndryshme të interest si dhe të rritet bashkëpunimi me mediat dhe AMA-n. Pati gjithashtu diskutime mbi nevojën për bashkëpunim mes shoqërisë civile, biznesit dhe Komisionerit për ngritje kapacitetesh dhe trajnimesh, si dhe për një koordinim më të mirë të punës mes institucioneve publike.