Tryeza për Kapitullin 23 – Prezantimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030, 02 tetor 2024

Më 2 tetor 2024, në mjediset e Tirana International Hotel, Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me  Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA) organizuan takimin konsultativ, organizuar në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian dhe Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian për  Kapitullin 23. Ky aktivitet erdhi si pasojë e një zhvillimi pozitiv dhe të rëndësishëm siç është hartimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit të Shqipërisë në BE dhe bëri bashke rreth 40 përfaqësues nga shoqëria civile dhe akademia. Strategjia përmban objektiva të rëndësishme dhe rezultate që parashikohen të realizohen në 7 vitet e ardhshme.

Fjalën e hapjes e mbajti Elona Bano, Drejtore e Integrimit dhe Negociatave në Ministrinë e Drejtësisë. Ajo përmendi si zhvillim mjaft pozitiv ftesën e ardhur nga  Këshilli Europian, në kuadër të presidencës hungareze, për Shqiperinë që të dorezojë qëndrimin e saj negociues për grupkapitullin e parë, ku përfshihet dhe kapitulli 23 dhe Kriteri Politik (funksionimi i institucioneve demokratike, nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të negociatave). Ajo theksoi se miratimi i strategjisë  ka disa qëllime dhe objektiva, ku me rëndësi janë ulja e backlogut të dosjeve në gjykata si dhe përfundimi dhe konsolidimi i procesit të vlerësimit të magjistratëve.

Në lidhje me risitë e strategjisë së re në kuadër të sfidave të procesit të integrimit europian, Tedi Dobi, Zëvendësministri i Drejtësisë, u shpreh se hartimi i Strategjisë së re të Drejtësisë u mbështet në një analizë të plotë të historikut të reformave në drejtësi duke synuar përmirësimin dhe rritjen e besimit tek ajo si objektiva kyçe për planin e veprimit. Me tej ai përmendi rëndësinë e harmonizimit të të gjithë procesit me rekomandimet e Komisionit dhe konsolidimin e kuadrit ligjor në përputhje me acquis e BE-së.

Me rëndësi në këtë takim, ishte edhe pjesëmarrja e profesorit të nderuar të jurisprudencës shqiptare Njazi Jaho, i cili në fjalën e tij shprehu nota optimizmi dhe theksoi rëndësinë e gjithë këtij procesi dhe se vlera e vërtete e tij ndodhet në efikasitetin e saj në praktikë duke pasur një sistem gjyqësor të pandikuar nga faktorë të tillë si korrupsioni, krimi i organizuar, apo dhe varësia nga pushtetet e tjera.

Më tej gjatë diskutimit, drejtori i përgjithshëm pranë Ministrisë së Drejtësisë Artan Kotro vuri theksin te qëllimet politike në të cilat Strategjia Ndërsektoriale është mbështetur siç janë: konsolidimi i arritjeve të reformës në drejtësi, forcimi i pavarësisë dhe paanshmërisë në sistemin e drejtësisë me qëllim eleminimin e ndikimeve të jashtme, rritja e efikasitetit të institucioneve me qëllim përmirësimin e kapacitetit të sistemit gjyqësor në tërësi dhe të organeve të tjera të drejtësisë si KLP dhe KLGJ. Konsolidimi sipas Kotros do të vijë pas realizimit dhe finalizimit me sukses të procesit të vetingut, nëpërmjet procesit të përmirësimit e rishikimit të kodeve dhe forcimit të kuadrit institucional. Ai vendosi fokusin dhe te nevoja që ka gjyqësori për të forcuar pavarësinë dhe llogaridhënien që mund të arrihen nga njëra anë duke fuqizuar autonominë e institucioneve të drejtësisë, dhe duke ngritur mekanizma llogaridhënës të fuqishëm për individët e përfshirë në sistem. Gjithashtu theksoi se me rëndësi si pjesë e qëllimeve është edhe forcimi i cilësisë së drejtësisë ku nis që me përmirësimin e kurrikulave dhe trajnimeve gjyqësore për magjistratët e deri te përmirësimi i performancës së tyre në gjykata. Kotro e përmbylli fjalën e tij me  rëndësinë e qëllimit për një drejtësi më  afër me qytetarët, për një sistem më transparent dhe të orientuar drejt nevojave të tyre.

Pas përfundimit të fjalës së panelistëve, takimi vazhdoi me pjesën më thelbësore të tij atë të diskutimeve dhe komenteve nga ana e aktorëve të shoqërisë civile, përfaqësuesve nga akademia apo sektori i biznesit. Gjatë diskutimit dolën në pah si pritshmëritë dhe rezultatet pozitive nga Strategjia dhe masat e ndërmarra, ashtu dhe u ofruan rekomandime konkrete dhe sugjerime të lidhura me përditësimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e besimit te institucionet e drejtësisë, vëmendje më e madhe ndaj grupeve specifike vulnerabël, rritje të masave për efektivitetin e gjyqësorit, rritje e bashkëpunimit dhe kontributit të shoqërisë civile apo akademisë dhe ekspertëve të pavarur, si dhe një monitorim sa më i saktë e i plotë me një metodologji të mirëpërcaktuar për zbatimin e Strategjisë dhe vlerësimin e indikatorëve dhe rezultateve të arritura.