EuroSpeak: ‘E drejta e grave në BE: Shëndeti seksual e riprodhues’ 25 mars 2021

 Më datë 25 mars EuroSpeak organizoi online aktivitetin informues me fokus ‘E drejta e grave në BE: Shëndeti seksual e riprodhues’. Ky ishte eventi i tretë i ciklit të aktiviteteve që po mbahen gjatë periudhës Janar – Maj 2021. Secili aktivitet do të trajtojë disa nga çështjet më me rëndësi që janë evidentuar nga autorët kontribues në EuroSpeak. Mundësimi i këtyre aktiviteteve bëhet nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).

Nirvana Deliu, Hulumtuese Politikash pranë EMA, përshëndeti pjesëmarrësit dhe bëri një përmbledhje mbi EuroSpeak si revista e parë shqip në Shqipëri që trajton çështjet e BE-së. Deliu dha informacione mbi rubrikat e EuroSpeak dhe mënyrën se si autorët mund të bëhen pjesë e thirrjeve për artikuj.

Dr. Gerta Mehmeti, lektore pranë Kolegjit Universitar Pavarësia Vlorë (KUPV) në prezantimin e saj foli për ndryshimet legjislative mbi abortin në Poloni dhe problemet bioetike që lidhen me të. Ajo tha se aborti për shkaqe ekonomike dhe sociale lejohet në disa vende të BE-së dhe së fundmi vendimi i Polonisë ishte për të ndaluar abortin edhe nëse fetusi kishte probleme. Mehmeti shtoi se në rastet e abortit stafi mjekësor ka mundësi të refuzojë kryerjen e kësaj procedure. Ajo tha se diskutimet më të mëdha ngrihen edhe për moshën fetale pasi disa vende nuk e lejojnë abortin pas zhvillimit të fetusit deri në një stad të caktuar. Në prezantimin e saj ajo përmendi edhe Rezoluta e 2008 ku thuhej se kufizimet që vendosin shtetet në lidhje me abortin kanë efekt diskriminues dhe se aborti nuk duhet parë si metodë e planifikimit familjar.  Në Rezolutën e 2020 thuhej se e drejta për akses në sistemin shëndetësor është universale.  Mehmeti foli dhe për statusin moral të fetusit, ligjin natyror dhe levizjet pro-life. Informacione të mëtejshme ajo dhaedhe për Deklaratën Konsensuale Pro-jetës (Pro-life) të Gjenevës të nënshkruar dhe nga disa vende europiane si Polonia, Hungaria dhe Gjeorgjia. Ajo përfundoi se aborti duhet parë si garanci për shëndet të mirë të gruas dhe ndalimi i tij lë vend për aborte të paligjshme.

Megi Reçi, Civil Rights Defenders bëri një përmbledhje të artikullit të saj lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Poloni, protestat dhe Rezolutën e Parlamentit Europian. Ajo tha se aborti më parë në këtë vend lejohej për tre shkaqe madhore: si rezultat i krimit, rrezikimit të shëndetit të gruas dhe defekteve fetale. Reci tha se BE i ka bërë thirrje shtetit polak që t’i ndalojë tentativat për ndalimin e abortit. Ajo e lidhi abortin dhe me të drejtën për kujdes shëndetësor të gruas si dhe solli në vëmendje që të drejtat e grave dhe vajzave po rrezikohen në shumë vende të botës dhe vihet re një përkeqësim i tyre në vitet e fundit.

Boris Belortaja, student Master i Avancuar në të drejtë Europiane dhe Ndërkombëtare  komentoi nga pikëpamja ligjore strukturën e vendimit të gjykatës polake. Ai tha se ideja e artikullit të tij ishte të jepte një perspektivë kushtetuese europiane dhe ndërkombëtare. Belortaja ceku se e drejta e nënës nuk gjendet në asnjë paragraf në ndryshimin legjislativ të Polonisë. Ai vuri në dukje faktin se nuk është atipike që të drejtat themelore të kenë konflikt mes tyre. Belortaja theksoi se qëndrimi i tij bazohet në jurisprudencën e Strasburgut (GJEDNJ) dhe Luksemburgut (GJED)edhe pse kjo e fundit nuk është e të drejtave të njeriut në themel. Ai shtoi se gjykata e Strasburgut udhëzon gjykatat e shteteve anëtare të përdorin teorinë e balancimit si pjesë e testit të proporcionalitetit. Në këtë rast duhet peshuar e drejta e nënës dhe e fetusit.

Diskutimet u ngritën mbi statusin e fetusit, rolin e babait, dilemat morale që lidhen me abortin dhe së fundmi pikëpamjet subjektive të pjesëmarrësve mbi të drejtë e gruas për abort dhe konceptit të fetusit e të drejtave të tij si qenie njerëzore.

Aktivitetin e gjeni online në Youtube:

https://www.youtube.com/watch?v=2yEXDItOo8Y