Takime avokuese në Bruksel, 24-26 shkurt 2026
Java e fundit e shkurtit 2026 (24–26 shkurt) shënoi zhvillimin e takimit të dytë avokues mes organizatave të shoqërisë civile shqiptare dhe institucioneve të Bashkimit Europian në Bruksel. Takimet rezultuan frytdhënëse dhe u fokusuan në ndarjen e pritshmërive, sfidave dhe prioriteteve të sektorit të shoqëris civile në kuadër të procesit të integrimit europian dhe negociatave të anëtarësimit, veçanërisht në një moment kur procesi është intensifikuar dhe ritmi i punës është rritur ndjeshëm.
Gjatë takimeve me përfaqësues të institucioneve të BE-së u theksua qartësisht se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e shoqërisë civile nënvizuan rolin monitorues dhe kontribues që po luajnë në proces, përmes rritjes së bashkëpunimit dhe dialogut me institucionet shtetërore, informimit të grupeve të interesit dhe ofrimit të ekspertizës në aspektet teknike të negociatave.
Gjatë takimit me Misionin e Shqipërisë pranë BE-së me ambasadorin Ferit Hoxha, diskutimi u përqendrua në hapat e ardhshëm të procesit të integrimit, përgatitjen dhe miratimin e IBAR-it, si dhe fillimin e punës për mbylljen e kapitujve të parë gjatë vitit 2026. U theksua rëndësia e vazhdimit të dialogut mes institucioneve përgjegjëse për negociatat dhe aktorëve jo-shtetërorë, si dhe nevoja për një komunikim më të qartë, më të thjeshtë dhe gjithëpërfshirës të procesit për grupet e interesit që ende nuk janë plotësisht të informuara apo të përfshira. Gjithashtu, u evidentua domosdoshmëria e krijimit të një ure më të fortë komunikimi mes shoqërisë civile në Shqipëri dhe asaj në BE, për të rritur sinergjitë dhe shkëmbimin e eksperiencave. Organizatave të shoqërisë civile shqiptare u kërkua më shumë dialog direkt me Komisionin Europian, u theksua se transparenca është e nevojshme për parapërgatitjen dhe kuptimin e efektit të reformave, dhe u diskutua mbi mënyrat për të bërë kontributin e OSHC-ve më të dukshëm dhe të dëgjueshëm.
Në takimin pranë Komitetit Ekonomik dhe Social Europian (EESC) me David Hoic, Oficer i Politikave për Ballkanin Perëndimor, diskutimi u fokusua në rëndësinë e përfshirjes së vendeve aspiruese në strukturat konsultative të Bashkimit Europian, duke e konsideruar këtë si një vlerë të shtuar të konsiderueshme për zhvillimin dhe fuqizimin e shoqërisë civile të vendeve kandidate. U theksua se pjesëmarrja aktive e organizatave jo-qeveritare nga këto vende jo vetëm që rrit legjitimitetin e procesit të integrimit, por edhe i jep mundësi shoqërisë civile të ndikojë në vendimmarrjen dhe të ofrojë ekspertizën e saj teknike dhe strategjike. Për më tepër, u vlerësuan pozitivisht proceset dhe rezultatet e takimeve në kuadër të ECMS dhe JCC, duke nënvizuar se kontributet e shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor kanë qenë të qarta, konkrete dhe të drejtpërdrejta, duke ndihmuar në avancimin e dialogut, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e transparencës në procesin e integrimit europian.
Takimi me përfaqësuesit e Komisionit Europian, DG ENEST dhe Isabella Torta, udhëheqëse e njësisë për Shqipërinë, u përqendrua në progresin e reformave në fushën e shtetit të së drejtës dhe rolin e shoqërisë civile në këtë proces. U diskutua mbi nevojën për më shumë transparencë, dialog të strukturuar dhe mundësi përfshirjeje nga ana e institucioneve publike përgjegjëse për negociatat. Përfaqësuesit e shoqërisë civile ndanë vlerësimet dhe shqetësimet e tyre lidhur me sfida konkrete, si zbatimi i hartës së re gjyqësore, lufta kundër korrupsionit, funksionimi i institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe nevoja për përfshirjen dhe informimin më të gjerë të komunitetit të biznesit, medias, të rinjve dhe akademisë. U diskutua gjithashtu se si të komunikohet procesi i integrimit në Shqipëri më qartë, më thjeshtë dhe në mënyrë që të përfshijë të gjitha grupet e interesit. Procesi po ecën shpejt, gjë që ka krijuar presion për të gjitha sektorët e shoqërisë, jo vetëm për administratën publike, por edhe për aktorët e tjerë që duhet të ndjekin ritmin, të informohen dhe të dinë si të kontribuojnë, duke u ndërgjegjësuar për efektet e reformave. U theksua gjithashtu nevoja për fonde që të mundësojnë ekspertizë dhe hulumtime për OSHC, sidomos në çështjet kyçe ku mungojnë ekspertët. Fokus kryesor mbeten kapitujt 23 dhe 24, por duhet të ketë një vëmendje të shtuar edhe kapitulli 32, i cili cilësohet parakusht për funksionimin e plotë të këtyre dy kapitujve, aktualisht pak i diskutuar në Shqipëri dhe ku mungon ekspertiza lokale. Përfaqësuesit e shoqërisë civile gjithashtu sugjeruan mundësinë e krijimit të urave direkte të komunikimit dhe konsultimit me Komisionin Europian, online dhe me takime ballë për ballë, për të forcuar legjitimitetin dhe përfshirjen e OSHC-ve në proces. U theksua nevoja për një komunikim të qartë dhe të shpejtë nga ana e institucioneve publike, i cili jo vetëm të jetë i aksesueshëm, por edhe lehtë i kuptueshëm.
Një takim i veçantë u zhvillua me përfaqësues të International IDEA me Sam van der Staak, Drejtor Rajonal për Europën, dhe Blerta Hoxha, Menaxhere Programi për Ballkanin Perëndimor, ku u diskutuan mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria civile si në Shqipëri, ashtu edhe në nivel europian, si dhe nevoja për më shumë bashkëpunim dhe sinergji ndërkombëtare. Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e gjetjes së mundësive të bashkëpunimit, duke pasur parasysh sfidat e përbashkëta. OSHC-të duhet të fokusohen gjithashtu tek zhvillimet dhe prioritetet e BE-së për t’i përkthyer ato në prioritetet kombëtare, si për shembull Democracy Shield, zhvillimet në fushën e shtetit të së drejtës, dixhitalizimi, media dhe inteligjenca artificiale.



