ISUV_Vizitë Studimore “Funksionimi në praktikë i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) dhe roli i tij në garantimin e sigurisë ushqimore”, 21 prill 2026
Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Qendra ALERT në bashkëpunim me Insitutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, organizuan një vizitë studimore në mjediset e ISUV-it, me qëllim njohjen nga afër me veprimtarinë e institutit dhe funksionimin e pesë departamenteve përbërëse të tij. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, ekspertë të pavarur të sigurisë ushqimore dhe profesionistë të rinj, të interesuar për të kuptuar më mirë rolin e ISUV-it, si një laborator kombëtar reference, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili disponon rreth 1945 teste të akredituara, sipas ISO 17025:2017 dhe standardeve të BE-së.
Gjatë fjalës hyrëse, Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv, Qendra ALERT, theksoi se ISUV është një qendër reference, por sistemi laboratorik dhe i testimit është shumë më i gjerë dhe ISUV është institucioni që mbikëqyr të gjithë këtë sistem. Ai më tej shtoi se laboratorët duhet të jenë të akredituar, por në treg funksionojnë edhe laboratorë privatë. Në këtë pikë, është e rëndësishme të kuptohet më qartë i gjithë zinxhiri, problematikat kryesore që hasin operatorët e biznesit ushqimor dhe më pas perceptimi i riskut nga konsumatori, sepse perceptimi nuk është gjithmonë i lidhur me realitetin.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), nënvizoi se nëpërmjet kësaj vizite studimore preket edhe pjesa e zbatimit praktik e standardeve, sidomos në laboratorë dhe në sistemin e sigurisë ushqimore. Kjo është një çështje që na prek drejtpërdrejt si qytetarë, si konsumatorë dhe si persona të interesuar për këtë fushë, jo vetëm si pjesë e procesit të integrimit, por edhe në raport me shëndetin tonë. Ai u shpreh se bashkëpunimi i vazhdueshëm me median është shumë i rëndësishëm, sepse përmes komunikimit publik procesi nuk duhet të mbetet vetëm teknik. Nuk mjafton vetëm nënshkrimi i traktatit të aderimit në BE; ky është një proces në vazhdimësi dhe qytetarët kanë nevojë për informim të vazhdueshëm edhe pas anëtarësimit.
Më tej, Znj. Jonida Boçi, Drejtore e Përgjithshme, ISUV, gjatë prezantimit të saj, sqaroi se përmes analizave dhe kontrolleve të vazhdueshme, ISUV siguron cilësinë e zinxhirit agro-ushqimor, garanton sigurinë e produkteve dhe mbron shëndetin e kafshëve dhe biodiversitetin. Kjo rrit besimin e konsumatorëve, mbështet prodhuesit vendas dhe forcon konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare. Ajo sqaroi se nëse nuk kemi ferma sipas standardeve të BE-së, kafshë dhe bimë të shëndetshme, nuk mund të kemi siguri ushqimore, pasi gjithçka lidhet me produktin final që del në treg. Në këtë zinxhir qëndron ISUV, ndërsa nga ana tjetër edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), i cili kontrollon sigurinë ushqimore për produktet që tregtohen brenda vendit dhe eksportohen jashtë. Ruajtja e ekuilibrave mes veprimtarisë së operatorëve të biznesit ushqimor dhe shtetit është shumë e vështirë në këtë fushë, por është realizur një punë e madhe në këtë drejtim. Për shembull, në vitin 2006 filluan kërkesat nga operatorët e biznesit për eksportin e peshkut dhe molusqeve, në një kohë kur Shqipëria kishte ende njohuri të kufizuara mbi mënyrën se si funksiononte BE-ja dhe standardet e saj. Ndërkohë, në vitin 2011 arritëm të kishim legjislacion të harmonizuar dhe progres konkret në këtë fushë, megjithëse procesi i integrimit mbetej ende i paqartë. Përmes trupës italiane të akreditimit, u arrit të siguroheshin gjashtë analizat e para të akredituara për këtë lloj eksporti. Këtu vlen të përmendet se procesi i akreditimit është shumë i ndërlikuar dhe zë rreth 70% të punës së institucionit, dhe në atë kohë trupa italiane ishte shumë kërkuese dhe detajiste. Më pas, kur trupa shqiptare e akreditimit u njoh nga organizmat europianë për certifikimin e laboratorëve, procesi u bë më i lehtë për vendin tonë. Më tej, znj. Boçi theksoi se është krijuar një departament i menaxhimit të cilësisë, i cili funksionon pikërisht për procesin e akreditimit. Ky departament realizon auditime të brendshme gjatë gjithë vitit për të gjitha pikat e rëndësishme, para ardhjes së trupave akredituese.
U nënvizua se ndryshimi i standardeve dhe kritereve vjen si rezultat i politikëbërjes dhe këto standarde janë të detyrueshme për operatorët e biznesit ushqimor. Për shembull, ekziston një plan mbetjesh për produktet me origjinë shtazore. Sot eksportet shqiptare lidhen më shumë me produktet me origjinë bimore dhe ende, për shkak të kapaciteteve prodhuese, nuk kemi hapur tregje në BE për eksporte të produkteve me origjinë shtazore, jo për shkak të mungesës së politikave apo kapaciteteve institucionale. Pra, nuk lidhet vetëm me përmbushjen e standardeve, por edhe me kapacitetin prodhues për të përballuar kërkesën në rritje të tregut. Përveç legjislacionit dhe inspektimeve, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka pasur një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve njerëzore. AKMBV dhe AKU kanë burime njerëzore për inspektimet, por ngritja e kapaciteteve duhet të zhvillohet vazhdimisht në terren, duke nisur që nga fermeri dhe ndërgjegjësimi i tij për sigurinë ushqimore.
U sqarua më tej se qeveria shqiptare ka disa strategji për sigurinë ushqimore dhe bashkëpunon me organizata të ndryshme ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë, përmes workshop-eve dhe programeve të ndryshme. Për këtë arsye është futur edhe kuadri “One Health”, ku përfshihet edhe Ministria e Mjedisit. Një hallkë tjetër shumë e rëndësishme është sistemi laboratorik. ISUV është laboratori qendror kombëtar për sigurinë ushqimore dhe mbulon programet kombëtare, monitorimin e sëmundjeve, si dhe raportimet e detyrueshme në organizatat ndërkombëtare për sëmundjet me ndikim ekonomik dhe kufitar. Sot shtrohet pyetja nëse kemi më shumë nevojë për kapacitete kontrolli apo për burime njerëzore. Në fakt kemi nevojë të jemi të aftë të kontrollojmë në mënyrë efikase. U theksua se ka rregullore për çdo proces dhe operatorët e biznesit kanë detyrimin t’i zbatojnë ato, ndërsa shteti ka detyrimin të kontrollojë zbatimin e tyre për të garantuar një produkt të sigurt. Rrjedhimisht, operatorët e biznesit nuk kanë më pak përgjegjësi se shteti shqiptar për sigurinë e produktit që hedhin në treg. Në këtë mënyrë kuptohet se siguria ushqimore nuk është kurrë absolute; edhe nëse plotëson standardet, problematika mund të ketë gjithmonë, sepse gjithçka lidhet me reagimin e kafshëve, produktit dhe gjithë zinxhirit. Për këtë arsye edhe strategjia e komunikimit me publikun është shumë e rëndësishme.
Drejtoresha sqaroi gjithashtu se kemi 7 laboratorë rajonalë, ku 4 prej tyre janë më të fuqizuar, dhe, në bashkëpunim me projektin e Bankës Botërore, si edhe me dy projekte të tjera të BE-së, është punuar intensivisht për strategjinë e laboratorëve rajonalë. Në fillim nuk ishin të qarta nevojat konkrete, ndaj janë analizuar modele të ndryshme europiane. Fillimisht u mor në konsideratë modeli irlandez, ndërsa më pas fokusi kaloi te modeli kroat, pasi konsiderohet më i përshtatshëm dhe më afër realitetit shqiptar. Në këtë proces janë marrë në konsideratë shumë indikatorë, sepse numri i laboratorëve nuk do të thotë domosdoshmërisht që ke më shumë kapacitete; në disa raste mund të tregojë edhe mungesë efikasiteti në kontroll. Sipas vlerësimeve të atëhershme, 1–2 laboratorë të fuqishëm do të ishin të mjaftueshëm për Shqipërinë për t’iu përgjigjur edhe rasteve të alarmeve nga institucionet ndërkombëtare apo AKU, jo vetëm për eksportet, por edhe për importet, të cilat paraqesin të njëjtat problematika.
Për sa i përket strukturës së ISUV-it, përveç Departamentit të Menaxhimit të Cilësisë, ka edhe katër departamente të tjera kryesore. Për të shmangur kontaminimet e kryqëzuara, laboratori funksionon me standarde shumë të larta biosigurie dhe me sistem të mbyllur. Zona e pritjes së kampionëve është e organizuar sipas standardeve të sigurisë dhe nuk ka kontakt me materialet biologjike apo kafshët e ngordhura. Dikur laboratorë të tillë ndërtoheshin jashtë zonave urbane, ndërsa sot funksionojnë edhe brenda qyteteve, duke respektuar standardet moderne të biosigurisë. Një nga departamentet kryesore është
Departamenti i Mbrojtjes së Shëndetit të Bimëve, i cili mbulon çështjet që lidhen me shëndetin bimor dhe pesticidet. Një tjetër departament është ai i Toksikologjisë dhe Cilësisë, me monitorimin e mbetjeve në produktet me origjinë shtazore dhe kafshët e gjalla. Ndërkohë, Departamenti i Mikrobiologjisë Ushqimore merret me parametrat higjienikë dhe kriteret e higjienës sipas standardeve HACCP. Ky departament ka nisur procesin e akreditimit që në vitin 2011 dhe aktualisht ka mbi 100 teste të akredituara. Gjithashtu përfshin sektorin e ujërave, akuakulturës, molusqeve, rezervateve të peshkut dhe lagunave, si edhe sektorin e cilësisë së produkteve industriale.
Gjatë sesionit të diskutimit, pjesëmarrësit ngritën shqetësime mbi nevojën për të kuptuar më qartë të gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore, problematikat kryesore që hasin operatorët e biznesit ushqimor, si edhe perceptimin e riskut nga konsumatori, duke theksuar se perceptimi publik nuk është gjithmonë i lidhur drejtpërdrejt me realitetin. U nënvizua gjithashtu se është e pamundur të ketë inspektorë për çdo subjekt në treg dhe se inspektimet realizohen mbi bazën e vlerësimit të riskut.
Në diskutim u trajtua edhe procesi i akreditimit të ISUV-it nga trupa të huaja akredituese. U sqarua se ky proces ka funksionuar deri në vitet 2020–2021, por për shkak të kostove shumë të larta është ndryshuar qasja. Ardhja e trupës italiane të akreditimit kushtonte rreth 10 000 euro dhe procesi realizohej nga “Italian Accreditation Body”. Zgjidhja erdhi pasi trupa shqiptare e akreditimit u njoh nga organizmat europianë dhe mori certifikimin përkatës. Për këtë arsye, sot ISUV aplikon standarde shumë më strikte edhe ndaj laboratorëve privatë. U theksua se një laborator privat nuk mund të autorizohet për kontrolle zyrtare pa miratimin e ISUV-it, ndërsa ministria jep autorizimin vetëm pas këtij vlerësimi.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e analizave mikrobiologjike për mbetje dhe kontaminantë, si dhe mundësia që ISUV të realizojë analiza për paketimet që janë në kontakt me ushqimin. U sqarua se Ministria e Bujqësisë e Zhvillimit Rural ende nuk e ka nisur zyrtarisht këtë proces, megjithatë, për shkak të kërkesave të reja, është zgjeruar lista e kontaminantëve që analizohen. Aktualisht ofrohen kryesisht parametra mikrobiologjikë për sëmundjet virale dhe jo bakteriale.
U diskutua gjithashtu se fusha e mbetjeve është aktualisht e centralizuar në ISUV. Laboratori i Fierit pritet të fokusohet në analizimin e mbetjeve të pesticideve për produktet e serrave, pasi aty përqendrohet pjesa më e madhe e prodhimit, ndërsa një laborator tjetër në Shkodër është planifikuar për analizimin e mbetjeve të pesticideve në bimët medicinale. U theksua se ISUV është i akredituar për analizimin e mbetjeve të pesticideve në bimët medicinale dhe aktualisht mbulon rreth 250 parametra.
Diskutimet u fokusuan edhe te problematikat kryesore që hasin operatorët e biznesit ushqimor, veçanërisht për produktet me origjinë shtazore, si dhe laboratorët që përdorin për analizat. U sqarua se operatorët e biznesit ushqimor kategorizohen sipas standardeve që plotësojnë dhe kapaciteteve eksportuese, ndërsa edhe fermat kategorizohen sipas numrit të krerëve dhe standardeve të stabilimenteve, pasi kjo lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e produktit final. U theksua se përgjegjësia për ruajtjen e standardeve brenda stabilimenteve bie mbi vetë operatorët e biznesit. Në momentin që biznesi kryen autokontrollin, ai garanton sigurinë e lotit që nxjerr në treg. Ndërkohë, ISUV realizon kontrolle zyrtare në tregje, ferma dhe pika kontrolli. Në rastet kur konstatohet manipulim apo probleme në analizat e laboratorëve privatë dhe produkti kapet me mbetje gjatë eksportit, kostot dhe përgjegjësitë bien mbi operatorin e biznesit, duke përfshirë edhe kostot e asgjësimit të mallit. Në këto raste operatori futet në listën e monitorimit nga autoritetet shqiptare.
Në diskutim u përmend edhe rasti i Kroacisë, ku gjatë procesit të përafrimit me standardet europiane një pjesë e madhe e prodhuesve të qumështit dolën jashtë tregut. Për këtë arsye, sektori i qumështit është identifikuar edhe në dokumentin e pozicionit të përbashkët të BE-së për Grupkapitullin 5 si një sektor që kërkon rregullim dhe vëmendje të veçantë. Gjithashtu u theksua se procesi i përafrimit duhet trajtuar me kujdes, pasi zbatimi i standardeve kërkon kohë edhe pas miratimit të legjislacionit.
Pas përfundimit të diskutimeve, u zhvillua një vizitë njohëse në laboratorët e ISUV-it, përfshirë laboratorin e liquid-kromatografisë për analizën e medikamenteve; ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me procedurat e testeve e mënyrën e trajtimit të kampionëve.
*Kjo vizitë studimore zhvillohet në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).



