Sesion informimi mbi udhëzuesit për monitorimin e reformave të shtetit të së drejtës në kuadër të procesit të integrimit europian dhe përfshirja e shoqërisë civile, 2 prill 2026

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), zhvilloi më datë 2 prill 2026 një sesion informimi për prezantimin e Udhëzuesve të monitorimit të reformave të shtetit të së drejtës, konkretisht për Kapitullin 24 – Drejtësia, Liria, Siguria, dhe për Reformën e Administratës Publike – Kriteri Politik. Të ftuar ishin hartuesit e këtyre udhëzuesve, dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile, administratës, akademisë, grupeve të tjera të interesit, etj.

Gjatë fjalës së saj hyrëse, Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti, EMA, parashtroi rëndësinë e udhëzuesve  të monitorimit të reformave të shtetit të së drejtës,  nga ana metodike dhe praktike, pasi iu vijnë në ndihmë përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe akademisë në monitorimin e vazhdueshëm të reformave që po ndërmerren në kuadër të procesit të integrimit, duke sjellë edhe shembuj praktik siç është në rastin e Udhëzuesit për RAP ku sillen raste analogjike nga Strategjia Kombëtare për Reformën e Administratës Publike 2024 – 2030. Përveç Këtyre dy udhëzuesve, janë hartuar gjithashtu edhe tre të tjerë në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian”, si Udhëzuesi për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, për Funksionimin e Institucioneve Demokratike dhe për Kriterin Ekonomik, duke marrë shkas nga përshpejtimi i procesit dhe tashmë gjendemi në një fazë kulminante siç është pritja e raportit IBAR (Interim Benchmark Assessment Report) për Kapitullin 23 dhe 24 nga Komisioni Europian dhe vazhdimi me hapat e tjerë.

Geron Kamberi, Ekspert për Integrimin Europian, fillimisht, para prezantimit të udhëzuesit për Kapitullin 24 – Drejtësia, Liria, Siguria, paraqiti rëndësinë e Grupkapitullit 1 – Themeloret në procesin e integrimit, që hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Ai theksoi se që prej tetorit 2012 me Strategjinë e re të Zgjerimit dhe më pas më 5 shkurt 2020 me prezantimin e Metodologjisë së Re të Zgjerimit, qasja “fundamentals first” e ka vendosur fokusin te përmbushja e standardeve të shtetit të së drejtës. Pas 15 tetorit të 2024 me hapjen e negociatave për Grupkapitullin 1 – Themeloret, vendi ynë do duhet të  jetë akoma dhe më i përgatitur  për të korrigjuar çdo problematik që kërkohet nga BE-ja për t’u plotësuar, por edhe të përmbushur standardet e parashikuara në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës, hartuar nga qeveria shqiptare si piketë hapëse gjatë procesit të shqyrtimit (screening process). Pas kapërcimit të këtyre sfidave, Komisioni Europian vendos të japi miratimin për ecurinë e procesit të integrimit të vendit në BE, por mund të ndodhi që të vendosi sërish piketa nësë shikon se nuk janë bërë korrigjime të mjaftueshme, si është rasti për Kapitullin 23 dhe 24 ku pas vlerësimit të marrë nga raporti IBAR për përmbushjen e piketave të ndërmjetme, BE-ja mund të vendos piketa mbyllëse për këta kapituj. Kamberi theksoi më tej se politikat e BE-së synojnë që kjo e fundit të vazhdojë të jetë një zonë drejtësie, lirie dhe sigurie. Në këtë aspekt, Kapitulli 24 përfshin nënfusha si  lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër trafikimit të qenieve humane, bashkëpunimi gjyqësor në çështje penale e civile, politikat e azilit, migracionit,  ku BE kërkon kapacitete administrative.

Në kuadër të Udhëzuesit, Kamberi theksoi se monitorimi i kuadri strategjik dhe institucional janë ndër pikat kryesore që mund t’i përgjigjemi përmbushjes së piketave të ndërmjetme. Kuadri strategjik kombëtar përditësohet vazhdimisht me miratimin e strategjive të reja, të cilat duhet të përmbushin standardet e dokumente politike të BE-së. Në këtë drejtim, monitorimi i planeve të veprimit të strategjive dhe përditësimi i tyre me planet kohore të duhura ka rëndësi për Kapitullin 24. Ndër strategjitë e përmendura në këtë fushë janë Strategjia Kombëtare për Migracionin 2024 – 2030; Strategjia Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024 – 2030, Strategjinë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Kufirit 2021 – 2027, etj. Kamberi theksoi se koordinimi institucional i punës për hartimin e strategjive realizohet nga Grupi Ndërinstitucional i Punës (GNPIE). Kamberi e solli vëmendjen po ashtu edhe te monitorimi institucional, në të cilën  përfshihen 19 struktura , ku bashkëpunimi midis tyre është i pashmangëm, kuk përfshihen përveç Ministrive si ajo  e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria për Europën dhe Punë e Jashtme, edhe agjensi të pavarura, që raportojnë para Kuvendit si Autoriteti i Mediave Vizuale (AMA), Instituti i Statistikave (INSTAT), etj. Në këtë aspekt, Kamberi përmendi se Ministria e Brendshme si institucioni përgjegjës për këtë kapitull në procesin e negociatave, i nënshtrohet monitorimeve të vazhdueshme nga Komisioni Europian i ndarë në tre nivele, i parë në monitorimin e realizimit të aktiviteteve; i dytë me monitorimin e realizimit të aktiviteteve të  nënfushave të Kapitullit 24 dhe niveli I tretë me realizimin e përgjithshëm të aktiviteteve.

Rrjedhimisht, monitorimi që mund të realizohet nga përfaqësuesit e shoqërisë civile duke u bazuar në këtë Udhëzues të hartuar nga ne, mund të përqëndrohet dhe të përmbushë kapacitetet për 1) rekuperimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale dhe ngritja e Zyrës për Rekuperimin e Aseteve; 2) luftën kundër drogës për integrimin e një mekanizmi të ri për identifikimin e drogave të reja dhe monitorimi i fazave të ngritjes së një Observatori Kombëtar për Drogat;, 3) rritjes së sulmeve kibernetike me tregues kryesor monitorimi kriminalizimin e të gjitha formave të abuzimit seksual të fëmijëve në internet dhe zbatimi i Planit të ri të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore; 4) monitorim të kujdesshëm ndaj politikave migratore dhe hartimin e zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Migracionin. dhe së fundi montorimin në fushën e luftës kundër  pastrimit të parave me ndjekjen e nivelit të përdorimit sistematik të hetimeve financiare në rastet e krimeve të rënda dhe të organizuara.

Për sa  i përket monitorimit të treguesve të strategjive sektoriale të Kapitullit 24, Kamberi nënvizoi se duhet të përmbajë afatet dhe të dhënat e caktuara lidhur me një aspekt të politikës sektoriale dhe si janë përmbushur detyrimet që burojnë nga procesi i integrimit europian.,  Së dyti, duhet të identifikohen treguesit e matjes së përformancës për çdo objektiv të strategjisë, të cilët do të përdoren në matjen e progresit. Kamberi sqaroi se duhet të identifikohen tregues shtesë që masin progresin e objektivave që nuk janë përfshirë në strategji.Së treti, identifikimi i të dhënave dhe burimet  e tyre sipas një formule të rregullt matjeje dhe më pas analizimi i tyre  bëhet për secilin tregues matës në bazë të metodologjisë duke krahasuar rezultatet me vlerat e dhëna. Burimi i të dhënave mund të jenë edhe raportet e përpiluara nga organizatat ndërkombëtare, përveç atyre të prodhura nga institucionet vendase.  Dhe në fund, i gjithë raporti i monitorimit të dokumentit strategjik duhet të ketë një strukturë të qartë. Në përfundim, Kamberi shtoi se mqns këto raporte monitorimi realizohen për të identifikuar përmbushjen e reformave të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit europian, është e rëndësishme të kuptojmë që ka një ndryshim midis anëtarësimit dhe integrimit.

Eniana Qarri, Lektore e së Drejtës, Fakulteti i Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës, prezantoi dhëzuesin për Reformën në Administratën Publike duke theksuar se reforma në administratën publike është përmbushëse ndaj kritereve të BE-së dhe po ashtu funksionale dhe themelore për vetë shtetin, pasi ka lidhje direkte me qeverisjen Duke qenë se hendeku lidhet me përputhshëmërinë formale me atë që zbatohet në praktikë,  monitorimi merr  një rëndësi të veçantë, pasi garaton transparencë, llogaridhënië dhe politika të bazuara në të dhëna, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë nëse reformat realisht funksionojnë. Më pas, Qarri vazhdoi me prezantimin e metodologjisë së përdorur për hartimin e këtij udhëzuesi duke theksuar se pyetje si mund të monitorohet RAP në mënyre eficente apo si lidhet monitorimi me procesin e integrimit, kanë orientuar strukturën. Kjo metodologji mbështetet në Monitoring & Evaluation; standardet e OECD/SIGMA dhe qasjen e IPA III. Qarri u ndal te analizimi në  tre drejtime  për monitorimin e RAP,  ku përfshihen monitorimin e procesit të politikëbërjes, pra mënyrën se si hartohen politikat; monitorimin e përputhshmërisë me  standartet e BE-së  e cila lidhet me analizën nëse kuadri ligjor është funkisonal, dhe së fundmi monitorimi i rezultateve ku maten ndikimet reale që kanë pasur këto monitorime. Instrumentat për zhvillimin e monitorimit të RAP, që u përmendën si të përfshirë në udhëzues janë Indikatorët SMART, matrica e monitorimit, checklist për OSHC, dhe modele të shadow reports. Në përfundim, Qarri theksoi se roli i OSHC-ve është kyç për procesin e monitorimit, ku në mënyrë të pavarur monitorojë dhe rrisin llogaridhënien, pasi kështu krijohet  një dialog institucional dhe advokon. Ndër sfidat e monitorimit të përmendura lidhen mësë shumti me mungesën e transparencës, qasje në të dhëna të kufizuara, zbatim i dobët, kapacitete të kufizuara, por megjithatë RAP është kyç për procesin e integrimit.  Prandaj, OSHC-të kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë mekanizëm.

Pjesëmarrësit diskutuan mënyrat se si monitorimi i masave mund të shtrihet edhe në nivel vendor, jo vetëm në atë qendror. U theksua se pushteti lokal duhet të ketë burime të mjaftueshme financiare, ndërkohë që aktualisht një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave (rreth 70%) përqendrohet në Tiranë dhe Durrës, duke reduktuar kapacitetet e njësive vendore. Gjithashtu, u evidentua se pushteti vendor shpesh përjashtohet nga proceset e kostimit dhe negociatave, çka tregon se bashkëpunimi ndërinstitucional, në formën aktuale, nuk është i mjaftueshëm. Mungesa e financimit, e kombinuar me vendosjen e standardeve shtesë, ka sjellë vështirësi në menaxhim në disa bashki. Sa i përket reformës në administratën publike, u diskutua nevoja për përdorimin e mekanizmave të tjerë monitorimi, si dhe për një fokus më të madh në programet e transparencës. U sugjerua që buxhetet e planeve të veprimit të përfshijnë struktura të posaçme monitoruese, ku një rol të rëndësishëm të luajë edhe shoqëria civile.

*Ky sesion informimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).