Grupi i Punës për Kapitullin 23 – Ecuria e negociatave dhe zbatimi i prioriteteve për Kapitullin 23 në kuadër të integrimit europian, 17 prill 2026
Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, zhvilloi më datë 17 prill 2026 tryezën e diskutimit dhe këshillimit në kuadër të Kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Pjesë e tryezës dhe diskutimeve ishin përfaqësues nga institucionet publike dhe agjenci të linjës, aktorë të shoqërisë civile, akademikë, studentë e të rinj, si dhe ekspertë të fushës. Diskutimi u përqendrua në hapat e ndërmarrë në kuadër të plotësimit të kritereve të ndërmjetme për Kapitullin 23, si dhe zhvillimet më të fundit legjislative.
Gjatë fjalës së tij hyrëse, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), Gledis Gjipali, parashtroi se procesi i negociatave për Kapitullin 23 po zhvillohet mbi bazën e dokumenteve dhe planeve konkrete të punës, në kuadër të përmbushjes së kritereve të ndërmjetme (interim benchmarks). Ai theksoi se procesi është mjaft intensiv dhe kërkon një nivel të lartë dialogu dhe bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile. Në këtë drejtim, Gjipali nënvizoi se edhe vetë OSHC-të duhet të angazhohen në mënyrë më të strukturuar, duke planifikuar punën e tyre dhe duke përzgjedhur fushat ku ka më shumë nevojë për konsultim, në përputhje me interesat dhe ekspertizën që ato mbulojnë, me qëllim arritjen e rezultateve më efektive në proces.
Tedi Dobi, Zëvendës Ministër i Drejtësisë dhe Negociator për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, paraqiti një pamje të përgjithshme të procesit të negociatave sa i përket Kapitullit 23 si një proces që ka ecur me realizimin e hapave konkretë, ku ka pasur edhe një përfshirje dhe kontribut me ekspertizë, sidomos nga organizatat e shoqërisë civile. Duke krahasuar Shqipërinë me procesin e negociatave të Malit të Zi, i përfshirë në këtë proces prej 10 vitesh tashmë, Dobi theksoi që Komisioni Europian tashmë e ka përgatitur dhe dërguar raportin vlerësues për kriteret e ndërmjetme (IBAR), ku vlerësimi, u shpreh Dobi, është goxha pozitiv. Ai theksoi edhe faktin që në këtë proces ka disa aktorë, ku nga njëra anë bëjnë pjesë të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përballë vendeve kandidate, si dhe Komisioni në Bruksel. Ai nënvizoi që procesi është intensifikuar, duke bërë që të kërkohen vlerësime të shpejta për procese goxha të ndërlikuara. Dobi u ndal edhe te masat e reja ligjore dhe ndryshimet legjislative që vijnë në kuadër të procesit, duke përmendur Kodin e ri për të Mitur, ku një rol të rëndësishëm e merr shoqëria civile, bashkë me donatorët dhe organizatat ndërkombëtare. Më tej ai u fokusua te elementi i ndihmës juridike dhe kontributi që duhet të japin të gjitha institucionet e përfshira. Ndër çështjet e tjera që Dobi diskutoi lidhej me rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mes aktorëve të ndryshëm sa i përket jo vetëm monitorimit të zbatimit, por edhe ofrimit të shërbimeve për këto grupe të synuara. Më tej, Dobi theksoi si një hap mjaft pozitiv finalizimin e Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, ku brenda 2 vitesh, ai cilësoi që është kthyer në një qendër rehabilitimi.
Elona Bano, Drejtore e Përgjithshme e Politikave dhe Projekteve në Fushën e Drejtësisë, Integrimit dhe Negociatave, nisi prezantimin e saj mbi Strategjinë Ndërsektorale të Drejtësisë për të Mitur 2027–2030, duke përmendur si fillim ato përditësime që janë bërë në kuadër të procesit të negociatave për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, nënfusha e të drejtave të njeriut. Bano dha një pasqyrë të gjerë të Strategjisë, hartimi i së cilës ndjek periudhën prill–dhjetor dhe zbatimin 2027–2030, me rol kryesor institucional të Ministrisë së Drejtësisë, përfshirë bashkëpunimin e 22 institucioneve qendrore dhe 13 institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, që garanton mbrojtje më të fortë, koordinim më efikas, akses të barabartë dhe rezultate e shërbime të qëndrueshme në nivel qendror dhe vendor. Vizioni i kësaj Strategjie, theksoi Bano, është të krijohet një sistem miqësor drejtësie për të miturit, ku do të kryhet rishikimi i kodeve ligjore kryesore për të miturit dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, gjithëpërfshirja institucionale si dhe zbatimi i qasjes rehabilituese dhe promovimi i riintegrimit në shoqëri, në përputhje me standardet e BE-së. Më tej, Bano theksoi prioritetet strategjike të planit, ku bëjnë pjesë parandalimi proaktiv dhe përfshirja sociale, drejtësi më e aksesueshme dhe garancitë procedurale, që ofrojnë konsolidim të ndihmës juridike falas dhe zgjerimin e përdorimit të masave alternative si instrumente kyçe për rehabilitim dhe riintegrim të qëndrueshëm. Bano e mbylli prezantimin e saj duke përmbledhur se Strategjia e re, pas përfundimit të strategjisë së kaluar, shënon një kthesë transformuese në trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin, duke synuar transformimin e Institutit për Edukim dhe Rehabilitim në një strukturë kombëtare model, jo thjesht si hapësirë qëndrimi, por si qendër dinamike për rehabilitim, transformim personal dhe riintegrim të qëndrueshëm në shoqëri, me standarde bashkëkohore, programe trajtimi individuale dhe regjim të orientuar drejt edukimit, duke qenë formati i një qendre multidisiplinore.
Bano u ndal edhe te prezantimi i arritjeve dhe masave për procesin e bashkë-krijimit për hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit OGP 2026–2030, për komponentin “Aksesi në Drejtësi”. Ajo ndau me pjesëmarrësit të dhënat dhe rezultatet e një pyetësori të përgatitur në përputhje me parimet e OGP-së dhe fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Drejtësisë, i cili përbën një instrument kyç për mbledhjen sistematike të të dhënave, duke kombinuar qasjen sasiore dhe cilësore për të ofruar një panoramë të plotë të situatës aktuale dhe prioriteteve për përmirësim. Nga 98 të anketuar, me target grupe të ndryshme, gjetjet theksojnë nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor në fushën e ndihmës juridike falas dhe ndërmjetësimit; evidentohet një nivel i pamjaftueshëm i informimit dhe ndërgjegjësimit publik mbi ndihmën juridike falas, ndërmjetësimin dhe procesin e integrimit europian; konstatohet mungesa e fushatave informuese të qëndrueshme dhe të targetuara, veçanërisht në zonat rurale dhe qytetet e vogla; si dhe një shtrirje territoriale e kufizuar e shërbimeve, duke krijuar pabarazi në akses. Gjithashtu, ajo theksoi që problematika të tjera lidhen me nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të shërbimeve, kufizimin e informacionit, si dhe mungesën e koordinimit në komunikimin institucional dhe përdorimin e një gjuhe jo gjithmonë të kuptueshme për publikun.
Së fundi, nga gjetjet e pyetësorit me fokus ndërmjetësimin është evidentuar një nivel i pamjaftueshëm njohjeje, mungesë besimi dhe informacion i pamjaftueshëm praktik mbi ndërmjetësimin si mekanizëm alternativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Pasuar nga gjetjet, ajo theksoi se hartimi i Planit të Veprimit OGP 2026–2030 përfshin disa hapa kyç: fillimisht identifikimin e angazhimit prioritar për fushën e aksesit në drejtësi; më tej, paraqitjen e këtij angazhimi në Komitetin Shumëpalësh për OGP dhe marrjen e miratimit për nisjen e procesit të hartimit të planit. Ajo nënvizoi gjithashtu se Ministria e Drejtësisë harton draftin fillestar të Planit të Veprimit, duke përfshirë objektivat, masat, aktivitetet dhe afatet e zbatimit për periudhën 2026–2030. Në vijim, zhvillohet një proces i gjerë konsultimi publik me organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, me qëllim mbledhjen e komenteve dhe propozimeve. Sipas saj, drafti i planit rishikohet duke integruar kontributet e marra dhe duke dakordësuar masat dhe aktivitetet përfundimtare. Më pas, bëhet finalizimi i Planit të Veprimit OGP 2026–2030, duke përfshirë edhe dokumentimin e plotë të procesit (raportet e konsultimeve, agjendat dhe evidencat e takimeve). Në përfundim, Bano bëri me dije se plani dorëzohet pranë Sekretariatit Teknik, miratohet nga strukturat përkatëse dhe publikohet zyrtarisht. Ajo ftoi të pranishmit, sidomos organizatat që punojnë drejtpërdrejt në këto fusha, të kontribuojnë me komente dhe sugjerime sa i përket procesit të Planit të Veprimit, ku mirëpritet përfshirja e aktorëve të shoqërisë civile. Ajo gjithashtu theksoi nevojën për më shumë komunikim dhe dialog për këto çështje, ku aktivitete dhe bashkëpunime të tilla duhet të shërbejnë edhe për të informuar në gjuhë të qartë e terminologji të thjeshtë proceset që shpesh janë teknike dhe të ndërlikuara.
Në fund të takimit u zhvillua një diskutim interaktiv nga pikëpamje të ndryshme mbi qasjen e institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe komuniteteve, partneritetin e tyre për të përmirësuar mbarëvajtjen e Institucionit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, si një qendër me nevojë të lartë ekspertize dhe një buxhet mbështetës për të gjitha aktivitetet në kuadër të kësaj çështjeje. Gjithashtu, në diskutim bëri pjesë Grupkapitulli 1 – Themeloret dhe mësimet e nxjerra nga ai proces i vështirë, si një shembull që duhet marrë parasysh në integrimin dhe negocimin e grupkapitujve të tjerë, duke theksuar nevojën për komunikim të vazhdueshëm me Komisionin Europian.



