Grupi i Punës për Kapitullin 24 – Bashkëpunimi Polici–Media: Liria e Shprehjes dhe Siguria Publike në Procesin e Integrimit Europian, 10 qershor 2026
Tryeza e Kapitullit 24 – Drejtësi, Liri, Siguri, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, më 10 qershor 2026, u fokusua në bashkëpunimin ndërmjet Policisë së Shtetit dhe medias, një fushë ku ndërthuren standardet e të drejtave të njeriut me kërkesat për siguri publike, rend dhe mbrojtjen e gazetarëve. Pjesëmarrës në këtë tryezë përfshinin përfaqësues nga shoqëria civile; media, akademia dhe administrata publike.
Në fjalën e tij hyrëse, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, EMA, theksoi rëndësinë që merr ky diskutim në kontekstin e avancimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Ai u shpreh se tryeza synon të prezantojë praktika dhe përvoja të ndryshme me interes për t’u analizuar dhe përmirësuar, duke krijuar njëkohësisht hapësirë për diskutim të hapur mbi çështje të ndryshme dhe zhvillimet rregullatore që po ndodhin në Shqipëri në këtë fushë. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e këtyre tryezave si platforma bashkëpunimi ndërinstitucional, duke nënvizuar se dialogu i vazhdueshëm mes institucioneve publike, medias dhe aktorëve të shoqërisë civile është thelbësor për garantimin e të drejtave dhe sigurisë së gazetarëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Gentian Mullai, Koordinator për Informimin Publik në Policinë e Shtetit, vlerësoi organizimin e takimeve të tilla si një mundësi për shkëmbim idesh, ndërtim platformash të reja bashkëpunimi dhe forcim të kapaciteteve institucionale. Ai theksoi se në një shoqëri demokratike, media dhe policia përbëjnë dy shtylla të rëndësishme të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe se marrëdhënia mes tyre duhet të ndërtohet mbi partneritetin, besimin dhe llogaridhënien. Sipas tij, për Policinë e Shtetit, gazetarët nuk janë vetëm raportues të ngjarjeve, por një aset publik dhe një urë lidhëse mes institucioneve dhe qytetarëve, duke luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe transparencës.
Në cilësinë e pikës së kontaktit për sigurinë e gazetarëve, ai prezantoi disa nga masat e ndërmarra për forcimin e bashkëpunimit polici–media dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve. Ndër to përmendi miratimin e Udhëzuesit për Sigurinë e Gazetarëve, me mekanizma të qartë bashkëpunimi me komunitetin e medias dhe organizatat që mbrojnë lirinë e shprehjes; institucionalizimin e kanaleve të komunikimit për raportimin e rasteve; si dhe vijimin e trajnimeve për punonjësit e policisë me fokus mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre gjatë tubimeve, protestave dhe aktiviteteve publike. Këto tematika janë të përfshira gjithashtu në programet mësimore të Akademisë së Sigurisë dhe në strukturat operacionale të Policisë së Shtetit. Sipas tij, rritja e numrit të rasteve të raportuara pranë policisë duhet parë si tregues i rritjes së besimit ndaj mekanizmave ekzistues dhe jo domosdoshmërisht si rritje e incidenteve. Gazetarët sot ndihen më të sigurt për të raportuar rastet që cenojnë sigurinë apo ushtrimin e profesionit të tyre, çka përbën një tregues se masat e ndërmarra po japin rezultate. Megjithatë, ai theksoi se mbetet ende punë për të bërë dhe se Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë komunikimin me median, të përmirësojë mekanizmat e reagimit dhe të investojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale. Në përfundim, ai nënvizoi se siguria publike dhe liria e shprehjes janë vlera që forcojnë njëra-tjetrën dhe se sa më të sigurt të jenë gazetarët, aq më i fortë bëhet sistemi demokratik.
Në vijim, Miranda Boshnjaku, Drejtoria e Planifikimit dhe Administrimit të Trajnimit Policor, prezantoi hapat e ndërmarrë nga Policia e Shtetit për forcimin e kuadrit institucional dhe operacional në mbështetje të sigurisë së gazetarëve. Ajo sqaroi se, përveç bazës ligjore dhe nënligjore, Policia e Shtetit operon mbi një numër të gjerë procedurash standarde, udhëzimesh dhe instrumentesh të brendshëm, të nevojshëm për një institucion me shtrirje territoriale në të gjithë vendin dhe me kompetenca qendrore e vendore. Duke e konsideruar median si një instrument të rëndësishëm të lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ajo theksoi se Policia e Shtetit i shërben çdo gazetari me të njëjtin profesionalizëm si çdo qytetari tjetër. Një nga masat konkrete të ndërmarra ka qenë hartimi dhe miratimi i Udhëzuesit për Sigurinë e Gazetarëve. Për këtë qëllim, më 21 nëntor 2024 u ngrit një grup pune, i cili për rreth një vit e gjysmë bashkëpunoi me organizata të medias, shoqërinë civile dhe ekspertë të mbështetur nga Këshilli i Europës. Në proces u përfshinë përfaqësues të institucioneve publike, organizata mediatike dhe aktorë të tjerë të interesit. Ajo bëri me dije se udhëzuesi u miratua më 21 maj 2025 me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe synon të përmirësojë reagimin institucional ndaj sulmeve apo rasteve të cenimit të sigurisë së gazetarëve, duke garantuar reagim të shpejtë ligjor dhe profesional, mbështetje për gazetarët dhe punëdhënësit e tyre, si dhe forcim të ndërgjegjësimit publik mbi rëndësinë e rolit të medias. Udhëzuesi përfshin elementë si: strukturat dhe njësitë përgjegjëse, hetimin policor, masat mbrojtëse, mbështetjen për viktimat, koordinimin ndërinstitucional, monitorimin dhe raportimin.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mekanizmave të ankesave nga gazetarët, duke adresuar shqetësimet e ngritura më herët për mungesë besimi apo hezitim për raportim. Në këtë kuadër, gazetarët mund të paraqesin shqetësimet e tyre përmes platformave elektronike, adresave zyrtare të komunikimit dhe pikës së kontaktit të caktuar pranë Policisë së Shtetit. Boshnjaku theksoi gjithashtu se puna nuk ndalet vetëm te hartimi i udhëzuesit. Policia e Shtetit vijon periodikisht trajnimet për mbrojtjen e gazetarëve dhe integrimin e kësaj tematike në programet e detyrueshme të formimit profesional. Programi i trajnimit në shërbim për periudhën 2025–2026 përfshin module të posaçme mbi marrëdhëniet polici–media, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe sigurinë e gazetarëve, të cilat zhvillohen për të gjitha nivelet e strukturave policore. Përveç trajnimeve, ajo theksoi se ekzistojnë mekanizma të rregullt vlerësimi profesional dhe testimi të punonjësve të policisë, me qëllim garantimin jo vetëm të pjesëmarrjes në trajnim, por edhe të përvetësimit efektiv të njohurive dhe standardeve profesionale.
Pauline Adès-Mével, gazetare, trajnere dhe eksperte për sigurinë e gazetarëve, ish-kryeredaktore dhe zëdhënëse e organizatës Gazetarët Pa Kufij, prezantoi standardet dhe praktikat europiane në këtë fushë. Ajo theksoi se, institucionet kanë detyrimin të garantojnë masa parandaluese, koordinim efektiv dhe trajnim të vazhdueshëm për gazetarët. Më tej, sqaroi trajtimin e mbrojtjes së gazetarëve në kontekstin e rendit publik në Shqipëri dhe analizoi se si progresi institucional i arritur deri më tani mund të shndërrohet në mbrojtje efektive në praktikë. Në një kohë kur procesi i integrimit europian vendos gjithnjë e më shumë theksin te shteti i së drejtës, liria e shprehjes dhe funksionimi demokratik i institucioneve, siguria e gazetarëve konsiderohet një tregues i rëndësishëm i cilësisë së demokracisë dhe besueshmërisë institucionale. Ajo theksoi se garantimi i një mjedisi të sigurt për gazetarët, veçanërisht gjatë mbulimit të protestave, ngjarjeve publike apo situatave me ndjeshmëri politike, nuk lidhet me mbrojtjen e vetë interesit publik dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Zhvillimet në vitet e fundit në Shqipëri tregojnë përpjekje konkrete për të përafruar praktikat kombëtare me standardet europiane dhe për të krijuar mekanizma më të qartë për parandalimin dhe adresimin e incidenteve që prekin gazetarët. Megjithatë, sfidat aktuale qëndrojnë te zbatimi i kuadrit ligjor në praktikë. Pavarësisht progresit institucional, të dhënat tregojnë se gazetarët vazhdojnë të përballen me pengesa dhe pasiguri gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 42 shkelje ndaj gazetarëve; një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë raportuar kërcënime dhe forma intimidimi, ndërsa shumë të tjerë kanë hasur kufizime gjatë raportimit në terren. Për më tepër, niveli i ulët i ndërgjegjësimit mbi mekanizmat ekzistues të mbrojtjes dhe mungesa e besimit institucional e bëjnë edhe më të vështirë përdorimin efektiv të instrumenteve të krijuara. Në këtë kuadër, Adès-Mével ngriti disa pyetje praktike që mbeten ende të hapura mbi identifikimin e gazetarëve siç duhet gjatë menaxhimit të ngjarjeve publike; nëse strukturat e komunikimit dhe oficerët ndërlidhës mes policisë dhe medias janë funksionale; hetimin e incidenteve në mënyrë të shpejtë dhe transparente dhe nëse merren në konsideratë rreziqet specifike me të cilat përballen gratë gazetare.
Për të orientuar përmirësimet e mëtejshme në Shqipëri, Pauline iu referua standardeve europiane dhe praktikave të mira të vendeve të tjera. Një referencë e rëndësishme është Rekomandimi CM/Rec(2016)4 i Këshillit të Europës, i cili nënvizon se gazetarët nuk duhet të trajtohen si pjesëmarrës në protesta apo si faktorë që cenojnë rendin publik gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Standardet europiane theksojnë rëndësinë e parandalimit, koordinimit institucional, komunikimit dhe trajnimit të vazhdueshëm. Në këtë drejtim, Pauline solli shembuj konkretë nga vende europiane që kanë zhvilluar modele efektive mbrojtjeje. Gjermania ka investuar në trajnime të specializuara për sigurinë e gazetarëve që raportojnë në ngjarje me nivel të lartë rreziku. Suedia ka zhvilluar modelin e saj të dialogut, duke vendosur theks te komunikimi përpara, gjatë dhe pas zhvillimit të demonstratave. Holanda ka krijuar PersVeilig, një partneritet gjithëpërfshirës që bashkon gazetarët, policinë dhe prokurorinë për të mbështetur raportimin, ndjekjen e rasteve dhe ofrimin e asistencës për gazetarët që përballen me kërcënime. Ndërkohë, Franca, Kroacia dhe Irlanda kanë përcaktuar gjithashtu oficerë ndërlidhës, mekanizma raportimi dhe kanale të strukturuara komunikimi ndërmjet autoriteteve dhe medias. Këto raste tregojnë se mbrojtja efektive varet nga funksionimi real i mekanizmave në terren.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit ngritën nevojën për një dallim të qartë midis rolit të policisë dhe atij të gazetarëve gjatë protestave, si dhe për forcimin e informimit të ndërsjellë dhe koordinimit me mediat, me qëllim garantimin e një raportimi të lirë, por njëkohësisht të sigurt në terren. Po ashtu, u trajtuan rastet e incidenteve gjatë protestave, si dëmtimi i pajisjeve profesionale të gazetarëve apo ndërhyrjet që cenojnë transmetimet live, duke theksuar rëndësinë e qartësimit nëse këto raste trajtohen në mënyrë administrative apo penale, pasi këto çështje lidhen drejtpërdrejt me kapacitetin e policisë për të mbrojtur gazetarët dhe për të forcuar sigurinë e tyre në terren.
*Ky Grup Pune për Kapitullin 24 u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



