Forum Diskutimi – Drejtësia penale e mirëqenia socio-ekonomike në ndërthurje: Roli i aktorëve të shoqërisë civile në formësimin e realiteteve, 22 prill 2025
Forumi i radhës i organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) u përqendrua në tematika që lidhen me çështjet e drejtësisë penale si dhe ato socio-ekonomike, duke marrë shkas nga artikujt e publikuar në Revistën Juridike Shqiptare dhe EuroSpeak. Forumi u mbajt më 22 prill 2025 në mjediset e Shtëpisë së Europës dhe bëri së bashku autorë të revistave, si dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit.
Në fjalën e saj hapëse, Nirvana Deliu, Drejtore e Programit pranë EMA-s, theksoi nevojën për të zgjeruar diskutimet mbi këto çështje shpeshherë të ndërlikuara dhe teknike, për të cilat ekziston ende pak hapësirë për debat publik. Ajo nënvizoi se artikujt e publikuar në dy revistat e krijuara nga EMA synojnë të mbushin boshllëkun ekzistues në trajtimin e këtyre tematikave, duke i afruar më shumë qytetarëve përmes rekomandimeve konkrete për zgjidhjen e disa prej sfidave aktuale.
Më pas, moderatori Noljan Lole, Gazetar, vijoi me prezantimin e panelistëve dhe çështjet që do të trajtoheshin gjatë forumit.
Gentjana Zeneli, Specialiste për Ngritjen e Kapaciteteve pranë Terre des Hommes, theksoi rëndësinë e promovimit dhe zbatimit të drejtësisë restauruese dhe procedurave të ndërmjetësimit si masa alternative në funksion të rehabilitimit dhe riintegrimit të të miturve në konflikt me ligjin të lidhura ngushtë me themeloret, si pjesë e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Ajo evidentoi se ndërmjetësimi penal, si proces i strukturuar komunikimi ndërmjet viktimës dhe të miturit të dyshuar ose të akuzuar për vepër penale, përfaqëson një mekanizëm funksional në adresimin e pasojave psikologjike dhe emocionale të viktimës, duke kontribuar njëkohësisht në përgjegjshmërinë individuale të të miturit, por në Shqipëri sipas saj drejtësia restauruese dhe ndërmjetësimi nuk aplikohen. Zeneli theksoi rëndësinë e garantimit të aksesit efektiv të të miturve në drejtësi, në përputhje me parimet e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe me standardet ndërkombëtare. Ajo bëri me dije se, gjatë vitit 2020, janë referuar në total 7 raste për ndërmjetësim penal nga Prokuroria, ndërkohë që në pesë vitet e fundit nuk është shënuar asnjë rast i tillë i referuar, çka tregon për një mungesë të aplikimit praktik të kësaj mase alternative. Kjo vjen sipas saj pasi prokurorët mjaftohen vetëm duke dhënë paralajmërimet me gojë ose me shkrim, duke u fokusuar vetëm te procedura. Ndërkohë që është shumë e nevojshme që të ndryshohet kjo qasje dhe drejtësisë për të mitur t’i jepet rëndësia e duhur, duke pasur në vëmendje interesin më të lartë të fëmijës dhe integrimin e tyre në shoqëri në të ardhmen. Zeneli u ndal gjithashtu edhe te problematika e mungesës së zbatimit të dispozitave të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, sipas të cilit, hetimi dhe ndjekja penale ndaj të miturve duhet të realizohet nga prokurorë të specializuar në këtë fushë, ndërkohë që në realitet për këto çështje përgjithësisht u lihen prokurorëve të rinj pa eksperiencë dhe jo të specializuar. Në lidhje me ekzekutimin e masave të dënimit, ajo informoi se aktualisht janë 33 të mitur që vuajnë dënimin pranë IEVP Kavajë (njohur dhe si Instituti i të Miturve), i cili është institucioni i vetëm korrektues për këtë kategori, për shkak të mungesës së shkollave të riedukimit në territorin e vendit. Megjithatë, ajo vlerësoi një zhvillim pozitiv në rritjen e ndërgjegjësimit institucional dhe shoqëror, duke përmendur rritjen e ndjeshme të rasteve të këshillimit familjar, nga vetëm 2 raste të raportuara në vitin 2023, në 83 raste gjatë vitit 2024, si tregues i përmirësimit të qasjes ndaj parandalimit dhe trajtimit psiko-social të rasteve që përfshijnë të mitur në kontakt me sistemin e drejtësisë.
Evanthi Suli, Nëpunëse pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, gjatë fjalës së saj parashtroi se procesi i ekstradimit përfshin aspekte si të natyrës së jashtme, ashtu edhe të brendshme, dhe realizimi i tij kushtëzohet nga ekzistenca e marrëveshjeve dypalëshe. Suli përmendi se një prej pikave kryesore që kërkon vëmendje është mundësia që procedura e ekstradimit të mos varet domosdoshmërisht nga ekzistenca e një marrëveshjeje ndërkombëtare. Kjo do të lejonte Shqipërinë të ekstradonte persona të dyshuar edhe nga shtete me të cilat nuk ka marrëveshje dypalëshe. Ky problem lidhet drejtpërdrejt me rritjen e aktivitetit të grupeve kriminale që përpiqen të shmangin drejtësinë duke përfituar nga boshllëqet ligjore dhe mungesa e këtyre marrëveshjeve, të cilat i shfrytëzojnë për t’u mbrojtur nga ndjekja penale. Aktualisht, Shqipëria ka një numër të kufizuar të këtyre marrëveshjeve, çka e bën procesin e ekstradimit të vështirë në shumë raste. Suli nënvizoi gjithashtu se ekstradimi nuk është vetëm një proces gjyqësor, por edhe diplomatik, ku ka shumë rëndësi dhe garantimi i respektimit të të drejtave themelore të personave që janë objekt ekstradimi. Ajo sugjeroi se procedurat për ekstradim duhet të thjeshtohen dhe të bëhen më efikase, duke propozuar që miratimi nga Ministria e Drejtësisë të mos jetë i domosdoshëm, nëse vendimi gjyqësor është tashmë në fuqi. Sipas saj, ky hap do të përshpejtonte procesin dhe do të shmangte burokracitë e panevojshme.
Renis Meta, Lektor në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, trajtoi “tkurrjen” e konsiderueshme të popullsisë shqiptare, duke ngritur pyetje rreth efektivitetit të politikave qeveritare për të frenuar “rrjedhjen e trurit”, që reflekton një humbje të madhe të potencialit rinor, veçanërisht të grupmoshave 20-29 vjeçare si më të prekshmet nga ky fenomen. Ai theksoi që në vitet e fundit arsyet e emigracionit nuk janë për shkaqe ekonomike apo sociale bazike, por për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe standarde më të larta. Si rrjedhojë, kjo krizë demografike me një rritje të ndjeshme të largimit të të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar, ka pasoja të rënda për zhvillimin e vendit, duke e lënë Shqipërinë me një forcë punëtore të reduktuar dhe të papërshtatshme për nevojat e tregut. Ai u shpreh se rrjedhja e trurit në Shqipëri është në nivelin më të lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Meta vuri në dukje se dinamikat tradicionale të emigracionit në vend kanë ndryshuar, duke qenë se më shumë vajza dhe gra të arsimuara po largohen nga vendi, ku historikisht ky trend ka qenë më i shpeshtë te djemtë dhe burrat. Autori shprehet rreth problematikës së mungesës së statistikave të sakta mbi emigrimin e të rinjve, që bën të vështirë vlerësimin e përmasave të këtij fenomeni. Sipas studimeve ndërkombëtare është llogaritur që rreth 420 mijë persona janë larguar nga Shqipëria në 10 vitet e fundit. Sipas INSTAT këto dinamika të migrimit të popullsisë po sjell dhe do të sjellë pasoja negative për demografinë e vendit dhe ekonominë si: fenomeni i ‘plakjes së popullsisë’, 2) përmbysja e skemës së pensioneve, ku parashikohet që në vitet e ardhshme raporti do të jetë 2 persona që janë në punë për 3 pensionistë. Në përfundim, ai përmendi se Skema e Garancisë Rinore Europiane, një mekanizëm për të mbështetur të rinjtë që nuk janë në punësim, arsim apo aftësim, mund të sjelli riintegrimin e të rinjve dhe zbehjen e këtij fenomeni.
Erda Dervishi, Specialiste Ekonomike, diskutoi ndikimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke theksuar përfitimet e shumta që sjell ky hap për ekonominë shqiptare duke përmendur këtu uljen e kostove të transfertave ndërkombëtare apo ato të monedhave të ndryshme, dhe rritjen e imazhit të mirë të vendit për investitorët e huaj dhe bizneset ndërkombëtare. Deri në prill 2025, të 11 bankat e nivelit të dytë në Shqipëri janë pranuar për t’u bërë pjesë e këtij sistemi, duke sinjalizuar përgatitjen e sektorit bankar për tranzicionin. Aktualisht, si bankat ndërmjetëse ashtu edhe ato pritëse aplikojnë tarifa për transfertat ndërkombëtare. Megjithatë, me anëtarësimin në SEPA dhe fillimin e operimit në këtë sistem nga tetori 2025, pritet një reduktim i ndjeshëm i këtyre kostove deri në 50 euro maksimum (sa është niveli maksimal i komisionit për transferta kombëtare). Dervishi sqaroi për më tepër se përfitimet janë të ndërsjella, jo vetëm konsumatorët do të përfitojnë nga tarifa më të ulëta dhe shërbime më të shpejta, por edhe vetë bankat do të përfitojnë nga zgjerimi i aktivitetit të bizneseve të huaja, të cilat do të kenë qasje në paketa më konkurruese dhe një mjedis financiar më të përshtatshëm për operimin.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi forcimin e drejtësisë restauruese në vend dhe nevojën për specializimin e prokurorëve në trajtimin e çështjeve delikate që përfshijnë të miturit. U theksua gjithashtu mungesa e institucioneve të posaçme për ri-edukimin e të miturve, si një boshllëk serioz në sistemin e drejtësisë penale. Në qendër të debatit ishin edhe sfidat që lidhen me procedurat e ekstradimit, veçanërisht në rastet kur Shqipëria nuk ka marrëveshje dypalëshe me shtete të tjera, çka e bën bashkëpunimin juridik ndërkombëtar më të vështirë dhe më të ngadaltë. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi nevojën për bashkëpunim rajonal dhe politika konkrete për mbajtjen e talenteve në vend edhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, u trajtuan edhe përfitimet potenciale nga anëtarësimi në SEPA, por edhe sfidat që ky proces sjell për sistemin bankar dhe bizneset, përfshirë nevojën për përshtatje teknike dhe rregullatore në përputhje me standardet europiane.
*Ky forum diskutimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



