Forum Diskutimi – Kultura gjyqësore shqiptare përballë standardeve të të drejtave të njeriut, 13 tetor 2025
Forumi i diskutimit, i organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në datën 13 tetor 2025, në mjediset e Shtëpisë së Europës, u përqendrua në tematika që lidhen me çështjet e kulturës gjyqësore shqiptare, si dhe ato të të drejtave të njeriut, duke marrë shkas nga artikujt e publikuar në Revistën Juridike Shqiptare (ALJ). Nën moderimin e Anila Zyberajt, forumi bëri së bashku autorë të revistave, si dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit.
Gjatë fjalës prezantuese, Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), nënvizoi se artikujt e publikuar në revistat e krijuara nga EMA synojnë të plotësojnë boshllëkun ekzistues në trajtimin e hollësishëm të këtyre tematikave siç janë kultura gjyqësore shqiptare dhe standartet e të drejtave të njeriut, duke i afruar më shumë qytetarët përmes rekomandimeve konkrete për zgjidhjen e disa prej sfidave aktuale, dhe pikërisht ky është qëllimi i Revistës Juridike Shqiptare (ALJ), e cila për momentin po financohet nga Bashkimi Europian dhe ka pasur 3 thirrje të hapura me rreth 80 aplikime, nga ku 30 artikuj janë përzgjedhur.
Brunilda Haxhiu, Lektore në University of New York Tirana, autore e artikullit “Paraburgimi si normë: Ndikimi i kulturës gjyqësore në caktimin e masave të sigurimit”, në bashkëautorësi me Prof. Asoc. Adrian Leka, Universiteti i Shkodrës, vuri në dukje diferencën mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian mbi çështjen e sigurisë, megjithatë përdorimi arbitrar i paraburgimit mbetet çështje globale. Mbipërdorimi i paraburgimit në Shqipëri, pavarësisht përputhshmërisë formale të kuadrit ligjor me standardet europiane, nuk shpjegohet plotësisht nga faktorët teknikë si ngarkesa e punës apo mungesa e infrastrukturës alternative, pasi kjo praktikë është kthyer në normë institucionale prej vitesh. Ky hendek shpjegohet më thellë nga teoria e “kulturës së rrezikut”, e përdorur si kornizë teorike nga autorët, ku gjyqtarët e shohin paraburgimin si një mjet mbrojtës për të reduktuar pasiguritë personale dhe institucionale, duke shmangur kritikat publike ose rrezikun e ndëshkimit, në rast se një i liruar kryen një vepër tjetër. Të dhënat konfirmojnë këtë mospërputhje, duke shkelur parimin e subsidiaritetit, ndërkohë që mungesa e arsyetimit të individualizuar dhe sfidat strukturore e thellojnë këtë problem. Shkalla e miratimit të kërkesave për arrest në burg ka qenë historikisht mbi 96% (Gjykata e Tiranës) dhe për vitin 2024, masa e arrestit me burg caktohet 1.7 herë më shumë se detyrimi i paraqitjes dhe 4.5 herë më shumë se arresti në shtëpi. Të paraburgosurit përbëjnë rreth 62% të popullsisë së burgjeve (2024), duke tejkaluar ndjeshëm mesataren europiane (25.9%), çka dëshmon për përdorimin e gjerë të tij në kundërshtim me parimin e subsidiaritetit. Haxhiu theksoi se vendimet për caktimin e paraburgimit janë shpesh të mangëta dhe të paarsyetuara, duke u kufizuar në fraza standarde për rrezikun e arratisjes apo prishjes së provave, pa analizë të rrethanave konkrete. Gjykatat shpesh konsiderojnë automatikisht të rrezikshëm personat përsëritës, duke standardizuar vendimin. Si përfundim mbipërdorimi i paraburgimit është produkt i ndërthurjes së faktorëve juridikë, strukturorë dhe kulturorë, duke kërkuar një qasje shumë më të thellë, përtej reformave të pjesshme, për një ndryshim të qëndrueshëm.
Iris Shehaj, Avokate & Hulumtuese, autore e artikullit “Provat e krijuara nëpërmjet inteligjencës artificiale: Sfidat e drejtësisë penale në epokën digjitale”, në bashkëautorësi me Maend Kullaj, Avokat & Lektor, u shpreh se inteligjenca artificiale po gjen zbatim gjithnjë e më tepër në fushën e drejtësisë penale duke lehtësuar procesin e verifikimeve hetimore. Integrimi i Inteligjencës Artificiale në drejtësinë penale sjell prova të reja (qoftë të mbledhura si p.sh. për të analizuar të dhëna me një volum të madh, ose të krijuara nga IA si krijimi i materialeve pamore ose zanore apo përmirësimi i cilësisë së pamjeve), të cilat synojnë rritjen e efiçencës dhe saktësisë, por njëkohësisht Shehaj e solli vëmendjen te sfidat madhore si gabueshmëria dhe cenimi i të drejtave të njeriut, ku arsyet procedurale lidhen kryesisht me garantimin e parimit të barazisë së armëve, si dhe me origjinën e provës dhe vlerësimin e forcës provuese që ajo paraqet. Për të ilustruar këtë me raste praktike ndërkombëtare, Shehaj përmendi “The Golden State Killer”, i cili ngriti shqetësime mbi privatësinë dhe etikën, duke qenë se policia dërgoi materialin gjenetik të të pandehurit në bazën gjenealogjike të të dhënave “GEDmatch”, pasi ekspertimi i ADN-së së tij u krye falë përdorimit të IA. Edhe pse përdorimi i provave të mbështetura nga inteligjenca artificiale nuk ka ende një rregullim të posaçëm, Shehaj theksoi se disa parime përkatëse mund të nxirren nga Akti i Inteligjencës Artificiale i Bashkimit Europian (Rregullorja 2024/1689), që cilëson si sisteme me rrezik të lartë ato që përdoren nga organet ligjzbatuese për poligrafë, vlerësim të përshtatshmërisë së provave, profilizim apo parashikim të recidivizmit, duke theksuar nevojën për saktësi, transparencë, mbrojtje të të drejtave procedurale dhe shmangie të diskriminimit, ndërkohë CCBE (Këshilli i Dhomave të Avokatisë dhe Shoqatave Ligjore të Europës ) ka mbajtur qëndrim më të prerë, duke kërkuar ndalimin e plotë të programeve parashikuese nga organet ligjzbatuese për shkak të rreziqeve të papranueshme. Deri më sot, nuk njihet ndonjë rast në praktikën shqiptare në paraqitjen e provave të krijuara ose mbështetura nga IA, pasi përdorimi nuk është i rregulluar në Kodin e Procedurës Penale (KPP), ndonëse kjo e fundit lejon marrjen e provave atipike, me kusht që të mos cënohen të drejtat themelore të njeriut. . Në përfundim, Shehaj theksoi se duhet garantuar transparenca dhe ruajtja e ekuilibrit midis efiçencës procedurale dhe respektimit të të drejtave të njeriut, pasi IA nuk zëvendëson ekspertizën njerëzore.
Ina Shënplaku, Avokate, autore e artikullit “E drejta për t’u harruar në kuadrin ligjor shqiptar: Një garanci për mbrojtjen e dinjitetit dhe statusi i saj si e drejtë themelore”, analizoi “të drejtën për t’u harruar” si një mekanizëm thelbësor në epokën digjitale për të mbrojtur dinjitetin dhe privatësinë e individit nga “kujtesa” e përhershme digjitale. Kjo e drejtë u njoh fillimisht nga Gjykata Europiane e Drejtësisë në çështjen Google Spain kundër Agencia Española de Protección de Datos (AEPD), Mario Costeja González, (2014) dhe u konsolidua nga Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), duke lejuar individët të kërkojnë fshirjen ose heqjen e lidhjeve të informacionit personal të vjetruar, jo relevant nga motorët e kërkimit. Në Shqipëri, kjo e drejtë është përfshirë në kuadrin ligjor me Ligjin Nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i cili rregullon kriteret për kërkesat e fshirjes. E drejta për t’u harruar është thellësisht e lidhur me të drejtat ekzistuese të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave, por qëllimi i saj specifik është t’i japë individit kontroll mbi identitetin e tij digjital dhe të sigurojë një prezantim të saktë të vetes në çdo kohë. Megjithatë, zbatimi i saj ngre tensione të brendshme dhe kërkon një balancim delikat me parimet themelore të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për informim. Vendimi në çështjen Google Spain” konfirmoi se të drejtat themelore të individit mund të mbizotërojnë ndaj interesave ekonomikë të korporatave, por informacioni origjinal nuk fshihet, duke u mbrojtur liria e shprehjes. Ky koncept i ri në legjislacionin shqiptar do të përballet me sfida praktike si mundësia e censurës apo ndikimi negativ mbi individë të tjerë të lidhur me të dhënat. Prandaj, “e drejta për t’u harruar” nuk duhet parë si një mjet thjesht teknik, por si një e drejtë themelore në zhvillim e sipër, e domosdoshme për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor në një shoqëri me memorie të pashlyeshme digjitale. E drejta për t’u harruar, ndonëse jo perfekte, është një nevojë e domosdoshme në këtë epokë digjitale.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi nevojën për hartimin e strategjive efektive në përdorimin e paraburgimit në përputhje me standardet europiane edhe forcimin e kapaciteteve të sistemit gjyqësor e domosdoshmërinë për të investuar në infrastrukturën e nevojshme. Në qendër të debatit ishin edhe sfidat që lidhen me adresimin e mekanizmave të brendshëm të “kulturës së rrezikut”. Gjithashtu u theksua nevoja urgjente për rregullimin ligjor të përdorimit të Inteligjencës Artificiale (AI) në drejtësinë penale shqiptare, duke kërkuar piketa specifike sipas modeleve ndërkombëtare, si dhe trajnim të vazhdueshëm për të gjithë aktorët e sistemit. U nënvizua rëndësia e transparencës së plotë mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe sigurimi që ajo të shërbejë vetëm si mjet mbështetës, pa zëvendësuar gjykimin njerëzor. Së fundmi u diskutua dhe njohja dhe zbatimi i “së drejtës për t’u harruar” si një e drejtë themelore për kontrollin e identitetit digjital.
*Ky forum diskutimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



