Tonight Ilva Tare: Rekomandohen negociatat me BE
Më 9 nëntor 2016, Z.Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, u intervistua nga Ora News në lidhje me Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Ai u shpreh se ka qenë një proces i gjatë dhe fatkeqësisht Shqipëria tashmë është e vonuar, sidomos sa i përket kohës së humbur gjatë këtyre viteve deri në marrjen e një rekomandimi pozitiv, që më pas vijoi me marrjen statusit të vendit kandidat. Megjithatë, ai shtoi se tani bëhet fjalë për një hap edhe më të rëndësishëm, siç është ajo e hapjes së negociatave, duke qënë se i gjithë korpusi i shtetit, tashmë do të vlerësohet në mënyrë më të detajuar në çdo fushë të tij. Shqipëria do të ketë një lidhje më të afërt me BE-në, dhe i gjithë progresi do të monitorohet më mirë në sajë të procesit së integrimit. “Megjithatë, deri tani Shqipëria ka bërë hapa të mirë duke përmbushur kështu dhe detyrat kryesore që kanë të bëjnë me pesë prioritet kyçe të përcaktuara nga Komisioni Europian. Ajo që mbetet akoma në dyshim është Reforma në sistemin e Drejtësisë, pasi ne tashmë jemi të vetëdijshëm për vonesën në dakordësimin sa i përket ndryshimeve kushtetuese apo paketës së ligjeve. Por, gjithsesi ky prioritet nuk mund të konsiderohet ende si i përmbushur për të vazhduar më tej me hapin tjetër në dhjetor “, theksoi ai.



