Klan News – Gledis Gjipali: Zgjerimi i BE mundësi historike për Shqipërinë, por asgjë nuk është e sigurt, 2 shtator 2025

I ftuar në Klan News për të analizuar rrugëtimin e Shqipërisë në BE, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), komentoi gjerësisht rrugëtimin e bërë nga vendi ynë në funksion të këtij procesi. Gjipali e konsideroi të rëndësishëm Forumin Strategjik të Bledit, për arsye të diskutimit të çështjeve të ndryshme që lidhen me zgjerimin, të ardhmen e BE-së në 5-10 vitet e ardhshme, të cilat kanë edhe ndikim global. Më tej, Gjipali theksoi se hapat e ndërmarra nga Shqipëria po shihen me pozitivitet nga Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos. Kjo vjen si rrjedhojë e punës së vazhdueshme e të mirë të vendit tonë në kryerjen e reformave në fusha të ndryshme dhe me hapjen njëra pas tjetrës të grupkapitujve. Madje, Gjipali përmendi 2028 dhe 2029-n si datat më të afërta të integrimit të Malit të Zi e Shqipërisë në BE.

Megjithëse se shihet pozitivisht zgjerimi, Gjipali argumenton se ngjarjet e fundit si: pandemia Covid 19, lufta në Ukrainë, trajtimi nga presidenti i SHBA-së Donald Trump si konkurrente etj., e kanë ndryshuar strategjinë vendimmarrëse të BE-së, por Shqipëria, Mali i Zi dhe gjithë Ballkani Perëndimor duhet të punojnë vazhdimisht për të mos e humbur momentin e mirë ku ndodhen aktualisht. Sa i përket reformave, Gjipali theksoi se Shqipëria duhet të jetë e vëmendshme tek grup kapitujt që lidhen me shtetin e së drejtës, zbatimin e reformës në drejtësi,, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e të drejtave të njeriut etj.

Gjithashtu, Gjipali komentoi se vendi ynë vazhdon të jetë ende i papërgatitur për zbatimin e kapitujve të mjedisit, sigurisë ushqimore, mbrojtjes së konsumatorëve etj., të cilat kërkojnë shtimin e mëtejshëm të kostove teknike e financiare nga ana e bizneseve dhe qytetarëve. Si përfundim, Gjipali argumentoi se përveç reformave Shqipëria duhet të zgjidhë edhe problemet bilaterale që ka me Greqinë. Gjithashtu, theksoi se krijimi i një rendi të ri mund të pengojë anëtarësimin e shteteve të tjera e për këtë duhet bërë ndryshimi i traktateve në të ardhmen. Edhe pse e shohin njëra-tjetrën si konkurrente, BE dhe SHBA duhet të bisedojnë vazhdimisht me njëra-tjetrën, në mënyrë që të ndjekin gjithmonë politika të përbashkëta.

Klan News – Gledis Gjipali: Zgjerimi i BE mundësi historike për Shqipërinë, por asgjë nuk është e sigurt, 2 shtator 2025