ABC News – Samiti i Brdo-Brijunit, rëndësi për integrimin, Deliu: Fokus i veçantë te Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, 6 tetor 2025
E ftuar në ABC News për të analizuar rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Nirvana Deliu, eksperte e procesit të integrimit europian pranë Lëvizjes Europiane për Shqipërinë (EMA), komentoi gjerësisht Samitin e Brdo-Brijunit dhe zhvillimin e tij në Shqipëri. Deliu theksoi rëndësinë e takimit të zhvilluar në Shqipëri, sepse bën bashkë presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lidhet drejtpërdrejtë me ecurinë e integrimit në BE. Në fokus të këtij takimi janë e ardhmja europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi rajonal, forcimi i dialogut dhe Plani i ri i Rritjes, ku €6 miliardë pritet të jepen në vijim për 6 vendet ende të paintegruara. Më tej, Deliu e sheh pozitivisht pritjen e këtij takimi nga Shqipëria, duke argumentuar se kemi të bëjmë me një vend partner, bashkëpunëtor e të besueshëm për të gjithë aleatët ndërkombëtarë. Në përfundim, Deliu përmend progresin e bërë nga Shqipëria deri tani, duke e argumentuar me hapjen e 5 prej 6 grupkapitujve, (Grupkapitulli 5 – Bujqësia, Burimet dhe Kohezioni ende i pahapur), zbatimin e reformave dhe ndryshimet legjislative në të gjitha fushat, si dhe me plotësimin e të gjitha kritereve të vendosura. I rëndësishëm është gjithashtu, progresi i bërë në Grupkapitullin 1 – Themeloret, forcimi i institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës, etj.



