Klan News – Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, intervistë me Gledis Gjipalin, 18 dhjetor 2025

Gjatë një interviste të zhvilluar në Klan News, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), komentoi Samitin e Brukselit të këtij viti dhe çfarë pritej prej tij. Gjipali e cilësoi të rëndësishëm mbajtjen e këtij Samiti, sepse i dedikohet Ballkanit Perëndimor
dhe tregon ritmin apo përgatitjen e vendeve kandidate që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, si dhe përgatitjen e vetë BE-së për t’i pranuar këto vende. Të rëndësishme ishin po ashtu edhe konkluzionet e këtij Samiti, te të cilat vlerësohej pozitivisht puna e mirë e bërë nga Shqipëria dhe Mali i Zi, për progresin e bërë deri tani, si dhe tregohen kushtet që duhet të plotësojnë vitin e ardhshëm. Mungesën e Serbisë në këtë Samit gjipali e argumentoi me problemet që ky vend ka aktualisht në politikën e brendshme e të jashtme, të cilat lidhen me mos hapjen e grupkapitujve të tjerë, marrëdhëniet e mira me Rusinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ku i kërkohet njohja e kësaj të fundit për t’u anëtarësuar.

Më tej, Gjipali u shpreh se anëtarësimi në grup ka ndodhur vetëm për asrye teknike apo për ta lehtësuar këtë proces. Por anëtarësimi në grup duke i mesatarizuar meritat e të gjitha vendeve, nuk do të pranohet nga BE për shkak të kushteve specifike që i janë vendosur secilit prej tyre. Heqja e masave të vendosura nga BE ndaj Kosovës edhe pse e vonuar, është e mirëpritur sepse mundëson zhbllokimin e programeve dhe fondeve, të cilat janë të rëndësishme dhe kanë impakt të drejtpërdrejtë, si dhe shërbejnë si mesazh politik në favor të kosovës. Në përfundim, Gjipali tha se Shqipëria duhet të ketë një administratë më të aftë e të përgatitur për të menaxhuar më mirë e përfituar sa më shumë fonde të lidhura me Planin e Rritjes e jo vetëm. Gjithashtu, Gjipali ndalet edhe te diskutimi i dy çështjeve të rëndësishme si zhbllokimi i fondeve për Ukrainën duke përdorur fondet e ngrira të Rusisë dhe një marrëveshje tregtare me vendet e MERCOSUR-it, për të cilat ende nuk është arritur dakordësia nga ana e shteteve të BE- së.

Klan News – Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, intervistë me Gledis Gjipalin, 18 dhjetor 2025