SCAN TV – Kapitulli i BE për tatimet, i vështirë për Shqipërinë – Deliu: Arsimi, shkencat dhe kultura nuk e kanë shumë të rëndë legjislacionin, 22 maj 2025
Gjatë një interviste të zhvilluar në muajin maj në SCAN TV, Nirvana Deliu, eksperte e procesit
të integrimit europian pranë Lëvizjes Europiane për Shqipërinë (EMA), analizoi ecurinë e procesit të negociatave Shqipëri-BE, duke u përqëndruar te grupkapitujt e hapur të asaj periudhe. Deliu u shpreh se Kapitulli 16 – Tatimet, është më i vështirë për shkak se ka shumë legjislacion për t’u përafruar nga ana e Shqipërisë, duke kërkuar punë dhe aftësi më të madhe. Gjithashtu, i vështirë konsiderohet edhe Kapitulli 19 – Politikat Sociale dhe Punësimi, për arsye se vendi ynë vijon të ketë ende problematika përsa i përket zbatimit të të drejtave të punëtorëve, si dhe në çështje të tjera që lidhen me përfshirjen sociale dhe punësimin. Më të lehtë konsiderohen Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi Shkencor dhe Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura, legjislacioni i të cilëve nuk është shumë i rëndë, bazohen në bashkëpunim dhe koordinim politikash ndërmjet vendeve anëtare, si dhe në çështjet administrative dhe në kapacitetet e vendidt për të mundësuar përfshirjen e të gjitha programeve komunitare të Bashkimit Europian. Në përfundim Deliu theksoi se nuk mund të flasim asnjëherë për grupkapituj apo kapituj të thjeshtë, por Grupkapitulli 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse cilësohet më pak problematik për Shqipërinë sesa Grupkapitulli 2 – Tregu i Brendshëm, Grupkapitulli 4 – Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhshmëria e Qëndrueshme dhe Grupkapitulli 5 – Bujqësia, Burimet dhe Kohezioni.



