OraNews – “Alert” nga Granit Sokolaj, Linja 08002626 dhe mbrojtja e konsumatorëve,14 nëntor 2025
Në emisionin “Alert”, transmetuar në Ora News dhe i moderuar nga gazetari Granit Sokolaj, u zhvillua një diskutim mbi aktivitetet e parashikuara në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi se Linja e Gjelbër përbën një nga komponentët më të rëndësishëm të projektit që po zbatohet aktualisht. Ajo shpjegoi se kjo linjë trajton ankesat e qytetarëve përmes ekspertizës dhe ofrimit të ndihmës falas nga Qendra “Alert” dhe, në rastet kur problematikat nuk zgjidhen në këtë fazë me operatorët ekonomikë, ndërmjetëson me institucionet përgjegjëse në vend. Siç përcaktohet edhe nga Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, institucionet dhe autoritetet përgjegjëse kanë detyrimin parësor jo vetëm të zbatojnë politikat për mbrojtjen e konsumatorit, por edhe të sigurojnë mbrojtjen e drejtpërdrejtë të të drejtave të konsumatorëve.
Në këtë kuadër, deri në këtë fazë të projektit, Lëvizja Europiane në Shqipëri ka organizuar me sukses dy trajnime në Tiranë. Përmes angazhimit të dy trajnerëve, pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm, kryesisht nga shoqëria civile, janë njohur me mekanizmat e mbrojtjes së konsumatorit, legjislacionin dhe kuadrin institucional, direktivat e Bashkimit Europian, si si dhe me mënyrat e përfshirjes në procesin e integrimit europian. Këto njohuri do të shërbejnë gjithashtu edhe në fazat e ardhshme të projektit, përfshirë zhvillimin e katër tryezave të diskutimit dhe këshillimit në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE).
OraNews – “Alert” nga Granit Sokolaj, Linja 08002626 dhe mbrojtja e konsumatorëve,14 nëntor 2025



