Grupi i Punës për Kapitullin 23 – Progresi në plotësimin e piketave të ndërmjetme për Kapitullin 23, 17 shkurt 2026
Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë mbajtën më 17 shkurt 2026 tryezën e radhës për progresin në plotësimin e piketave të ndërmjetme për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Ky takim me pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile, të institucioneve publike, profesionistëve të fushës, akademikë dhe grupe të tjera interesi, përveç ecurisë së reformave dhe dialogut ndërinstitucional, pati në fokus edhe informimin mbi organizimin e “Javës së Ndërgjegjësimit për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit” dhe nisjen e procesit të hartimit të “Planit Kombëtar të Veprimit të OGP 2026-2030 mbi qeverisjen e hapur.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe kontributi i organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve, profesionistëve dhe akademisë është shumë i rëndësishëm në këtë moment kritik ku kombinohet shpejtësia e procesit me cilësinë e bërjes së reformave. Ai theksoi se angazhimi duhet nisur nga informimi dhe shpërndarja e informacionit, e më pas pjesëmarrja dhe dhënia e kontributeve në tryezat e organizuara apo platformat online të konsultimit publik. Gjipali shtoi se instrumente të tilla duhen përdorur nga aktorët e grupet e interesit, si mënyra për t’u përfshirë në vendimmarje dhe për t’u informuar rreth zhvillimeve në këtë proces. Procesi i integrimit është kompleks në vetvete duke filluar nga përafrimi i legjislacionit, ku ngarkesa më e madhe është e administratës publike, megjithatë transparenca me publikun për çdo informacion dhe zhvillimet që priten jo vetëm në kapitullin në fjalë, por për të gjithë të tjerët mbetet kryesore për informimin e grupeve të interesit dhe si rezultat rritjes së kontributeve të tyre. Hartimi i akteve ligjore dhe nënligjore të koordinuara dhe të ndërthurura me njëri-tjetrin, sidomos kur ka disa institucione zbatuese, zvogëlon nevojën e rishikimit të tyre dhe ndikon në ecurinë pozitive dhe mungesën e pengesave dhe problematikave.
Tedi Dobi, Zëvëndësministër i Drejtësisë e njëkohësisht negociator për Kapitullin 23, shprehu falenderime për angazhimin e pjesëmarrësve duke treguar rëndësinë që ka procesi për të gjithë aktorët, dhe veçanërisht Kapitulli 23. Ai shtoi se tematikat e këtij kapitulli nuk duhen konsideruar të rëndësishme vetëm në kuadër të integrimit në BE, por edhe sepse janë themelore për qeverisjen e një shteti dhe qytetarëve të tij. Kjo tryezë vjen pas hapjes së të 33 kapitujve në një kohë relativisht të shkurtër dhe për këtë ai shprehu vlerësim për të gjithë organizatat e shoqërisë civile në angazhimin dhe kontributin për mbarëvajtjen me sukses të këtij procesi. Në kuadër të qëllimit dhe të kësaj tryeze ai informoi se është dorëzuar raporti i vlerësimit të piketave të ndërmjetme (IBAR) dhe theksoi që për përgatitjen e tij pati një bashkëpunim dhe koordinim dhe me institucionet e tjera publike, por edhe me aktorët e shoqërisë civile. Hapi i radhës u shpreh Dobi, është vlerësimi nga vendet anëtare të BE-së në lidhje me progresin e bërë. Ai shtoi se Shqipëria ka ende rrugë në përmbushjen e standarteve europiane dhe e rëndësishme është vazhdimi me të njëjtin intensitet drejt plotësimit të objektivave. Sa i përket zhvillimeve në kuadër të procesit legjislativ për Kapitullin 23, ai përmendi se grupe të ndryshme interesi kanë dhënë kontributin e tyre përmes platformave të konsultimit publik për nismat ligjore si “Ligji për Lobimin” apo ndryshimet në Kodin Penal, ku për këtë të fundit objektiv ishte adresimi i 7 direktivave të BE. Vetëm për Kodin Penal,ai informoi se janë bërë 25 takime konsultuese me aktorë të ndryshëm dhe grupe interesi. Sa i përket arritjeve në kuadër të Reformës në Drejtësi dhe konsolidimit të institucioneve të reja të Drejtësisë, ai përmendi se faza e dytë e procesit të vetingut për ankimmimet dhe çështjet e pazgjidhura (në total 21 çështje) parashikohet të përfundojë të muajin prill të 2026. Transparenca institucionale është një tjetër komponent që ka arritur progres duke marrë parasysh dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive personale. Qartësimi i postit të inspektorëve të drejtesisë për të garantuar konkurueshmërinë dhe standarte të larta të vlerësimit, rritja e rolit të ndihmësve ligjorë dhe pranimi në profesion përmes një provimi të specializuar dhe fuqizimi i standarteve të etikës për kandidatët e Shkollës së Magjistraturës ishin disa nga reformat e ndërmarra për një sistem më eficient. Gjithashtu, buxheti në sistemin e drejtësisë është rritur me 10% sipas Dobit, ku 2.1% ka rritje për prokurorinë dhe 25% për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë (ILD). Investimet për infrastrukturën fizike të gjykatave dhe angazhimi në ndërtimin e Kampusit të Ri të Drejtëisë të Tiranës, ku aktualisht po punohet për evidentimin e nevojave emergjente dhe gjetjen e zgjidhjeve të harmonizuara për strehimin e gjykatave. Përsa i përket fushës së antikorrupsionit dhte të drejtave të njeriut, ai përmendi zhvillimet pozitive sa i përket Ligjit për Donacionet dhe Sponsorizimet, legjislacioni për median dhe AMA, apo dhe për çështjet e pronave.
Anairda Arizaj, Drejtore e Komanduar pranë Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive në fushën e Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, u fokusua në Javën e Ndërgjegjësimit të Mbrojtjes së Viktimave të Krimit, pjesë e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit (2024-2030). Ajo shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e treguar edhe nga Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe 12 organizatave të shoqërisë civile të prëfshira në terren për realizimin e aktiviteteve të ndryshme ndërgjegjësuese dhe informuese. Ajo shpjegoi se nëpërmjet masave konkrete për informimin, mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave të krimit dhe familjeve të tyre, synohet të ulen rastet e viktimave të krimit, të rritet besimi i qytetarëve dhe në veçanti e viktimave tek sistemi i drejtësisë dhe organet ligjzbatuese. Në kuadër të kësaj nisme ajo tha se janë ndërmarrë aktivitete ndërgjegjësuse në mbarë vendin duke nisur që nga muaji janar, ndërsa përgjatë javës janë zhvilluar sesione informuese me grupet vulnerabël, aktivitete edukuese me fëmijë dhe të rinj dhe nisma komunitare. Ajo theksoi që një vlerë e shtuar është bashkëpunimi i ngushtë me pushtetin vendor në funksion të forcimit të mekanizmave për mbrojtjen e viktimave të krimit dhe sigurimin e ndihmës juridike falas. Ajo e përmbylli fjalën e saj me mesazhin që bashkëpunimi për këtë nismë është një qasje e strukturuar dhe e koordinuar e të gjithë aktorëve pjesëmarrës, për një sistem gjithëpërfshirës dhe e orientuar drejt viktimave, në përputhje me standartet europiane dhe objektivat e Kapitullit 23.
Mona Xhexhaj, Këshilltare pranë Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikurrupsionin, u fokusua në procesin e hartimit të Planit Kombëtar të Veprimit OGP 2026-2030. Ajo shpjegoi se plani është nismë ndërkombëtare dhe vullnetare, e implementuar në 74 shtete dhe Shqipëria është pjesë e saj që nga viti 2011, që ka synim nxitjen dhe garantimin e një qeverisje të hapur bazuar në transparencë, llogaridhënie dhe gjithëpërfshirje. Risitë janë zgjerimi i planit në një periudhë katërvjecare, në krahasim me periudhat e mëparshme 2 vjeçare, për tu përshtatur me axhendën e negociatave për intergrimin në BE. Gjithashtu, në planin e ri janë të përfshirë për herë të parë përveç të gjitha ministrive dhe institucione të tjera si Kuvendi, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Anitkorupsionin është koordinatori përgjegjës kombëtar për udhëheqjen e këtij projekti në të gjitha etapat e tij në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet e tjera publike. Metodologjia e re e planit, theksoi Xhexhaj, përfshin angazhimin jo vetëm të autoriteteve, por edhe konsultimin dhe rekomandimet nga organizatat e shoqërisë civile, ekspertët, media etj. Në kuadër të OGP-së, është ngritur Komiteti Shumëpalësh duke u bazuar në një numër të barabartë përfaqësuesish të institucioneve publike dhe të organizatave të shoqërisë civile. Ajo shtoi se në bazë të nevojave të evidentuara janë hartuar dhe realizuar trajnime të dedikuara mbështetur nga OGP Europe.
Takimi vijoi me diskutime dhe rekomandime nga pjesëmarrësit, më së shumti sa i përket institucioneve të drejtësisë dhe aksesit në drejtësi, mbrojtja e viktimave me fokus ato që përfshihen në grupe apo komunitete të margjinalizuara si edhe për domosdoshmërinë për më shumë komunikim e transparencë nga ana e institucioneve publike sa i përket procesit politikëbërës dhe vendimmarrës.



