Grupi i punës për Kapitullin 5 – Situata e Kapitullit 5 në procesin e negociatave: Përmbushja e piketave mbyllëse, 27 shkurt 2026

Agjencia e Prokurimit Publik dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) organizuan një tryezë diskutimi e cila u fokusua kryesisht në gjendjen aktuale të progresit të Kapitullit 5 – Prokurimi Publik, përmbushjen e piketave të përkohshme përmbyllëse, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit 2026-2030 për Partneritetin e Qeverisjes së Hapur (OGP). Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, administratës publike dhe aktorë të tjerë të përfshirë në fushën e prokurimit publik.

Gjatë fjalës së saj, Reida Kashta, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, theksoi se aktualisht puna e institucionit është e fokusuar me kërkesat për përmbushjen e piketave përmbyllëse të Kapitullit 5. Këto drejtime lidhen me përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së, konsolidimin e kuadrit institucional dhe demonstrimin e një historiku të besueshëm të funksionimit të një sistemi prokurimi publik transparent dhe të ndershëm. Sa i përket përafrimit të legjislacionit, ajo sqaroi se përmirësimet po zhvillohen në disa plane paralelisht, duke përfshirë ligjin për prokurimin publik, ligjin për koncesionet dhe partneritetet publike-private, si dhe ligjin për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në lidhje me ligjin për koncesionet dhe PPP-të, znj. Kashta bëri me dije se procesi i hartimit dhe finalizimit të akteve nënligjore po zhvillohet me mbështetjen e SIGMA-s, ndërkohë që për ligjin e prokurimit publik amendimet janë objekt diskutimi të vazhdueshëm me shërbimet e komisionit. Ajo theksoi se është hartuar një plan pune për aktet nënligjore, por puna duhet të vijojë, pasi afati përfundimtar për këtë proces është shtatori 2026. Ndërkohë, u nënvizua se edhe vetë Bashkimi Europian është në proces të amendimit të direktivave të tij, çka kërkon vëmendje të shtuar për të siguruar që ndryshimet që po bëhen aktualisht të jenë në përputhje me kuadrin ekzistues, duke ruajtur fleksibilitet për përafrime të mëvonshme. Qasja aktuale mbetet mbyllja e piketës së parë bazuar në direktivat ekzistuese. Sa i përket ligjit për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, u theksua se këtu bëhet fjalë për amendime të targetuara, duke marrë parasysh edhe kontekstin aktual global dhe zhvillimet e fundit në nivel europian. Në këtë drejtim, APP po bashkëpunon ngushtësisht me Ministrinë e Mbrojtjes për të përmbushur detyrimet përkatëse, ndërsa koordinimi ndërinstitucional mbetet kyç edhe me Ministrinë e Ekonomisë për çështjet që lidhen me koncesionet dhe PPP-të. Sipas znj. Kashta, pritshmëria është që përmbushja e këtyre piketave të realizohet brenda 3–4 muajve.

Në lidhje me piketën e dytë, që lidhet me përmirësimin e kuadrit institucional, u theksua se në nivel makro ekziston tashmë një strukturë e qartë institucionale, veçanërisht për fushën e PPP-ve. Sfida kryesore mbetet ngritja dhe funksionalizimi i institucionit të ri të dedikuar për koncesionet dhe PPP-të, i cili do të vijë përmes riorganizimit të ATRAKO-s, për të cilin ekziston tashmë një draft i përgatitur me mbështetjen e SIGMA-s. Ndërkohë, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë nuk paraqiten vështirësi në ngritjen e institucioneve të reja, pasi ekziston një kuadër ligjor dhe funksional i konsoliduar. Sidoqoftë, sfidat kryesore lidhen me rritjen e performancës, veçanërisht në drejtim të rritjes së kapaciteteve njerëzore. Në këtë kontekst, znj. Kashta theksoi rëndësinë e skemës së profesionalizimit në prokurimin publik, e cila përbën një gur themeli të ri në sistem. Ajo sqaroi se, pas ndryshimeve të bëra dy vite më parë në ligjin për prokurimin publik, çdo institucion duhet të ketë staf të trajnuar, të testuar dhe të certifikuar për të ushtruar funksione në këtë fushë. Pas muajit gusht, asnjë person nuk do të mund të punojë në prokurimin publik pa kaluar këtë proces. Deri më tani janë certifikuar 499 persona, ndërsa testimet zhvillohen çdo muaj në bashkëpunim me DAP, me qëllim që çdo institucion të ketë të paktën një person të kualifikuar, përndryshe funksioni përkatës nuk do të ushtrohet më.

Duke u ndalur te piketa e tretë, u theksua se APP po përgatit një raportim të detajuar mbi bazën e të dhënave të mbledhura ndër vite, duke përfshirë një analizë krahasuese për periudhën 2022–2025. Ky raportim synon të evidentojë nëse ka përmirësime apo ndryshime të qëndrueshme në sistem, duke u bazuar në të dhëna nga APP dhe institucione të tjera pjesë e Kapitullit 5, si dhe në bashkëpunim me institucionet gjyqësore për treguesit që lidhen me ndjekjen penale të pabarazive në tendera. Në këtë kuadër, u prezantua edhe metodologjia për vlerësimin e riskut të korrupsionit në prokurimin publik, e hartuar në partneritet me Autoritetin Italian Kundër Korrupsionit (ANAC), Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (MAPA) dhe me mbështetjen e OSBE-së. Kjo metodologji bazohet në përvojën ndërkombëtare dhe në njohjen e kontekstit vendas dhe synon të strukturojë mënyrën se si identifikohen dhe analizohen sinjalet e riskut, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel individual institucional. APP do të realizojë vlerësimin në nivel makro për të identifikuar dobësitë sistemike, ndërsa institucionet individuale do të inkurajohen të vlerësojnë performancën e tyre për secilin tregues risku. U përmend gjithashtu se analiza e anullimeve të procedurave gjatë vitit të kaluar tregoi një nivel rreth 25% të totalit, një shifër e konsiderueshme, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë. Megjithatë, u theksua se këto anullime nuk lidhen domosdoshmërisht me problematika të ligjit të prokurimit publik, por në shumë raste me legjislacionin sektorial, sidomos në fushën e barnave, çka kërkon një analizë më të nuancuar të treguesve të riskut.

Më tej, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), vlerësoi pozitivisht ritmin e amendimeve ligjore dhe të masave zbatuese të ndërmarra në fushën e prokurimeve publike, duke theksuar se ky progres është reflektuar qartë edhe në vlerësimet periodike të Komisionit Europian. Ai theksoi se, ndonëse kalendari i parashikuar për avancimin dhe mbylljen provizore të kapitujve është ambicioz, ai mbetet i arritshëm për sa kohë që ekziston angazhim i vazhdueshëm dhe bashkëpunim i ngushtë mes të gjithë aktorëve institucionalë dhe jo-institucionalë të përfshirë në proces. Gjipali nënvizoi gjithashtu rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të zbatimit të legjislacionit dhe reformave në praktikë, duke rikujtuar se deri në momentin e anëtarësimit në BE, kapitujt e negociatave konsiderohen vetëm të mbyllur përkohësisht, prandaj përfshirja e aktorëve joshtetërorë e lehtëson përmbushjen e detyrimeve.

Xhoana Ristani, Drejtor i Drejtorisë së Zbatimit të Politikave Strategjike dhe Integrimit, Agjencia e Prokurimit Publik, sqaroi se metodologjia për vlerësimin e riskut të korrupsionit në prokurimin publik është ndërtuar mbi një qasje të dyfishtë, duke kombinuar indikatorë makro dhe mikro, si dhe duke marrë parasysh edhe specifikat sektoriale. Kjo metodologji bazohet në praktikat e aplikuara nga ANAC, por është e përshtatur me kontekstin institucional dhe ligjor shqiptar. Një risi e rëndësishme e saj është jo vetëm identifikimi i treguesve të riskut, por edhe përcaktimi i mënyrës konkrete të matjes së tyre, si dhe klasifikimi i qartë i niveleve të riskut në të ulët, të moderuar dhe të lartë, çka i jep metodologjisë karakter praktik dhe të zbatueshëm. Metodologjia është e strukturuar mbi tre shtylla kryesore që ndërthuren mes tyre: mbledhjen sistematike të të dhënave, analizën e riskut të korrupsionit dhe përcaktimin e strategjive dhe veprimeve për zvogëlimin e këtij risku. Në nivel makro, analiza fokusohet në të dhëna të agreguara që pasqyrojnë funksionimin e përgjithshëm të sistemit të prokurimit publik. Këtu përfshihen tregues të tillë si përdorimi i ofertës ekonomikisht më të favorshme (MEAT) bazuar në kosto, pjesa dhe vlera e procedurave të zhvilluara me negocim pa shpallje paraprake, si dhe numri dhe vlera e procedurave të anuluara. Për secilin prej këtyre treguesve janë përcaktuar formula të standardizuara llogaritjeje dhe pragje përkatëse që sinjalizojnë nivelin e riskut, duke i mundësuar Agjencisë së Prokurimit Publik të identifikojë dobësi strukturore dhe tendenca problematike në nivel sistemi. Në të njëjtën kohë, Ristani theksoi se indikatorët mikro shërbejnë për një analizë më të thelluar të fazave konkrete të procedurave të prokurimit dhe për evidentimin e problematikave në nivel institucional apo procedural. Këta indikatorë fokusohen në elementë si publikimi me vonesë i procedurave krahasuar me planifikimin fillestar, rishpallja e procedurave të anuluara, kohëzgjatja e periudhës së publikimit, rastet kur procedurat përfundojnë me vetëm një ofertues, si dhe kohëzgjatja e procesit të vendimmarrjes. Edhe për këta tregues janë përcaktuar metoda të qarta matjeje dhe pragje kohore ose vlera në përqindje, mbi bazën e të cilave vlerësohet niveli i riskut. Qëllimi kryesor i përdorimit të indikatorëve mikro është identifikimi i hershëm i shenjave konkrete të parregullsive ose i rreziqeve të mundshme për korrupsion gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik. Ndryshe nga indikatorët makro, të cilët ndihmojnë në kuptimin e problematikave në nivel sistemi, indikatorët mikro i japin mundësi çdo institucioni të vlerësojë performancën e vet, të reflektojë mbi praktikat e ndjekura dhe të ndërmarrë masa korrigjuese të synuara. Në këtë mënyrë, metodologjia nuk synon vetëm të evidentojë problematika, por të shërbejë si një instrument parandalues dhe përmirësues, duke ndihmuar institucionet publike të ndërtojnë një qasje më të qëndrueshme dhe transparente ndaj menaxhimit të riskut të korrupsionit në prokurimin publik.

Geri Pilaca, Përgjegjës, Sektori i Integrimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Drejtoria e Zbatimit të Politikave Strategjike dhe Integrimit, Agjencia e Prokurimit Publik, shpjegoi se në kuadër të Partneritetit për Qeverisjen e Hapur (Open Government Partnership – OGP), një platformë që synon rritjen e transparencës, pjesëmarrjes dhe llogaridhënies përmes angazhimeve konkrete, po ndërmerret nisja e procesit të bashkë-krijimit të Planit Kombëtar të Veprimit 2026-2030. Risi kryesore përveç zgjatjes së periudhës së planit në katër vjet, nga dy vjet që ishte më parë, me qëllim përafrimin me axhendën e negociatave për integrimin në BE, për herë të parë, përveç ministrive, në plan janë përfshirë edhe institucione të tjera si Kuvendi, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ndërkohë, komponenti i Prokurimit Publik përfshihet në Angazhimin 15: “Rritja e transparencës për kontratat publike”. Ky angazhim lidhet ngushtë me përdorimin e teknologjisë, duke synuar aplikimin e zgjidhjeve të avancuara dhe proceseve të automatizuara për të rritur transparencën dhe efikasitetin. Në këtë kuadër, është e rëndësishme të prioritizohen disa elemente kyçe: rritja e aksesueshmërisë së sistemeve elektronike, në mënyrë që ato të jenë të hapura dhe të përdorshme nga shoqëria civile, si një mekanizëm për parandalimin e praktikave korruptive; vlerësimi i riskut të korrupsionit në fushën e prokurimit publik, veçanërisht në sektorët më vulnerabël; si dhe forcimi i integritetit në menaxhimin e kontratave publike. Një tjetër element thelbësor është bashkëzbatimi i planit dhe monitorimi i zbatimit të kontratave publike për periudhën 2026–2030, përmes bashkëpunimit të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile. Pilaca theksoi se metodologjia e re e planit nuk përfshin vetëm angazhimin e autoriteteve publike, por edhe konsultimin dhe integrimin e rekomandimeve nga organizatat e shoqërisë civile, ekspertët dhe media, duke garantuar kështu një qasje më gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Në përfundim të tryezës, një vëmendje e veçantë iu kushtua përmbajtjes së testimeve për kualifikimin e specialistëve të prokurimit, ku u theksua nevoja që këto testime të pasqyrojnë në mënyrë më gjithëpërfshirëse realitetin praktik të procedurave, veçanërisht duke përfshirë edhe procedurat me vlerë të vogël, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit prokurues dhe shpesh mbartin rreziqe specifike që kërkojnë trajtim të dedikuar. Po ashtu, u diskutua nëse lind nevoja për harmonizimin e mëtejshëm të praktikave kombëtare me praktikat më të mira të shteteve anëtare të BE-së, jo vetëm në kuadër të përafrimit formal me direktivat europiane. Në këtë kontekst, u diskutua edhe roli i Agjencisë së Prokurimit Publik në raport me matjen dhe vlerësimin e riskut, veçanërisht në rastet kur nga analiza e indikatorëve dalin në pah jo vetëm shkelje me karakter administrativ, por edhe situata që mund të ngrejnë dyshime për shkelje penale. U theksua nevoja për qartësim të mëtejshëm të kompetencave, si dhe për përcaktimin e afateve dhe procedurave të ankimit në mënyrë të tillë që të garantohet një mbrojtje efektive e të drejtave të operatorëve ekonomikë, pa cenuar ecurinë dhe integritetin e procesit të prokurimit publik.

*Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).