MCN – Integrimi, Deliu: Nuk bëhet pa drejtësi eficiente dhe institucione të konsoliduara, 18 mars 2026

E ftuar në MCN, ekspertja e integrimit znj.Nirvana Deliu, shpjegoi rëndësinë e raportit IBAR (Interim Benchmark Assessment Report), i cili lidhet me vlerësimin e Kapitujve 23 dhe 24 ku përfshihen  gjyqësori, të drejtat themelore, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar,  migracionin, azilin, në të cilat nuk ka pasur kritere përmbyllëse, siç ka pasur për 31 kapitujt e tjerë. Për këtë arsye është vendosur përpilimi i IBAR-it, për të pasur një vlerësim të përmbushjes së kritereve të ndërmjetme nga BE-ja, që do të thotë se do duhet të përfundojmë realizimin e kritereve të vendosura për Kapitullin 23 e 24, që të vazhdohet me fazën tjetër – mbylljen e përkohshme të tyre. Pra, pasi Shqipëria deklaron përmbushjen e kritereve dhe kushteve që janë vendosur nga BE, më pas Komisioni Europian realizon raportin IBAR ku deklaron bindjen për përmbushjen e kritereve, të cilin më pas e dërgon në Këshillin e Bashkimit Europian. Vetë Këshilli ka struktura si COELA (strukturë e përbërë nga teknicienë nga vendet anëtare) që duhet të japin miratimin e tyre për vlerësimin. Dhe vendi ynë gjendet në këtë fazë, pasi jemi duke pritur konfirmimin nga kjo strukturë.

Në vazhdim, znj.Deliu, analizoi ndikimin negativ që kanë pasur retorikat negative dhe sulmuese ndaj instancave të drejtësisë  duke kujtuar se reforma në drejtësi është mbështetur dhe investuar nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e rrjedhimisht bën pjesë te kriteret themelore, që përcaktojnë fatin e demokracisë dhe negociatave.

Gjatë intervistës, znj.Deliu, shpjegoi se gjatë takimit të mbajtur me COELA, nuk ka një zbardhje të tij, por është kuptuar se vendet anëtare kanë rezervat e tyre për përmbushjen e kritereve, pasi mbeten akoma sfidë çështjet që lidhen me drejtësinë apo ato që lidhen me të drejta e njeriut. Sfidë mbetet dhe Kapitulli 24 e nënfusha e luftës kundër krimit të organizuar, pavarësisht se në raportin vjetor të Komisionit Europian është evidentuar se ka pasur progres me anë të veprimtarisë së SPAK-ut, por prapë mbetet sfiduese ashtu sikur dhe trafikimi i lëndëve narkotike apo të qenieve njerëzore. Në të njëjtën kohë, shtimi i numrit të azilkërkuesëve dhe të huajve, ngre pyetje mbi kapacitetet mikpritëse të vendit tonë.

MCN – Integrimi, Deliu: Nuk bëhet pa drejtësi eficiente dhe institucione të konsoliduara, 18 mars 2026