News24 – Integrimi në BE, Gjipali: Shqipëria rrezikon fondet e Planit të Rritjes nëse nuk përmbush reformat, 21 prill 2026

Në emisionin në News24, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi se Shqipëria ka bërë progres të shpejtë në fushën e sigurisë ushqimore. Ai sqaroi se zbatimi i standardeve europiane është kryesisht përgjegjësi e operatorëve privatë, pasi ata mbulojnë pjesën më të madhe të aktivitetit në këtë sektor.

Sipas tij, sfida kryesore mbetet zbatimi praktik i ligjeve dhe krijimi i një sistemi të plotë kontrolli dhe menaxhimi të sigurisë ushqimore “nga ferma në tavolinë”, si për tregun e brendshëm ashtu edhe për import-eksportet. Ky proces kërkon kosto të lartë, pasi përfshin ngritjen e laboratorëve të rinj me mbështetjen e fondeve të BE-së, si dhe investime nga subjektet private për rritjen e standardeve.

Gjipali shtoi se Shqipëria po përafron standardet europiane me synimin për të forcuar kapacitetet e integrimit. Ai foli edhe për procesin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, ku raportimet bëhen çdo 6 muaj për një periudhë 3-vjeçare, ndërsa aktualisht vendi ndodhet në fund të vitit të parë të këtij procesi.

Sipas tij, Komisioni Europian ka vlerësuar progresin e arritur, por ka konstatuar se disa fusha ende nuk janë përmbushur plotësisht, si të drejtat e njeriut, ekonomia dhe përafrimi ligjor, duke dhënë më shumë kohë për vazhdimin e reformave. Shqipëria duhet të vazhdojë punën pa vonesa për të përmbushur standardet dhe për të mos mbetur pas vendeve të tjera në procesin e integrimit. Marrja e një raporti pozitiv mundëson mbylljen e kapitujve ku ka progres, por ende ka diskutime mes vendeve anëtare për të vlerësuar plotësisht nëse progresi është real, ndaj nevojitet më shumë punë për të bindur të gjitha palët dhe për të siguruar vendime pozitive.

News24 – Integrimi në BE, Gjipali: Shqipëria rrezikon fondet e Planit të Rritjes nëse nuk përmbush reformat, 21 prill 2026