Dokument Politikash – Zbatimi i Rekomandimeve të Auditimit dhe Efektiviteti i Kontrollit Financiar në kuadër të Kapitullit 32: Kontrolli Financiar Publik dhe Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, maj 2026
Ky punim, i hartuar nga Dr. Robert Çelo, Dr. Zamira Veizi dhe M.Sc. Rovena Bega për Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), analizon efektivitetin e sistemit të Kontrollit Financiar Publik në Shqipëri në kuadër të Kapitullit 32 – Kontrolli Financiar dhe procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Punimi argumenton se, megjithëse Shqipëria ka përputhur në masë të madhe kuadrin ligjor dhe institucional me standardet e BE-së, sfida kryesore tashmë nuk lidhet më me përafrimin e legjislacionit, por me zbatimin efektiv të tij.
Studimi fokusohet kryesisht në kuadrin e Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik (PIFC) dhe vlerëson efektivitetin e zbatimit përmes mekanizmave të ndjekjes së rekomandimeve të auditimit. Për të matur performancën përtej treguesve tradicionalë të përputhshmërisë, autorët zhvillojnë tre tregues kryesorë: Raportin e Efektivitetit të Zbatimit (IER), që mat përqindjen e rekomandimeve të zbatuara plotësisht; Indeksin e Hendekut të Zbatimit (EGI), që pasqyron diferencën ndërmjet rekomandimeve të pranuara dhe atyre të zbatuara plotësisht; si dhe Shkallën e Përputhshmërisë së Ndjekjes (FCR), e cila vlerëson respektimin e afateve për zbatimin e rekomandimeve. Duke u bazuar në të dhënat e ndjekjes së auditimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), punimi tregon se, megjithëse 99% e rekomandimeve pranohen formalisht, vetëm 37% e tyre zbatohen plotësisht, ndërsa respektimi i afateve të zbatimit mbetet relativisht i ulët.
Analiza i interpreton këto gjetje si dëshmi të një hendeku strukturor në zbatim, ku institucionet tregojnë gatishmëri formale për t’iu përgjigjur rekomandimeve, por jo gjithmonë i shndërrojnë ato në masa korrigjuese konkrete dhe të qëndrueshme. Duke u mbështetur në literaturën mbi qeverisjen dhe menaxhimin publik, punimi argumenton se kontrolli financiar efektiv nuk varet vetëm nga strukturat e mbikëqyrjes dhe mekanizmat e auditimit, por edhe nga llogaridhënia menaxheriale, stimujt e besueshëm për zbatimin e rekomandimeve dhe ndjekja e tyre në mënyrë sistematike nga institucionet përgjegjëse.
Për të adresuar dobësitë e identifikuara, autorët rekomandojnë forcimin e llogaridhënies menaxheriale të lidhur me performancën, krijimin e një platforme të centralizuar dixhitale për monitorimin e rekomandimeve të auditimit, rritjen e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, vendosjen e masave graduale ndaj rasteve të moszbatimit të vazhdueshëm, si dhe integrimin më të thellë të praktikave të menaxhimit të bazuar në rrezik në administratën publike.
*Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe autorëve, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Projekti “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen financiaretë Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility and Media 2021, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



