Konventa për Integrimin Europian – Vlerësime dhe Rekomandime 2015-2016

cover-Vleresime dhe rekomandimeEMA ka kënaqësinë të ndaj me ju publikimin më të fundit: Konventa për Integrimin Europian- Vlerësime dhe Rekomandime 2015-2016.

Duke e kuptuar Integrimin në Bashkimin Europian jo thjesht si një axhendë institucionale, por si një projekt ambicioz zhvillimi i nxitur vazhdimisht nga e gjithë shoqëria, roli i shoqërisë civile dhe qytetarëve të angazhuar aktivisht është kyç për promovimin e vlerave europiane dhe rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit publik për ndikimin dhe përfitimet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Për lehtësimin e këtij procesi, Konventa për Integrimin Europian përfaqëson një instrument të suksesshëm të aplikuar për herë të parë në Shqipëri. Duke qenë një model unik i zhvilluar nga Slovak Foreign Policy Association (SFPA) ndërmjet viteve 2003 -2007 në Sllovaki, implementimi i tij u zgjerua me mbështetjen e Slovak Aid në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Ukrainë dhe Moldavi.

Nëpërmjet Konventës për Integrimin Europian, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në partneritet me Slovak Foreign Policy Association (SFPA), në bashkëpunim të vazhdueshëm me ministritë kryesore të linjës ka ngritur dhe zhvilluar 4 grupe pune për të trajtuar kapitujt më sfidues të negociatave me BE-në: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore; Drejtësia, Liria dhe Siguria; Bujqësia dhe Siguria Ushqimore; si dhe Mjedisi.

Ky publikim jep një kontribut të çmuar për diskutimet e vazhdueshme mbi hartimin e politikave kombëtare për çështjet lidhur me Integrimin Europian, duke ofruar informacione mbi reformat e ndërmarra, sfidat në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe duke theksuar nxitjen e bashkëpunimit të sektorit shtetëror me shoqërinë civile, me qëllim përforcimin e kapaciteteve dhe aftësive që mundësojnë plotësimin e kritereve të aderimit në BE. Pjesa e parë e publikimit paraqet Raportet e Vlerësimit të kryera në fazën përgatitore të Konventës nga ekspertët e çdo Grupi Pune.

Raportet e vlerësimit analizojnë në detaje tri dimensionet e temave dhe sfidave prioritare të Kapitujve 17,23,24 dhe 27 të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke përfshirë: i) Politikat dhe Strategjitë, ii) Kuadri ligjor në Shqipëri dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së; iii) Korniza institucionale dhe niveli i përgatitjes së kapaciteteve të vendit. Pjesa e dytë thelbësore e publikimit përbëhet nga Rekomandimet e përftuara gjatë 16 sesioneve të Grupeve të Punës. Këto rekomandime janë rezultat i debateve koherente dhe të strukturuara tematikisht mes përfaqësuesve të institucioneve vendore, OJQ-ve, shoqatave të biznesit, akademisë dhe medias.