A2 CNN – Nirvana Deliu: BE nuk bën kompromis përsa i përket çështjes së medias, 4 nëntor 2025
Nirvana Deliu, eksperte e procesit të integrimit europian pranë Lëvizjes Europiane për Shqipërinë (EMA), gjatë një interviste të zhvilluar në A2 CNN, analizoi raportin e Komisionit Europian të dalë më 4 nëntor, si dhe progresin e bërë në fusha të caktuara. Fillimisht, Deliu përmendi elementet pozitivë të këtij raporti, pa harruar rekomandimet që ende nuk janë realizuar dhe nevojën për një reformë zgjedhore. Më tej, Deliu theksoi se Kapitulli 11 – Bujqësia dhe Kapitulli 12 – Siguria Ushqimore mbeten në një nivel problematik dhe nuk ka pasur pothuajse fare progres këtë vit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kapitullin 27 – Mjedisi, i cili pritet të jetë shumë sfidues, si dhe kërkon rritjen e investimeve dhe kostove.
Megjithëse vijon të mbetet ende problematik Kapitulli 28 – Mbrojtja e Konsumatorit, Shqipëria ka bërë progres të vazhdueshëm në Kapitullin 21 – Energjia dhe në Kapitullin 30 – Marrëdhëniet me Jashtë. Deliu tha se ka pasur një vlerësim pozitiv për SPAK-un dhe institucionet e reja të drejtësisë, si dhe për procesin e vetting-ut, që vjen si rrjedhojë e progresit të qëndrueshëm që Shqipëria ka bërë. Megjithatë, janë lënë mënjanë të drejtat themelore si liria e fjalës dhe e medias, për të cilat Shqipëria vijon të bëjë për vite me rradhë një progres të kufizuar. Këtë e argumenton me procesin e autocensurës, kushtet e këqija të punës së gazetarëve, etj.
Në përfundim, Deliu flet për Samitin e radhës së Zgjerimit mbajtur në Bruksel, i cili bën bashkë udhëheqësit e shteteve anëtare e të atyre kandidate që aspirojnë të integrohen në BE. I rëndësishëm është gjithashtu, edhe mesazhi i dhënë nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, nëpërmjet të cilit u shpreh qartë se Bashkimi Europian e do integrimin dhe zgjerimin me anëtarë të rinj.
A2 CNN – Nirvana Deliu: BE nuk bën kompromis përsa i përket çështjes së medias, 4 nëntor 2025



