A2 – Gjipali : Shqipëria në fazën më të vështirë të integrimit, objektivi i 2030-ës kërkon zbatim reformash dhe diplomaci të kujdesshme, 26 maj 2026
Në një intervistë televizive ne A2 CNN, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), Gledis Gjipali, theksoi se Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën më të vështirë dhe më të monitoruar të anëtarësimit në BE, ku fokusi i Brukselit tashmë ka kaluar nga miratimi i ligjeve tek zbatimi konkret i reformave, cilësuar kjo edhe në raportin IBAR. Sfidat kryesore sipas tij për vendin vazhdojnë të mbeten ngritja e kapaciteteve teknike të administratës publike, menaxhimi i fondeve e prokurimeve dhe ruajtja e kujdesshme e marrëdhënieve dypalëshe siç është rasti me Greqinë për të shmangur kështu bllokimet me veto.
Ndonëse objektivi për anëtarësim në vitin 2030 mbetet i arritshëm falë dritares aktuale pozitive gjeopolitike, Gjipali paralajmëron gjithashtu se procesi i anëtarësimit kërkon një vullnet të vërtetë dhe të qëndrueshëm politik si dhe përshpejtim urgjent të reformave, para se rritja e ekstremit të djathtë dhe euroskepticizmit në vendet kyçe të Europës të rrezikojë procesin e zgjerimit.



