A2CNN – Anëtarësimi paralelisht me Malin e Zi, Gjipali: Na ndihmojnë reformat tona, duhet të intesifikojmë, 22 tetor 2025
Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA ishte i ftuar në A2 CNN për të diskutuar mbi gatishmërinë e Bashkimit Europian për të pranuar anëtarët e rinj ku ndër ta dhe Shqipëria pa të drejtë vetoje. Ai theksoi se për ne është e rëndësishme ecuria positive e cila duhet ë vazhdojë në këtë drejtim dhe duhet të intensifikohet për të arritur qëllimin përfundimtar, anëtarësimin deri në 2030. Gjipali theksoi se disa kapituj janë më të ndërlikuar dhe kërkojnë më shumë kohë, megjithatë Bashkimi Europian u lë hapësirë tranzitore për të përmbushur standartet të tilla si financimi, burimet njerëzore, hapat legjislativë, pra adresim i duhur në kohë hap pas hapi që të ketë një përfundim me sukses. Stabiliteti politik dhe çuarja përpara e reformave shkojnë së bashku.
Reformat politike nuk mund të jenë të suksesshme nëse nuk ka një dialog të qëndrueshëm politik, funksionim të institucioneve dhe të parlamentit, i cili ka një rol kryesor në miratimin e legjislacionit dhe mbikëqyrjen e institucioneve të ndryshme që zbatojnë këtë legjislacion, që mund të sjellin pengesa ose vonesa nëse nuk kemi një dialog. E rëndësishme është të kemi një dialog të mirë politik, konstruktiv për aspektet e reformave të Bashkimit Europian. Dialogu është shumë i rëndësishëm, pra klima politike që shkon përtej votave, sepse BE kërkon qëndrueshmëri në reforma dhe kjo arrihet nëpërmjet një dakordësie mes mazhorancës dhe opozitës, por nga ana praktike ka nevojë për interesim të të dy palëve.



