ABC News – Integrimi, hapen kapitujt e fundit, Gjipali: Hapet një fazë akoma më e rëndësishme, puna do të jetë intensive, 17 nëntor 2025
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), gjatë një interviste në ABC News, analizoi hapjen e negociatave për Grupkapitullin 5 – Bujqësia, Burimet dhe Kohezioni dhe punën që duhet bërë ende për mbylljen me sukses të grupkapitujve të tjerë. Gjipali e cilësoi të rëndësishëm hapjen e negociatave për grupkapitullin 5 duke theksuar se duhet bërë një punë intensive dhe e vazhdueshme e përqëndruar në të gjitha çështjet. Detyrat janë shumë më konkrete dhe nuk ka më prioritete. Më tej, Gjipali tha se tashmë rruga është e qartë, standardet janë të qarta se ku duhet të arrijmë, por është në dorën tonë nëse do t’i arrijmë deri në vitin 2027 objektivat më kryesore, apo do të nisin përsëri vonesat në proces. Gjithashtu, Gjipali shprehet se Kapitulli 11 – Bujqësia dhe Zhvillimi Rural dhe rëndësinë që i jepet nga Bashkimi Europian kësaj fushe, duke e argumentuar me pagesat e drejtpërdrejta që jepen për fermerët, të cilat kërkojnë kapacitete të forta. Në përfundim Gjipali nënvizon edhe një herë faktin se koha e shkurtër në dispozicion nuk lejon vendosjen e prioriteteve. Gjithashtu, tha se piketat e ndërmjetme duhet të përmbushen para se të mbyllen të gjithë grupkapitujt. Në funksion të këtij qëllimi, duhet nxitur rritja e kapaciteteve administrative dhe vullneti për dialog politik në fusha të caktuara.



