Abc News / Ora News – Deliu: Zbatimi i reformave mbetet kryefjala e integrimit, BE po shqyrton pranimin e anëtarëve të rinj pa të drejtë vetoje, 26 maj 2026
Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), e cilësoi Konferencën e tetë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të 26 majit si një arritje pozitive përgjatë intervistave për “Abc News” dhe “Ora News”. Ajo theksoi se Kapitujt 23 dhe 24 mbi të drejtat e njeriut, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten kryefjala e integrimit. Deliu vuri në dukje se kërkesa e Brukselit ka kaluar nga miratimi i ligjeve tek zbatimi i tyre praktik për rezultate konkrete, ku thelbësore mbetet ruajtja e balancës mes shpejtësisë dhe cilësisë së reformave. Ndërkohë, situata gjeopolitike ka favorizuar “integrimin gradual” të rajonit, duke i sjellë Shqipërisë përfitime të hershme si përfshirja në sistemin SEPA dhe heqja e tarifave roaming.
Në pjesën e fundit të intervistës pyetur mbi problematikën bilaterale Shqipëri – Greqi pas deklarateve të ministrit grek për çështjen detare, ajo shton se ky mund te jetë nje skenar i mundshëm, por për të shmangur bllokime të tilla në të ardhmen mes vendeve fqinje, BE po diskuton edhe skenarin e pranimit të anëtarëve të rinj përkohësisht pa të drejtën e vetos.



